Fshehu dënimet në Greqi’/ Cakrani: SPAK po zvarrit qëllimisht hetimet për të shpëtuar gjyqtaren Gjoka nga burgu
Avokati Kujtim Cakrani, në një lidhje Skype për edicionin e mesditës në SYRI TV, tha se rasti i gjyqtares Irena Gjoka tashmë nuk lë më asnjë vend për interpretim, pasi faktet dhe vendimet zyrtare dëshmojnë qartë se ajo ka pasur probleme me drejtësinë greke dhe një dënim penal, gjë që prej vitesh është denoncuar publikisht nga një grup avokatësh. Cakrani theksoi se akuzat e atëhershme ndaj tyre, se po mbronin interesa politike apo të huaja, kanë rezultuar të pavërteta, ndërsa koha u ka dhënë plotësisht të drejtë.
Sipas avokatit, Gjoka e ka humbur legjitimitetin si ligjor, ashtu edhe moral për të ushtruar funksionin e gjyqtares, ndërkohë që ai ka paraqitur zyrtarisht kërkesë për përjashtimin e saj nga çështja e ish- presidentit Ilir Meta, duke iu referuar vendimit të autoriteteve greke dhe procedimit penal të regjistruar nga SPAK.
Cakrani shprehu shqetësimin se Prokuroria e Posaçme po zvarrit hetimet, me synimin për të kaluar afatet e parashkrimit, ndërsa theksoi se bëhet fjalë për një vepër penale të vazhdueshme që nuk mund të mbyllet me manovra procedurale.
Në deklaratën e tij, ai ngriti akuza ndaj një pjese të sistemit të drejtësisë dhe analistëve pranë pushtetit, duke pretenduar se po tentohet mbyllja e çështjes pa ndëshkim penal apo administrativ për gjyqtaren, çka sipas tij do të ishte një goditje e rëndë ndaj besimit të publikut te drejtësia dhe një tjetër dëshmi e kapjes politike të institucioneve.
Deklarata e plotë:
“Ne kemi qenë të qartë, mendimin tonë që zonja Gjoka kishte pasur probleme në shtetin grek dhe kishte një dënim penal. Për ne s’kishte asnjë dyshim.
Dyshimet i ngritën gjithmonë ai llumi i të llumit, analistë dhe avokatë nëpër studio, më falni për gjuhën, që na anatemonin se po mbronim, ishim vënë në shërbim të Greqisë, të zotit Beleri, zotit Berisha dhe të tjerëve. Kjo duhet sqaruar njëherë e mirë sot, sepse ne atëherë po mbronim të drejtën, jo partinë, dhe koha na dha të drejtë. Të gjitha ato që thoshim në media, ishin të bazuara në informacione dhe vendime që ne i dispononim.
Padyshim që zonja Gjoka tashmë është një gjyqtare që ka humbur legjitimitetin, ligjor dhe moral. Nuk besoj se ka mbetur më vend për diskutim nëse duhet të vazhdojë të japë vendime apo jo. Unë jam avokat i Presidentit Meta dhe ndaj zonjës Gjoka kam bërë kërkesë për përjashtimin e saj, duke i vendosur dokumentet në dispozicion të gjyqtarit Erjon Bani, duke u bazuar tek vendimi i Gjykatës Greke dhe procedimi penal që ka regjistruar Prokuroria e Posaçme.
Kërkesa për përjashtim lidhet edhe me çështjet e tjera si ato të zotit Berisha, zotit Mediu, zotit Beleri, ku zonja Gjoka ishte caktuar si një “kamikaze” e pushtetit. SPAK ka regjistruar procedimin penal ndaj saj në qershor të vitit 2025, duke i kërkuar autoriteteve greke informacion për vendimin penal dhe dëbimin e saj. Megjithatë, deri tani Prokuroria nuk ka avancuar hetimin, dhe lind dyshimi se po zvarritet për të kaluar afatin pesëvjeçar të parashkrimit.
Por kjo është e pamundur, sepse zonja Gjoka ka pasur një krim vazhdues. Që nga viti 2016 ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit për dekriminalizimin dhe ka kaluar vetingun përfundimtar në KPA në vitin 2022. Pra, afati i parashkrimit nuk ka kaluar, dhe nuk ka arsye ligjore që ajo të mos përgjigjet për veprën e kryer.
Megjithatë, një pjesë e caktuar e Prokurorisë së Posaçme dhe analistë pranë pushtetit po përpiqen që çështja të kalojë në kalendat greke dhe zonja Gjoka të mos marrë ndëshkimin e merituar. Ky është i gjithë qëllimi i tyre sot, dhe është e pamundur që qytetarët shqiptarë të mos kuptojnë këtë lojë të rëndë procedurale dhe moralisht të papranueshme.”




