E dënuar me burg/ Berisha-KLGJ-së për Irena Gjokën: Mandati mbaroi! Shqyrtoni dokumentat zyrtarë dhe relacionin e PP-së
Lideri i opozitës, njëherazi kreu i PD, Sali Berisha i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me një kërkesë zyrtare, përmes së cilës kërkon vendosjen në dispozicion të akteve të dosjes administrative dhe deklarimin e mbarimit të mandatit të gjyqtares Irena Gjoka, anëtare e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Kërkesa lidhet me procesin e verifikimit të integritetit të magjistrates në kuadër të ligjit të dekriminalizimit dhe statusit të gjyqtarëve.
Sipas Berishës, ekzistojnë prova dhe vendime gjyqësore të formës së prerë nga autoritetet greke, si dënim me burg dhe dëbim nga një shtet i huaj, të cilat pretendohet se nuk janë deklaruar në formularin e vetëdeklarimit, në kundërshtim me detyrimet ligjore. Në këtë kontekst, Berisha kërkon që Këshilli i Lartë Gjyqësor të shqyrtojë dokumentacionin shoqërues dhe rezultatet përfundimtare të verifikimit të thelluar të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme.
Ndërkohë, Prokuroria e Përgjithshme ka bërë të ditur se më 19 janar 2026 i ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor relacionin përfundimtar mbi verifikimin e formularit të dekriminalizimit të gjyqtares Irena Gjoka, ndërsa pritet vendimmarrja e KLGJ-së mbi kërkesën për mbarimin e mandatit të saj.
Kërkesa e plotë:
KËRKESË
Dt. 23.01-1026 K-LGJ
Kërkues: Prof. Dr. Sali Berisha, me nr. personal E40701031R, banues ne në adresën: Rruga “Mustafa Matohiti”, ndërtesa nr.36, hyrja 1/036.
OBJEKTI: 1. Kërkesë për Informacion;
2. Depozitim dokumentacioni e Tiranë
Në lidhje me procedurat për kërkesën me objekt “deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistratit, të gjyqtares Irena Gjoka” depozituar në datën 08.05.2025.
3. Deklarimin e mbarimit të mandatit të “magjistratit” për Gjyqtaren Irena Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar
Baza ligjore: 33, 45, 47 të ligjit nr.44/2015 “Кodi i Procedurave Administrative të Republikës së Shqipërisë”, Nenet 6/1 i Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, nenet 28, 64, 66, 162/1 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, ligji nr. 138/2015 dhe Vendimi nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë.
Vendimi i Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut Besnik Cani kundër Shqipërisë (Kërkesa nr. 37474/20).
DREJTUAR: Këshillit të Lartë Gjyqësor
Të Nderuar Anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor
Në datën 04.03.2024 në disa media u bënë publike disa fakte që kishin të bënin me ekzistencën e një vendimi penal dënimi nga autoritetet gjyqësore greke ndaj gjyqtares Irena Gjoka (Maneku) si dhe dy masave ndalimi për të hyrë në një vend të Bashkimit Europian. Po në këtë datë Këshilli i Lartë Gjyqësor ka nxjerrë një deklaratë për shtyp, duke refuzuar verifikimin e vërtetësisë së informacionit. Nga korrespondenca e Prokurorisë së Përgjithshme me Znj.Adriana Kalaja, si përfaqsuese e Partisë Demokratike, rezulton që prej Këshillit të Lartë Gjyqësor është kërkuar verifikimi i thelluar në lidhje me subjektin Irena Gjoka (Maneku) në datën 07.05.2024, ndërkohë që sipas parashikimeve të nenit 8 të ligjit nr. 138/2015, verifikimi i thelluar i formularit të dekriminalizimit duhet të fillohet brenda 5 ditëve.
Në datën 09.05.2025 pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor kam paraqitur kërkesën me objekt “Deklarimin e mbarimit të mandatit të “magjistratit” për Gjyqtaren Irena Gjoka, gjyqtare në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar”.
