Investigimi/ Balluku bëhet ministre, nis abuzimi: 105 milionë euro kosto shtesë për Qukës-Qafë Plloçë

Investigimi/ Balluku bëhet ministre, nis abuzimi: 105 milionë euro kosto shtesë për Qukës-Qafë Plloçë

Deri më tani ndoqët se si me ndryshimin e pushtetit, Edi Rama mori përsipër të njoftonte ndryshimin e projektit, e për këtë gjeti si pretekst, fajësimin e qeverisë paraardhëse. E të gjithë do mendojnë se tashmë gabimi i projektimit ishte rregulluar, dhe me një fryrje kostosh prej 50 milionë eurosh gjithçka ishte zgjidhur

Por në fakt jo, duket se këtu historia nis e përsëritet nga e para. Rruga Qukës-Qafë Plloçë është etaloni i abuzimit barbar me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Në vitin 2019, Edi Rama ndryshon ministrin, e në krye të infrastrukturës vjen Belina Balluku.

Balluku siç parardhësi i saj, i rifutet sërish projektit, dhe nga 50 milionë euro shtesë, fryrja shkon në 105 milionë. Duke i vënë kapakun në një kostot totale, nëse do të llogarisim edhe taksat, në 316 milionë euro. Po, po, plot 316 milionë euro për një rrugë që në projektimin fillestar do të kushtonte maksimumi 181 milionë euro.

Rruga Qukës – Qafë Plloçë, mund të cilësohet si gropë e zezë për financat publike. 43 km rrugë, u ka kushtuar sot qytetarëve shqiptarë më shumë se 316 milionë euro pagesa neto, pa llogaritur interesat e kredive që u morën nga bankat arabe, mirëmbajtjen, apo tendera për punime të tjera të këtij segmenti. Kostot e këtij projekti, rritjen më të madhe e njohën kur në krye të Ministrisë së Infratsrukturës u vendos Belinda Balluku.

Sipas raportit të auditit nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, në vitin 2021, Njësia e Menaxhimit të Projektit, në vijim të korrespondencës me shkresën nr.6248/1, datë 30.07.2019, i ka dërguar informacion Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe Ministrisë së Ekonomisë mbi kërkesën për shtyrje të datës së mbylljes së lëvrimit të financimit të kësaj marrëveshje duke paraqitur nevojat për shtyrjen e kësaj date si rezultat i problematikave që lidhen kryesisht me pasaktësitë dhe mangësitë e theksuara të projektit origjinal të kontratës të konstatuara që prej fillimit, edhe pse në 2016, ishte vetë kryeministri Edi Rama që do të deklaronte se projekti tashmë ishte rishikuar dhe gjithccka do të ndërtohej sicc duhej.

Kërkesa për shtyje të lëvrimit të financimit erdhi pas një auditimi të kryer nga një kompani private, e kontraktuar nga Njësia e Menaxhimitt të Projektit. Më 31 dhjetor 2018, një kompania audituese e pavarur UHY Elite shpk, i dërgon një shkresë ARRSH dhe Njësisë së Menaxhimit të Projektit, duke vlerësuar se vlera totale e fondeve shtesë për përfundimin e projektit mund të arrijë 31 milion USD nga të cilat 5 milion USD mbeten për fondet e kontingjencës në buxhetin e projektit fillestar dhe 26 milion USD, duhet të merren nga burime të tjera. Kjo analizë tregon se përveç buxhetit total të aprovuar në marrëveshje prej 125 milion USD, projekti mund të ketë nevojë fonde shtesë rreth 28 milion USD vetëm për punët civile në Lotin 1 dhe Lotin 2.

Pra, dy vjet pasi kishin nisur punimet dhe ARRSH miraton ndryshimet në projekt të propozuara nga kontraktori, kërkohet edhe shtimi i fondeve për përfundimin e ndërtimit të lotit 1 dhe 2 me gjatësi 30 km në total, me një fond shtesë prej 31 milionë eurosh.

Situata mbetet pezull për dy vjet, teksa në vitin 2020, pasi në krye të Ministrisë së Infrastrukturës vjen Belinda Balluku, rinisin negociatat për shtesë në financim. Por, këtë herë ndryshon edhe preventive, nga 31 milionë euro që ishin parashikuar fonde shtesë nga audituesi i pavarur për përfundimin e Lotit 1 dhe 2, ARRSH i kërkon kompanisë mbikqyrëse të ribëjë preventivin.

Sipas KLSH, Më datën 19.05.2020, konsulenti paraqiti vlerësimin në lidhje me përllogaritjen e fondeve shtesë të nevojshme për përfundimin e Projektit sipas komponentëve për Lot I dhe II me një buxhet rreth 56.8 milionë USD. Pra nga 31 milionë euro që ishte parashikuar në vitin 2018 me projektin e rishikuar, pas ardhjes së Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, përfundimi i Lotit 1 dhe 2 kërkon 56.8 milionë euro shtesë.

Thënë më thjeshtë, lotet 1 dhe 2 ishin parashikuar të ndërtoheshin me 125 milionë euro, por pas ardhjes së Ballukut në krye të Ministrisë së Infrastrukturës, kostoja u shtua me 56.8 milionë euro, duke çuar shumën totale në rreth 181 milionë euro vetëm për ndërtimin e lotit 1 dhe 2 të Qukës –Qafë Plloçë.

