Vokshi nga Strasburgu: Eksodi i të rinjve po zbraz Shqipërinë! Po gërryhen themelet e demokracisë

Vokshi nga Strasburgu: Eksodi i të rinjve po zbraz Shqipërinë! Po gërryhen themelet e demokracisë
Deputetja demokrate, Albana Vokshi, deklaroi se Shqipëria po përjeton një nga krizat më të rënda demografike dhe politike, duke theksuar se largimi masiv i të rinjve është një krizë e thellë e demokracisë.

Nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Europës në Strasburg, Vokshi u shpreh se mbi 1.1 milion shqiptarë janë larguar në dekadën e fundit, kryesisht të rinj, ndërsa mungesa e shpresës, përjashtimi politik dhe rrjetet e patronazhit po i detyrojnë ata të braktisin vendin.

“Sot, Shqipëria po përballet me eksod të rinisë. Sipas Eurostat-it, vetëm në dekadën e fundit, 1.1 milion shqiptarë janë larguar drejt vendeve të Bashkimit Europian. 78% e azilkërkuesve shqiptarë janë nën moshën 34 vjeç. 80% e studentëve, 59% e maturantëve dhe 95% e atyre që studiojnë jashtë Shqipërisë deklarojnë se duan të largohen dhe të mos kthehen më. Shqipëria ka humbur 40% të popullsisë së saj përmes emigracionit dhe një e katërta e qytetarëve me arsim të lartë janë larguar nga vendi. Kjo nuk është një krizë ekonomike, kjo është një krizë e demokracisë,” deklaroi Vokshi.

Ajo e cilësoi situatën si thellësisht shqetësuese, duke theksuar se vendimmarrja politike po dominohet nga brezat që nuk përfaqësojnë të ardhmen. Sipas saj, arsyet kryesore të largimit të të rinjve lidhen me mungesën e shpresës dhe përjashtimin politik.

“Zgjedhjet në Shqipëri po vendosen gjithnjë e më shumë nga ata që mbeten, jo nga ata që do të jetojnë në të ardhmen. Në zgjedhjet e fundit, mbi 42% e votuesve ishin pensionistë.Të rinjtë largohen sepse ndihen të papërfaqësuar, sepse administrata publike është e kapur nga rrjete patronazhi dhe jo nga merita, sepse nuk përballojnë strehimin, nuk gjejnë punë dinjitoze dhe nuk përballojnë koston e lartë të jetesës,” u shpreh ajo.

Në përfundim, Vokshi paralajmëroi se emigrimi i të rinjve dhe plakja e popullsisë janë një kërcënim i drejtpërdrejtë për stabilitetin e vendit.

Share it :