Kërkesa e paraqitur prej meje vinte në dijeni Këshillin e Lartë Gjyqësor, për ekzistencën shkaqeve kushtetuese sipas nenit 6/1 të Kushtetutës, për deklarimin e mbaruar të mandatit të magjistratit, për gjyqtaren në detyrë Irena Gjoka (Maneku), për shkak të vërtetimit të rrethanave që cënojnë integritetin e funksionarit publik sipas kushteve dhe rregullave të përcaktuara me tre ligje të miratuara me tri të pestat e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, dhe mbështetej në prova shkresore me vlerë të plotë provuese, konkretisht vendimi nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale Shkallës së Parë Janinë në formën e parashikuar në ligj.
Me shkresën nr. 2610/3 datë 14.05.2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor më ka njoftuar se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesë për vendosjen në dispozicion të rezultateve të deritanishme të hetimit të kryer prej saj. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka vijuar me njoftimin nëse është dërguar përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme.
Në vijim, prej nesh është kundërshtuar mosveprimi i Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesën datë 19.05.2025, në të cilën kemi parashtruar se “Këshilli i Lartë Gjyqësor, bazuar në nenet 28 dhe 66 të ligjit nr. 96/2016 është i detyruar të shprehet me vendim brenda 2 javëve në lidhje me mbarimin e mandatit të gjyqtares në detyrë Irena Gjoka (Maneku), pasi njoftimi për shkaqet e mbarimit të mandatit të saj është marrë nga Këshilli në datën 08.05.2025, dhe vendimi nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë është dorëzuar nga kërkuesi në formën e parashikuar në ligj. Nëpërmjet legalizimit “apostille” vërtetohet që është origjinal dhe është lëshuar nga Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë. Nëpërmjet përkthimit të legalizuar vërtetohet përmbajtja e tij nga e cila rezulton që gjyqtarja në detyrë Irena Gjoka (Maneku) është e dënuar me vendim penal për kryerjen e një krimi.”.
Me shkresën nr. Prot 2610/6 datë 27.05.2025 nga ana e Kryetarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, kemi marrë përgjigjen se: “Verifikimi i shkaqeve të pazgjedhshmërisë për një magjistrat kryhet nga Këshilli në përputhje me parashikimet ligjore të Nenit 28 në lidhje me Nenin 6 të ligjit nr. 96/2016 “Рër statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. Po ashtu në këtë njëjtën shkresë Kryetari i Këshillit të Lartë Gjyqësor shprehet se organi kompetent për kryerjen e verifikimeve ligjore jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, pranë organeve të juridiksioneve të juaja, është Prokuroria e Përgjithshme.
Me shkresën datë 16.07.2025, në vijim të korrespondencës me Këshillin e Lartë Gjyqësor, kemi kundërshtuar përgjigjen e dhënë me shkresën nr. Prot 2610/6 datë 27.05.2025, pasi referuar neneve 28 e vijues të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, Këshilli, sipas nenit 32 të ligjit, kryen verifikime në lidhje me shkaqet e pazgjedhshmërisë së kandidatit për magjistrat duke marrë kërkuar dhe marrë informacion nga 2 çdo subjekt fizik apo juridik. Pra zbatimi i nenit 28 të ligjit nr.96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i jep të drejtë Këshillit të Lartë Gjyqësor të kryejë hetime kryesisht, dhe të kërkojë dhe marrë informacion pranë çdo subjekti ku ndodhet informacioni. Referuar nenit 2 të ligjit nr. 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nuk ka përkufizim të termit “autoriteti kompetent”. Në zbatim të nenit 147/1 të Kushtetutës “autoriteti kompetent” i ngarkuar nga Kushtetuta për garantimin përgjegjshmërisë së pushtetit gjyqësor është pikërisht Këshilli i Lartë Gjyqësor.
