Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimet për ndërhyrjen në argjinaturën e lumit Erzen, ku si pasojë e daljes së tij nga shtrati u shkaktuan përmbytje masive në qytetin bregdetar.
Sipas raportimeve, Prokuroria ka sekuestruar dosjen që Bashkia e Durrësit ka bërë për rehabilitimin e argjinaturës.
Më konkretisht, sipas njoftimit, është sekuestruar “dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim’ për objektin. Po ashtu është vendosur “sekuestrimi i dokumentacionit tekniko-ligjor i gjithë procedurës së lejes” për objektin.
Sipas prokurorisë së Durrësit, bashkia e Durrësit ka kryer ndërhyrjen në argjinaturën në lumin Erzen pa studim dhe pa leje ndërtimi, ç’ka ka sjellë edhe përmbytjet në Sukth në njësinë Administrative Katund i Ri.
“Sekuestrimi pranë Bashkisë Durrës, sa më poshtë vijon:
1- Dokumentacioni i procedurës së prokurimit, zbatimit dhe marrjes në dorëzim për objektin “Rehabilitim i argjinatures, ngritjes së bankinës dhe sistemimi i argjinatures së lumit “Erzen”.
2- Dokumentacioni tekniko-ligjor i të gjithë procedurës së lejes së ndërtimit për objektin “Rehabilitim i argjinaturës, ngritjes së bankinës dhe sistemim i argjinatures së lumit”, thuhet në njoftim.