Pas kësaj, në muajin korrik të vitit 2022, qeveria shqiptare dhe Banka Islamike për Zhvillim firmosin e marrëveshjen e re, e cila u ratifikua në Kuvendin e Shqipërisë në 17 nëntor 2022. Kjo marrëveshje parashikonte që shuma e huasë për ndërtimin e Lotit 1 dhe 2 të Qukës –Qafë Plloçë nga 125 milionë euro që ishte parashikuar në marrëveshjen e 2013, shkonte në 181 milionë euro.

Sipas KLSH, Me miratimin e kësaj shtese të financimit prej 56.8 milion USD praktikisht kosto për Lotin 1 dhe Lotin 2 janë rritu në krahasimisht me kontratën bazë me 45%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 125 milion dollar në 181.8 milion USD vetëm për Lotin 1 dhe 2.

Vecc lotit 1 dhe 2, abuzimi më I madh në këtë aks rrugor duket se është regjistruar në Lotin 3. Ndërsa veprat e mëdha kishin përfunduar në lotin 1 dhe 2, si tunele e ura të larta, në Lotin 3 kishin mbetur për tu ndërtuar vetëm 9. 6 km nga 43 km që ishte e gjithë gjatësia e këtij aksi. E duket se ky lot, kishte mbetur në dorë të Belinda Ballukut, për tu rishikuar dhe financuar, në një kohë që projekti fillestar parashikonte ndërtimin e tij me 33 milionë euro. Por sot, ky segment, i cili është edhe më problematiku i gjithë gjatësisë së rrugës, ku janë edhe shembjet më të mëdha, u kushtoi shqiptarëve 75 milionë euro, pra më shumë se dyfishi i kostos së projektimit fillestar. Për shkak edhe të konsiderimit si loti më i lehtë, ai pritej të përfundonte në vitin 2018, shumë më para se përfundimi i dy loteve të tjera, që kishin punë më të mëdha me tunelet e urat. Pas një korrespodence të zvarritur në disa vite për rishikimin e kostove, qeveria shqiptare vendosi për shtimin e financimit me të paktën 25 milionë euro.

Në 10 shtator 2019, Me shkresë, nga Fondi Saudit për Zhvillim drejtuar Ministrit të Financave dhe Ekonomisë për projektin e Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, Loti nr.3, sqarohet se referuar takimit midis Kryeministrit Shqiptar dhe Presidentit të Fondit Saudit të Zhvillimit ku shpjegohet se akoma nuk është marrë një përgjigje nga Qeveria Shqiptare nëse do të ketë një shprehje interesi zyrtar drejtuar Fondit Saudit për Zhvillim mbi financimin shtesë për projektin e Ndërtimit të rrugës Tiranë – Elbasan – Qukës – Qafë e Plloçës, Loti nr.3. Pra, është e qartë se qeveria shqiptare ka zvarritur shtyrjen përpara të projektit duke mos marrë veprime për sigurimin e financimit.

Mbetet e paqartë, pse është zvarritur gjetja e financimit për dy vjet nga qeveria shqiptare, por të dhëna interesante zbulohen po nga raporti i KLSH. Sipas raportit, në 19 dhjetor 2019, pra gati një vit pasi Belinda Balluku ishte bërë ministre e infrastrukturës, i drejton një shkresë Ministrisë së Financave duke i kërkuar plotësimin e financimit për Lotin tre, ku vlera totale këtë herë nuk është më 25 milionë euro, por plotë 49 milionë euro.

Në muajt qershor dhe dhjetor, Ministria e Financave, i dërgon dy kërkesa për shtim kredie Fondit Saudit, me vlerë totale 49 milionë euro. Me Vendimin nr. 53, datë 26.01.2022, është miratuar në parim Marrëveshja e Huas nga Këshilli i Ministrave ndërsa në kuvend është miratuar shtesa e kredisë në 22 dhjetor 2022.

Sipas KLSH, Me miratimin në parlament të kësaj shtese të financimit prej 49 milion USD praktikisht kosto për Lotin 3 janë rritur në krahasimisht me kontratën bazë me 48%, një vlerë tepër e lartë krahasimisht me marrëveshjen fillestare nga 50 milion dollar në 74 milion USD vetëm për Lotin 3.

Për ta bërë më të qartë, këto të dhëna konfirmojnë se kostot e përfundimit të rrugës Qukës-Qafë Plloçë u rritën me 105 milionë euro, pasi në Ministrinë e Infrastrukturës hyri Belinda Balluku. Madje, kostot u rritën me 50 milionë euro më shumë, pasi ministre u emërua Belinda Balluku, në raport me kostot e përllogaritura nga audituesi i pavarur për Lotin 1 dhe 2, dhe kostot e përllogaritura nga supervizori për Lotin 3.

Një nga shkaqet e fryrjes së kostove ishte edhe ajo për mbikqyrjen e punimeve. Në kontratat fillestare, vlera totale e mbikqyrjes së punimeve ishte parashikuar në Në total për komponentin “Shërbime konsulence” në marrëveshjet e financimit është parashikuar- vlera 5.23 milionë USD ku janë lidhur kontratat fillestare në vlerën 5.29 milionë USD me amendime ka arritur në vlerën 11.06 milionë USD. Pra, më shumë se 6 milionë euro, pa llogaritur këtu dhe TVSH-n që ka paguar qeveria shqiptare, ka pasur vetëm mbikqyrja e punimeve.

Share it :