Në mungesë të njoftimeve dhe vendimmarrjeve të Këshillit të Lartë Gjyqësor si dhe duke qënë se nga njoftimet publike, Kërkuesi ka ardhur në dijeni të shkresës nr. 183/65 extra datë 03.09.2025 të Prokurorisë së Përgjithshme, Drejtoria e Koordinimit Institucional, drejtuar Av. Adriana Kalaja, nga përmbajtja e së cilës rezulton: “Deri aktualisht me shkresën nr. 216/7 prot., datë 15.07.2025 Ministria e Drejtësisë ka përcjellë përgjigjen e autoriteteve gjyqësore greke në lidhje me kërkesën tonë nr. 183/49 prot. Datë 07.05.2025, nëpërmjet së cilës konfirmojnë se vendimi është autentik dhe nuk është ekzekutuar për shkak të aktit të Prokurorit. Bashkëlidhur është dërguar një kopje e njehsuar me origjinalin e këtij vendimi.”, në datën 14.10.2025 Kërkuesi ka paraqitur kërkesë për ndërprerjen e mandatit të gjyqtares Irena Gjoka në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Në datën 14.10.2025, në mbledhjen e Përbashkët të Komisionit Për Çështjet Ligjore dhe Administratën Publike dhe Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, mbi pyetjen e anëtarëve përfaqësues të opozitës në këto Komisione, në lidhje me procesin e verifikimit të formularit të dekriminalizimit të subjektit Irena Gjoka (Maneku, Shpata), për efekt të ligjit nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” dhe Vendimit nr. 17/2016 i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015 Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm, z.Çela dhe nga ana e Z.Beluri me cilësinë e Drejtuesit të Drejtorisë së Koordinimit Institucional në Prokurorinë Përgjithshme, është deklaruar se “procesi i verifikimit të thelluar” në lidhje me formularin dekriminalizimit të subjektit Irena Gjoka (Maneku, Shpata) ka qënë në vijim, kurse z.llir Rusi ka deklaruar se nuk ishte njoftuar nga Prokuroria e Përgjithshme në lidhje me rezultatet e hetimit.
Me shkresën nr. 4038/3 datë 29.10.2025 Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar Kërkuesin, se i është drejtuar Prokurorisë së Përgjithshme me kërkesë për vendosjen në dispozicion të rezultateve të deritanishme të hetimit të kryer prej saj. Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk ka vijuar me njoftimin nëse është dërguar përgjigje nga Prokuroria e Përgjithshme. Në datën 20.01.2026 Prokuroria e Përgjithshme nëpërmjet njoftimit zyrtar ka bërë publik faktin se ka përfunduar procedurën e verifikimit të thelluar të formularit të dekriminalizimit të subjektit 3 Irena Gjoka dhe ne daten 19.01.2026 ka dërguar relacionin përkatës në Këshillin e Lartë Gjyqësor.
Parashtrojmë se Kërkuesi i është drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor me kërkesë me një objekt të përcaktuar duke kërkuar një vendimmarrje konkrete nga organi administrativ, konkretisht deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistratit të gjyqtares Irena Gjoka (Maneku), kërkesë cila është në shqyrtim nga Këshilli, për këtë shkak është palë në procedurën administrative të iniciuar në bazë të kësaj kërkese.
Së pari: Kërkojmë vendosjen në dispozicion të akteve të dosjes administrative. Në vijim të procedurave administrative, Këshilli i Lartë Gjyqësor ka njoftuar Kërkuesin për kërkesat që i janë dërguar nga ky institucion Prokurorisë së Përgjithshme, por nuk ka vënë në dispozicion përgjigjet që janë dërguar nga Prokuroria e Përgjithshme. Gjithashtu nga njoftimet publike rezulton që në datën 19.01.2026
Prokuroria e Përgjithshme ka dërguar në Këshillin e Lartë Gjyqësor rezultatet përfundimtare të verifikimit të thelluar të formularit të dekriminalizimit. Në cilësinë e palës në këtë procedurë administrative, kërkojmë të na vihen në dispozicion përgjigjet e Prokurorisë së Përgjithshme në lidhje me shkresën nr. 2610/3 datë 14.05.2025 Këshillit të Lartë Gjyqësor, shkresën nr. 4038/3 datë 29.10.2025 të Këshillit të Lartë Gjyqësor, dhe dokumentacioni i plotë mbi rezultatet e verifikimit të thelluar të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme datë 19.01.2026.
