Trump e përdori Davosin për të shfaqur fuqinë amerikane dhe për të tronditur rendin global
Nga Hugh Hewitt, FOX NEWS
Kur Presidenti Donald Trump pranoi të fliste në “Forumin Ekonomik Botëror” në Davos, ai e shpëtoi atë mbledhje nga një rënie drejt parëndësisë — të paktën për një vit. Kur presidenti i Shteteve të Bashkuara merr pjesë në një forum, vëmendja kolektive e botës përqendrohet aty.
Publiku amerikan zakonisht e sheh me dyshim këtë grumbullim të ashtuquajturish “të mëdhenj botërorë” — të ardhur nga më të pasurit e botës, shumica prej të cilëve nuk janë nga republika jonë, por flasin për të dhe për mënyrën se si ajo dhe bota duhet të funksionojnë — dhe nuk i pëlqen aspak ajo pamje.
Por Presidenti Trump erdhi me disa nga “Ekipi A” i tij për çështjet ekonomike dhe të sigurisë ndërkombëtare, dhe e bëri Davosin të madh sërish. Njerëzit u interesuan për ta ndjekur.
Dy komente më ranë veçanërisht në sy. Sa i përket dëshirës së presidentit për të përvetësuar Groenlandën, ai e bëri një gjë shumë të qartë: “Nuk do të përdor forcë”. Ky deklarim i thjeshtë qetësoi tregjet në mbarë botën, të cilat kishin imagjinuar një lloj konflikti kinetik brenda NATO-s dhe kishin hyrë në panik të martën. Kjo nuk do të ndodhë, ndonëse presidenti e ka bërë shumë të qartë se do të përdorë të gjitha mjetet që ka në dispozicion. “Mund të thoni po, dhe ne do të jemi shumë mirënjohës,” tha presidenti për Groenlandën. “Mund të thoni jo, dhe ne do ta mbajmë mend,” shtoi ai. Mesazhi u dërgua dhe u mor.
Fjalimi i presidentit ishte një kujtesë për globalistët e mbledhur aty mbi rritjen e fuqishme ekonomike amerikane dhe mbi ekonominë gjigante amerikane që qëndron pas saj. Por kushdo që kishte dëgjuar konferencën për shtyp të presidentit të mërkurën, e kishte dëgjuar tashmë pjesën më të madhe të kësaj përmbledhjeje.
Është mirë që këto pika të theksohen vazhdimisht në çdo forum që viziton presidenti — nga Zvicra deri në Iowa (ku do të shkojë më pas) — sepse perceptimi i votuesve amerikanë për ekonominë do të përcaktojë zgjedhjet e mesmandatit.
Një kujtesë: zgjedhjet e dyta të mesmandatit në katër mandatet e dyta të presidencave republikane — ato të Eisenhowerit në 1958, Nixon/Ford në 1974, Reaganit në 1986 dhe George W. Bushit në 2006 — qenë të vështira për republikanët, duke sjellë, për shembull, humbje neto prej 49, 48, 5 dhe 30 vendesh në Dhomën e Përfaqësuesve. Rrymat e politikës amerikane zakonisht parashikojnë lajme të këqija për partinë në pushtet në atë vit të frikshëm të gjashtë të presidencës.
Prandaj është një lëvizje shumë e zgjuar të përsëriten, dhe të përsëriten, dhe të përsëriten lajmet e mira për ekonominë.
Vetëm kur Presidenti Trump u ul për t’iu përgjigjur pyetjeve, diçka e re u shfaq në ekranet tona.
“Irani ishte bullizuesi i Lindjes së Mesme. Ata nuk janë më bullizuesi,” i tha Presidenti Trump pyetësit të tij në një takim të shkurtër 15-minutësh pas fjalimit. Eurokrati shumë i sjellshëm nuk mendoi të bënte pyetje pasuese për 18 mijë iranianët e vrarë nga regjimi i tyre javën e kaluar apo për dhjetëra mijëra të burgosur në atë teokraci të drejtuar nga fanatikë — një regjim që pret që bota të humbasë interesin para se të shpërndajë ndëshkimet për të kapurit.
Nuk kemi asnjë ide se çfarë do t’i urdhërojë Presidenti Trump ushtrisë amerikane të bëjë në lidhje me Iranin. Të mos i ndëshkosh rëndë për këtë barbarizëm, që ka pak ose aspak paralele në këtë shekull përveç 11 shtatorit dhe 7 tetorit, do të ishte një gabim i tmerrshëm.
Anija USS Abraham Lincoln (CVN-72) dhe grupi i anijeve luftarake rreth saj u urdhëruan javën e kaluar t’i afrohen Iranit dhe pothuajse me siguri do të jenë brenda rrezes së goditjes deri këtë fundjavë, nëse nuk janë tashmë. Pajisje të tjera ushtarake janë dërguar në rajon. Aleatët tanë në Izrael dhe në shtetet e Gjirit kanë pasur njoftim të mjaftueshëm për t’u përgatitur, në rast se Irani do të ishte aq i pamend sa të përgjigjej ndaj një goditjeje ndëshkuese.
Por ndëshkimi duhet të vijë. Të mos bësh asgjë do të thotë të shpërblesh egërsinë e ajatollahëve. “Ajo që shpërblehet, përsëritet” është një nga klishetë më të vjetra — dhe më të vërteta. Nëse Irani mund të masakrojë mijëra nga qytetarët e vet dhe bota vetëm gogësin në përgjigje, ai do ta bëjë këtë sërish, dhe sërish, dhe sërish.
Presidenti Trump ka shumë opsione. Lutemi që të përdorë të paktën njërën prej tyre për të dërguar mesazhin: Mos e bëni më kurrë këtë.




