Balluku jashte/ Gjyqi i Metes zgjatet pa fund! Cakrani: SPAK gënjen për ÇEZ-DIA dhe lobimin
Seanca e sotme në GJKKO për çështjen ndaj Ilir Metës është shoqëruar me tensione dhe debate mes ish-presidentit dhe prokurorit të çështjes, Sotir Kllapi.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani në një prononcim për mediat, Cakrani akuzoi prokurorin nuk ka qenë i saktë në relatimin e fakteve dhe se kjo ka sjellë irritim gjatë seancës.
“Ka pasur tension mes zotit Meta dhe zotit Kllapi. Prokurori ka qenë i vetëm në seancë. Relatimi i tij ka qenë i pasaktë si në data, ashtu edhe në momente të ndryshme kohe dhe kjo ka sjellë ndërprerje dhe reagime të herëpashershme”, tha avokati Cakrani.
Ai theksoi se një nga problemet kryesore procedurale është mungesa e listës së provave mbi të cilat mbështetet akuza.
“Sot prokurori erdhi pa listën e provave. Nuk ka akuza konkrete për zotin Meta dhe zonjën Kryemadhi. Si mund të paraqitet një prokuror pa sjellë listën e provave ku bazohet akuza?”, u shpreh avokati.
Sipas Cakranit, strategjia e mbrojtjes është kërkesa për pushimin e dy akuzave kryesore: asaj për aferën ÇEZ-DIA dhe akuzës për pastrim parash lidhur me lobimin në SHBA.
“ÇEZ-DIA nuk ekziston dhe edhe vetë prokurorët nuk janë të bindur për këtë çështje. Dy akuzat e tjera lidhen me lobimin dhe me pastrimin e produkteve të veprës penale, si dhe me deklarimin e rremë ose mosdeklarimin e pasurisë”, tha ai.
Ndërkohë për akuzën e deklarimit të rremë dhe fshehjes së pasurisë, Cakrani deklaroi se përgjegjësinë e ka marrë Monika Kryemadhi.
“Zonja Kryemadhi ka deklaruar që të gjitha veprimet dhe shpenzimet i ka kryer ajo. Ky fakt nuk mund të mohohet. Por për akuzat e tjera, përfshirë pastrimin e produkteve të veprës penale dhe ÇEZ-DIA, ne mendojmë se çështja do të pushohet”, u shpreh avokati.




