Gurë e baltë aty ku Balluku pozonte për suksese

Shembja e gurëve dhe bllokimi i aksit Librazhd–Prrenjas, ku për orë të tëra qindra qytetarë, përfshirë të mitur dhe të moshuar, mbetën të izoluar dhe në rrezik, ka sjellë reagimin e drejtuesit politik të PD për Tiranën, Belind Këlliçi.

Në një deklaratë, Këlliçi akuzon ministren e Infrastrukturës Belinda Balluku për mungesë përgjegjësie dhe transparence, duke theksuar se ajo sot mungon, ndonëse sipas tij ka pozuar dhe është mburrur disa herë me këtë aks rrugor si shembull të “punëve të mëdha” të qeverisë.

Sipas Këlliçit, bllokimi i rrugës nga gurët dhe balta ka vënë në rrezik serioz jetën e udhëtarëve dhe është pasojë direkte e keqmenaxhimit dhe korrupsionit në infrastrukturë, duke shtuar se kostoja e ndërtimit ka shkuar deri në 20 milionë euro për kilometër.

Shkrimi i Këlliçit:

Aty ku sot për orë të tëra janë torturuar qindra qytetarë, të mitur e të moshuar, në aksin Librazhd-Prrenjas, kushedi sa herë Belinda Balluku ka pozuar e ka kryer atë pasarelën me regji të gatshme duke u mburrur për punët e mëdha që po bën qeveria, për cilësinë e sigurinë e tyre. Sot, ajo mungon.

Sot që gurët dhe balta kanë bllokuar qarkullimin dhe kanë vënë në rrezik sigurinë dhe jetën e udhëtarëve, Belinda nuk shfaqet.

Duhet një transparencë e plotë për rastin, por ajo që dihet deri tani është se Belinda Balluku dhe shefi i saj Edi Rama e kanë çuar deri në 20 milionë euro kilomentrin.

Sepse pjesën më të madhe në një km rrugë, e marrin ata vetë.

Ndaj ndodh kjo që ndodh kudo, në gjithë rrugët e vendit. E mbani mend si thoshte Palloshi; rrugët e lënë rrugëve, dhe fajësonte Saliun.

Pse nuk flet sot?!

Del që në mëngjes me një podcast ku dërdëllit pa fund, deliron aty dhe për portretin e tij, e nuk mban asnjë përgjegjësi për pasojat e rënda që sjell keqmenaxhimi dhe korrupsioni në infrastrukturë.

Pas shumë akseve të tjera të shembura, sot edhe Librazhd-Prrenjas kërkon hetim për Ballukun.

Vetëm se Edi Rama nuk e lejon, e mbron, e mban mbi ligjin dhe nuk lejon SPAK të bëjë punën.

Skandali sot është një thirrje më shumë që me 10 shkurt sheshi të oshëtijë e qytetarët t’i tregojnë vendin Palloshit dhe Belindës së tij, e të gjithë atyre që vjedhin e duan të mos hetohen e të mbajnë karrigen me çdo kusht.

Qytetarëve u takon pushteti dhe Bulevardi do ta tregojë këtë me 10 shkurt.

Share it :