Së dyti: Paraqesim prova dhe kërkojmë të merren në shqyrtim së bashku me relacionin e Prokurorisë së Përgjithshme për rezultatin përfundimtar të procesit të verifikimit të thelluar. Ligji nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, neni 3, bashkë me Vendimin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë nr. 17/2016 “Për përcaktimin e rregullave të detajuara mbi zbatimin e ndalimeve të parashikuara në ligjin nr. 138/2015” ka përcaktuar detyrimin e subjekteve që ushtrojnë funksionin e gjyqtarit në datën e hyrjes ne fuqi të këtyre akteve të plotësojnë formularin e vetdeklarimit të miratuar prej këtyre akteve, ku duhet të pasqyrojnë çdo dënim penal të dhënë ndaj tyre, si dhe çdo masë dëbimi nga shtete të Bashkimit Europian. Në dispozitat e këtij ligji (neni 15/2) parashikohet se një subjekt i detyruar sipas këtij ligji për të plotësuar formularin e vetdeklarimit, në rast se nuk e plotëson saktë, i ndërpritet mandati, përveç se përbën veprën penale të parashikuar nga neni 190 i Kodit Penal.
Rregullat e plotësimit të formularit të vetdeklarimit janë parashikuar në Vendimin e Kuvendit nr. 17/2016, në të cilin, Kreu III, pika 1, gërma “ç” parashikohet detyrimi i subjekteve që të deklarojnë ç) rastet e ndalimit, arrestimit apo dënimit të personit, me vendim të formës së prerë ose jo, brenda dhe jashtë Shqipërisë; dhe në pikën d) rastet e dëbimit nga një shtet huaj. Në pikën 3, gërma “d” të të njëjtit Kre, parashikohet se: “3. Formulari i vetëdeklarimit përmban detyrimisht një rubrikë ku pasqyrohet se: ç) pasqyrimi i të dhënave të pavërteta, të paplota, dhe të pasakta në të passjell përjashtimin e menjëhershëm dhe në çdo kohë nga kandidimi/zgjedhja/emërimi apo nga funksioni publik. Nga të dhënat të bëra publike rezulton që gjyqtarja Irena Gjoka (Maneku, Shpata) në formularin e vetdeklarimit nuk ka deklaruar, përveç dënimit penal për kryerjen e një krimi, edhe dy masa dëbimi të dhëna ndaj saj respektivisht në datat 24.12.2002 dhe 13.02.2003.
Paraqesim si prova për sa parashtrojmë:
Vërtetimin datë 14.08.2025 i lëshuar nga autoritetet policore të Republikës së Greqisë, nga i cili rezulton i vërtetuar se në datën 24.12.2002 shtetasja Irena Maneku, është kapur në posedim të pasaportës nr. 1068376 në të cilën ka qënë e vendosur një vizë e falsifikuar. Për këtë shkak nga Komisariati i Policisë Kakavijë i është ndaluar hyrja në Greqi, sipas dispozitave në fuqi për të huaj dhe ndaj saj është filluar procedimi penal, bazuar mbi Ekspertizën Laboratorike të Drejtorisë së Hetimeve Kriminalistike. Theksojmë se është e njëjta pasaportë ku është konstatuar viza e falsifikuar për të cilën është dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë, vërtetësia e të cilit tashmë është konfirmuar nga Prokuroria e Përgjithshme, dhe po ky institucion ka vërtetuar se pasaporta me nr. 1068376 është lëshuar nga Drejtoria e Policisë Fier.
Vendimin nr. 320/2016 datë 13.06.2006 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Janinë, i formës së prerë dhe me certifikatën apostille i përkthyer dhe i noterizuar, nga i cili rezulton që subjekti Irena Gjoka (Maneku) ka angazhuar avokat për anullimin e një dëbimi tjetër të dhënë ndaj saj në datën 13.02.2003.
