Berisha: Gjithnjë e më shumë qytetarë kërkojnë të zënë sheshin, në rastin më të parë kërkesa e tyre do zbatohet
Kryetari i PD, Sali Berisha deklaroi në një konferencë për shtyp se, protesta kombëtare e 10 shkurtit mund të përshkallëzohet, nëse qytetarët e kërkojnë një gjë të tillë. Ai theksoi se gjithnjë e më shumë qytetarë po kërkojnë që protesta të jetë e pandërprerë dhe të mos lihet sheshi.
Berisha u shpreh se kjo kërkesë është e drejtë dhe do të zbatohet në momentin e parë të mundshëm. Ai akuzoi ashpër institucionet, duke i cilësuar si të degraduara dhe pa përgjegjësi ndaj qytetarëve.
Marsi Korreshi, SYRI TV: Me 10 shkurt do mbani protestën e radhës kombëtare. A do jetë kjo një protestë e pandërprerë, duke cituar dhe atë çfarë keni thënë ju në daljet publike, që qytetarët dhe demokratët kanë kërkuar që të zënë sheshin dhe të mos e lëshojnë më.
Sali Berisha: Gjithnjë e më i madh është numri i qytetarëve që kërkojnë një gjë të tillë. Unë i siguroj ata se kërkesën e tyre e konsideroj shumë të drejtë dhe se ajo në rastin më të parë të mundshëm do të zbatohet.
Pra, ata janë qytetarë të përgjegjshëm, që duan të përballen me këtë shtet të degraduar, të degjeneruar në shkallë ekstreme. Po si mundet një gjykatës Kushtetues të mos ndjenjë përgjegjësinë ligjore. Të mos ndjejë përgjegjësi para qytetarëve, por të bëhet strofulla e fundit e hajdutit të tij.
Vetëm fjala e qytetarëve ka ngelë këtu dhe unë kam bindje se këtë betejë qytetarët do ta fitojnë.
Nuk janë të paktë ata që po shkelmojnë mbi dinjitetin e tyre, ata që si shushunja po u thithin gjakun çdo ditë. Por prap guximi qytetar, ndershmëria dhe morali qytetar është qindra herë më i fuqishëm se ata.
Kështu që e kam deklaruar dhe e deklaroj, tani kemi një objektiv, largimin e këtij armiku të egër të qenies së shqiptarëve.






