Dalin drejtorat e 5D/ Kërkon lirimin nga qelia, Apeli i GJKKO-së rrëzon sërish Ilir Metën
Gjykata e Posaçme e Apelit, ka rrëzuar sërish kërkesën e Ilir Metës, për zbutjen e masës së sigurisë “arrest me burg”.
Meta kishte paraqitur ankimim dhe kërkonte shuarjen e masës së sigurimit të vendosur nga shkalla e parë, por pas vlerësimit të argumenteve të palëve, Apeli ka lënë në fuqi masën e “arrestit në burg”, kështu ish-presidenti do vazhdojë të mbetet në qeli.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtare Saida Dollani, sot më datë 30.01.2026 vendosi:
– Mospranimin e ankimit të paraqitur nga i pandehuri I.M., nëpërmjet mbrojtësit av. Gylsen Zhllima, ndaj disponimit nr. 863/40, datë 05.01.2026 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar. – Ky vendim t’i njoftohet palëve. – Ndaj këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë”,- thuhet në njoftimin e Apelit.
Ilir Meta u arrestua më 21 tetor 2024 në lidhje me hetimet e Prokurorisë së Posaçme, e cila ka bashkuar në një dosje të vetme çështjen CEZ-DIA, lobimin në SHBA të ish-LSI-së, si dhe hetimin pasuror ndaj tij dhe bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhi.
Sipas organit të akuzës, Ilir Meta bashkë me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë.






