Gjatë gjithë pranverës, ndërsa kandidatët për deputet bënin fushatë duke kërkuar votën e qytetarëve, Policia Bashkiake u bë gati e padukshme nëpër rrugët e kryeqytetit. Pas zgjedhjeve, pa paralajmërim, gjithçka ndryshoi dhe gjobat nisën të grumbulloheshin menjëherë sa u mbyllën kutitë e votimit.
“Nuk më luajti njeri deri në maj,” thotë Alma, një grua 43-vjeçare, banore e lagjes Kodra e Diellit, e cila ka marrë 5 gjoba për parkim të gabuar dhe duhet të paguajë 7,800 lekë së bashku me kamatëvonesat. “Nga muaji qershor e tutje, qenkam gjobitur sa herë kam parkuar,” shfryu ajo, ndërsa rrinte në radhë në sportelin e postës nr. 8 në Tiranë.
Si shumë qytetarë të Tiranës, Alma dyshon se disiplina e Policisë Bashkiake për të vendosur gjoba në kryeqytet varet shumë nga kalendari politik. Shifrat e siguruara nga BIRN, përmes kërkesave për të drejtën e informimit, tregojnë se vlera e sanksioneve të vendosura në kryeqytet nga ky institucion u përgjysmua në prag të zgjedhjeve.
Sipas ekspertëve, kjo rënie drastike e sanksioneve administrative, e cila nuk kufizohet vetëm te Policia Bashkiake, nuk lidhet lidhet me disiplinimin e qytetarëve, por, me shumë gjasa, me vetëdisiplinimin e institucioneve shtetërore përpara interesave politike.
“Kuptohet qartë se shteti frenon veprimtarinë e vet kontrolluese për të mos krijuar zemërim para votës,” tha Migen Qeraxhi, një nga drejtuesit e Qëndresa Qytetare, organizatë që monitoron zbatimin e ligjit gjatë fushatave zgjedhore.
Padyshim, e gjithë kjo arrihet me koordinimin e një grupi funksionarësh publikë me ata partiakë, për të frenuar strukturat shtetërore në veprimtarinë e tyre të ligjzbatimit,” shtoi ai.
E pyetur nga BIRN mbi rënien e numrit dhe vlerës së sanksioneve me gjobë gjatë vitit 2025, Bashkia e Tiranës i tha BIRN, në një përgjigje me shkrim, se është ndjekur një qasje më e orientuar drejt parandalimit dhe ndërgjegjësimit qytetar.
“Policia Bashkiake nuk e ka si qëllim parësor vetëm ndëshkimin e kundërvajtësve, por edhe edukimin dhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për respektimin e rregullave dhe bashkëjetesën urbane,” tha Bashkia e Tiranës.
“Kjo qasje ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e nivelit të respektimit të rregullave dhe, për rrjedhojë, në uljen e nevojës për vendosjen e masave ndëshkuese,” shtoi ajo.
Zbutja e sanksioneve

Zgjedhjet parlamentare të 11 majit i dhanë Partisë Socialiste të udhëhequr nga kryeministri Edi Rama një mandat të katërt, të paprecedentë, në krye të vendit. Fushata zgjedhore dhe dita e votimit ishin kryesisht të qeta, por procesi u shënjua nga akuza për keqpërdorim të burimeve administrative nga Partia Socialiste.
“Zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025 në Shqipëri u karakterizuan nga përdorimi i gjerë i burimeve administrative nga partia në pushtet, gjë që krijoi një avantazh të padrejtë për pushtetin dhe shkriu kufirin midis shtetit dhe partisë,” shkruhet në raportin e vëzhguesve të OSBE-ODIHR-it.
Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se shfryrja e rolit ndëshkues të inspektoriateve ishte një nga praktikat që mund të ketë influencuar votën. Sanksionet e vendosura nga Policia Bashkiake e Tiranës ofrojnë një shembull ilustrues.
Në 5 muajt e parë të vitit 2024, ky institucion vendosi 219,992 gjoba me një vlerë totale prej 422 milionë lekësh (4.2 milionë euro). Ndërsa për të njëjtën periudhë të vitit 2025, që përkon me muajt përpara zgjedhjeve parlamentare, rezulton se numri i gjobave të vendosura është ulur me 37%, ndërsa vlera e sanksioneve ka rënë me 48%.
“Për periudhën janar-maj 2025, janë konstatuar 139,002 kundërvajtje administrative me vlerë totale 220,9 milionë lekë”, shkruan Bashkia Tiranë.
Rënia e vlerës së sanksioneve është dukshëm më e madhe se rënia e numrit të gjobave, çka tregon edhe ulje të ashpërsisë financiare të ndëshkimeve, jo vetëm të volumit të gjobave.
Eksperti i qarkullimit rrugor Mamir Hodo i tha BIRN se në uljen e sanksioneve mund të ketë ndikuar edhe arrestimi, për akuzat e korrupsionit dhe pastrimit të parave, i kryebashkiakut Erion Veliaj.
“Mendoj se ka ndikuar mosqenia në drejtim e z. Veliaj, çka tregon se ndikohen nga politika e njëshit”, tha ai.
Veliaj i mohon akuzat, për të cilat është shprehur se janë të motivuara politikisht. Megjithatë, nuk është vetëm Policia Bashkiake që i ka ulur sanksionet gjatë kësaj periudhe. Edhe Policia e Rrugore ka vendosur 10% më pak gjoba ndaj vozitësve në periudhën e fushatës zgjedhore.
Nëse në periudhën janar-maj 2024 numri i masave administrative është 482,083 dhe vlera e tyre afërsisht 1.6 miliardë lekë, në të njëjtën periudhë të 2025-ës janë 443,906 masa administrative me vlerë 1.4 miliardë lekë.