Së treti: Kërkojmë deklarimin e mbarimit të mandatit të magjistratit të gjyqtares Irena Gjoka. Referuar Formularit të Vetdeklarimit të dorëzuar nga magjistratja Irena Gjoka në datë 22.04.2016, i cili gjendet i publikuar në zbatim të ligjit nr.138/2015, rezulton që magjistratja të mos ketë deklaruar Vendimin nr. 1447/2005 i Gjykatës Penale të Shkallës së Parë Janinë me të cilin është dënuar për kryerjen e një krimi, por as ndonjë masë dëbimi të marrë ndaj saj. Nga aktet e sipërcituara provohet që gjyqtarja Irena Gjoka (Maneku) ka qënë në dijeni të masave të dëbimit në kohën që janë dhënë, pasi edhe janë kundërshtuar prej saj gjyqësisht.
Në lidhje me zbatimin e ligjit nr. 138/2015 dhe detyrimet e subjekteve të ngarkuara me vendimin Nr. 00-2024-1612 (242) datë 08.10.2024 I Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë ka arsyetuar se:
“15. Kolegji konstaton se i gjykuari ka qenë një funksionar publik, subjekt i ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, në momentin e përpilimit të formularit të vetëdeklarimit, dalë në zbatim të këtij ligji, plotësimi i të cilit i jep udhë fillimit të një procedure të mëtejshme verifikimi dhe vlerësimi. Ky shtetas ka pasur detyrimin për të deklaruar me vërtetësi të dhënat e kërkuara në këtë formular, i cili nuk rezulton të ketë paqartësi apo të jetë i dykuptimtë. Sipas përcaktimeve të ligjit 138/2015 (që prezumohet i njohur nga të gjithë shtetasit) dhe konkretisht nenit 5, pika 3 të tij, rezulton se deklarimi i rrethanave të rreme ose të 5 të shtrembëruara, përbën vepër penale, sipas nenit 190 të KP. Përveç këtij parashikimi edhe në vetë formularin e vetëdeklarimit, në rubrikën “Marrje dijeni mbi efektet e formularit vetëdeklarimit” (që është para rubrikave që plotësohen prej subjektit deklarues), në pikën “b”, parashikohet se: “Pasqyrimi i të dhënave të rreme në këtë formular përbën vepër penale dhe dënohet, sipas nenit 190 të KP”.
16. Qëllimi i këtij e ligji, ashtu siç parashikohet në nenin 1 të tij, është të garantojë besimin publikut në funksionimin e organeve të zgjedhura shtetërore, institucioneve të pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike, nëpërmjet pengimit të zgjedhjes ose emërimit në to apo largimit nga funksioni publik të personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen të krimeve, sipas këtij ligji. Ndërsa në nenin 2, pika “1″ dhe “6″, të këtij ligji përcaktohen shprehimisht ndalimet ligjore, lidhur me identifikimin apo emërimin në organet e zgjedhura shtetërore, institucionet e pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të personave që janë subjekte të nenit 2 dhe 3 të ligjit, kur janë dënuar me jo më pak se 6 muaj burgim.
17. Në nenin 5/3 të ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike” përcaktohet se: “Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt sipas këtij ligji dhe deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal”. Referuar përmbajtjes së formularit të vetëdeklarimit, i dalë në zbatim të ligjit nr. 138/2015, i miratuar me vendimin nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë, Kolegji vlerëson se subjektet deklarues që përcaktohen në këtë ligj kanë detyrim të pasqyrojnë në formular çdo dënim penal të formës së prerë të dhënë nga një autoritet gjyqësor shqiptar apo i huaj, pavarësisht llojit të veprës penale dhe llojit e masës së dënimit të dhënë. I pandehuri ka pasur detyrimin ligjor që në këtë formular të pasqyronte me vërtetësi të gjitha të dhënat që kërkoheshin, përfshirë këtu edhe faktin e dënimit të tij me një vendim penal të formës së prerë, llojit dhe masës së dënimit. Këto rrethana mandej do të vlerësoheshn nga autoriteti kompetent në raport me ligjin nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, nëse dënimi i dhënë është ose jo kriter ndalimi për t’u zgjedhur në një funksion publik.
