Pas Sarandës, Xhindoli do të ndërtojë tjetër central diellor 70 mega në Savër të Lushnjes

Pas Sarandës, Xhindoli do të ndërtojë tjetër central diellor 70 mega në Savër të Lushnjes

Biznesmeni Agim Xhindoli do të ndërtojë një tjetër central të madh diellor, këtë herë në Savër të Lushnjes. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se kompania e tij 3X Energy ka aplikuar për ndërtimin e parkut fotovoltaik, i cili nuk përfiton nga masat mbështetëse.

“Shoqëria “3X ENERGY” sh.p.k., ka shprehur interesin dhe ka paraqitur pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, aplikimin për ndërtimin e një impianti fotovoltaik me kapacitet të instaluar 70 MW, për prodhimin e energjisë elektrike nga burime të rinovueshme, i cili nuk është objekt konçesioni dhe nuk përfiton nga masat mbështetëse, me vendndodhje në Zonën Kadastrale 3268, Fshati Saver, Njësia Administrative Lushnje,” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Infrastrukturës.

Shoqëria 3X zotërohet në masën 90 për qind nga biznesmeni Agim Xhindoli, ndërsa 10 për qind të aksioneve i ka Adrian Dule. Ky është impianti i dytë fotovoltaik, që biznesmeni Xhindoli ka vënë në shinat e ndërtimit. Vitin e kaluar ai së bashku me biznesmenin Paqsor Buzi përfituan 60 hektarë tokë shtetërore nga Bashkia e Sarandës me qira simbolike për të ndërtuar aty një central tjetër të madh diellor.

Ky vendim i Këshillit Bashkiak shkaktoi kundërshtimin e madh të banorëve të Nivicës, të cilët pretendojnë se prona është e tyre dhe nuk mund të tjetërsohet për sa kohë është në proces gjyqësor.

Zoti Xhindoli po bëhet një nga ndërtuesit më të mëdhenj të centraleve diellore në vend duke kapërcyet mbi 130 megavat fuqi të instaluar. Ky biznesmeni u bë i njohur, kur u ftua nga kryeministri Edi Rama në podcastin e tij. Kjo ftesë duket se ka hapur rrugët e biznesmenit lushnjar për të marrë liçenca, leje dhe madje edhe tokë publike nga shteti.

Share it :