Berisha: Berluskoni nuk iu shmang kurrë drejtësisë, kurse Rama po merr zvarrë shtetin dhe çdo gjë!
Kryetari i PD, Sali Berisha, në fjalën e tij në Foltoren me degët 1 dhe 3 në Tiranë i bëri krahasimin mes Shqipërisë dhe Italisë, ku sipas tij, i ndjeri kryeministri Silvio Berluskoni nuk i’u shmang asnjëherë drejtësisë, ndërsa Edi Rama po e merr zvarrë shtetin për çdo gjë.
Berisha tha se, ish-kryeministri i ndjerë i Italisë, një mik i madh i Shqipërisë, Silvio Berluskoni, e majta komuniste italiane iu përvesh, por edhe kur ishte kryeministër në detyrë, kur kryesonte G 7-tën, ai nuk iu shmang urdhrave të drejtësisë. Edhe kur ato shënonin padrejtësinë më të madhe, ai nuk u shmang.
Berisha: Të dashur demokrate e demokratë të pranishëm sot në këtë sallë, ju përshëndes me përzemërsinë më të madhe ju, përshëndes të gjithë anëtarët dhe mbështetësit e PD të degëve të tuaj, të Tiranës dhe të mbarë Shqipërisë.
Të dashur kryetarë të degëve, Ilir, Floriana, faleminderit shumë që keni ardhur në këtë takim.
Ne mblidhemi në një kohë ndër më kritiket për vendin dhe për shtetin shqiptar.
Mblidhemi në një kohë në të cilën kurrë në histori nuk ka ekzistuar një degradim kaq ekstrem i atij që quhet shtet.
Degradimi, degjenerimi në kuptimin absolut të fjalës i karakterit dhe moralit zyrtar dhe ligjor të njerëzve të këtij pushteti, tejkalon çdo lloj parashikimi, libri që mund të keni lexuar apo filmi që mund të keni parë.
Ne që kemi jetuar në dy diktatura, ne bëjmë krahasime dhe u them unë që në memorien tonë, kurrë nuk ka ekzistuar në Europë një diktaturë e zezë si ajo e Enver Hoxhës.
Por u garantoj se disa aspekte, dhe jo të pakëta, ky regjim sot është më shkatërrimtar për qenien shqiptare se sa ç’ishte regjimi më i parë.
Miq, këtu unë flas me njerëz politikë, flas me njerëz që kanë vite, dekada që merren me politikë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme që mesazhet ne t’i përcjellim tek çdo mik, tek çdo mikeshë, tek çdo anëtar i familjes, tek çdo i ri.
Degradimi i këtyre pushtetarëve ka kufi vetëm qiellin.
Do t’u jap një shembull.
Ish-kryeministri i ndjerë i Italisë, një mik i madh i Shqipërisë, Silvio Berluskoni, e majta komuniste italiane iu përvesh, por edhe kur ishte kryeministër në detyrë, kur kryesonte G 7-tën, ai nuk iu shmang urdhrave të drejtësisë.
Edhe kur ato shënonin padrejtësinë më të madhe, ai nuk u shmang.
Ai nuk tha kurrë se nuk do të paraqitem.
Shikoni se ç’ndodh me këtë bastard te xhelatëve komunistë, të Spiro Kolekës dhe Kristaq Ramës.
Shikoni miq se si i merr zvarrë shtetin dhe çdo gjë.
A ka turp më të madh, a mund të bëjnë një turp më të madh ata gjykatës që duhet të jenë gjykatësit më eprorë të shqiptarëve që e trajtojnë veten si larva, pa karakter, pa dinjitet, pa shtyllë kurrizore, pa asgjë?
Por mos harroni se ata janë gjykatësit që vendosin për të drejtën tonë.
Ata vendosin.
Ata pranojnë çdo lloj poshtërimi dhe vetëposhtërimi.
Pse?
Ata kanë degraduar në atë shkallë nga frika dhe tmerri që kanë nga diktati i Edi Ramës.