18. Në miratimin e ligjit nr. 138/2015, “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, ligjvënësi ka pasur si qëllim detyrimin ligjor të subjekteve të këtij ligji për të deklaruar të dhënat e kërkuara, duke përcaktuar edhe se ku konsiston ky deklarim dhe duke e strukturuar atë në disa kërkesa specifike dhe për një kategori të përcaktuar veprash penale. Në këtë kuptim, të gjitha rregullimet, normimet e bëra në funksion të zbatimit të këtij ligji, të cilat mundësojnë zbatimin e tij, duhen konsideruar dhe interpretuar brenda qëllimit të vetë ligjit, pasi çdo interpretim ndryshe do të sillte denatyrimin të këtij qëllimi/vullneti të ligjvënësit.
19. Detyrimi i caktuar ndaj subjekteve të ligjit, në formularin e vetëdeklarimit, është brenda frymës të vetë ligjit. Të qënit i dënuar me vendim përfundimtar i subjektit të ligjit ose ndaj të cilit janë marrë masa sigurimi apo me vendim jopërfundimtar për kryerjen e 6 krimeve të parashikuara nga vetë ligji nr. 138/2015, përbën shkak ndalues për zgjedhjen ose emërimin e tij në organet të zgjedhura shtetërore, institucionet e pavarura dhe atyre të krijuara me ligj, të administratës publike etj. apo shkak për largimin e tij nga këto funksione publike. Ndërsa, mosdeklarimi, fshehja, deklarimi i pasaktë ose i rremë nga subjekti deklarues, në formularin e vetëdeklarimit, të çdo dënimi të formës së prerë (të dhënë nga autoritetet gjyqësore shqiptare apo të huaja), përbën paraqitje të rrethanave të rreme para organeve shtetërore, në kuptim të ligjit penal.”
Pra, sipas Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, subjekti është i detyruar të deklarojë çdo dënim penal apo dëbim të dhënë ndaj tij, i përket organit të ngarkuar me ligj për verifikimin vërtetësisë së formularit të vetdeklarimit të përcaktojë nëse dënimi apo dëbimi, përbëjnë shkak për mbarimin e mandatit. Përveç kësaj vetë mosdeklarimi i dënimit apo dëbimit përbën vepër penale më vete, fakt që cënon në vijim integritetin e magjistratit sipas nenit 6/1 të Kushtetutës dhe shkak tjetër për mbarimin e mandatit.
Referuar parashikimeve të nenit 15 të ligjit nr. 138/2015, mosdeklarimi i vendimeve të dënimit dhe masave të dëbimit përbën shkak për mbarimin e menjëhershëm të mandatit.
Bazuar në sa më lart, kërkojmë që dokumentacioni bashkëshoqërues të shqyrtohet së bashku me rezultatet e verifikimit të thelluar të kryer nga Prokuroria e Përgjithshme dhe të vendoset mbarimi i mandatit të magjistratit të gjyqtares Irena Gjoka (Maneku, Shpata) për shkak se a) bazuar në nenin 28 të ligjit nr. 96/2016 rezulton e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë b) bazuar në nenet 1, 2, 3, 15 të ligjit nr. 138/2015 dhe vendimit nr. 17/2016 të Kuvendit të Shqipërisë rezulton të ketë refuzuar të deklarojë një dënim penal të dhënë nga një vend anëtar i Bashkimit Europian dhe dy masa dëbimi të dhëna nga një vend anëtar i Bashkimit Europian.
Bashkëngjitur:
Vërtetimin datë 14.08.2025 i lëshuar nga autoritetet policore të Republikës së Greqisë,
Vendimin nr. 320/2016 datë 13.06.2006 të Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Janinë, i formës së prerë dhe me certifikatën apostille i përkthyer dhe i noterizuar.
KËRKUES
Prof. Dr. Sali BERISHA




