Irena Gjoka rezulton e dënuar në Greqi/ BIRN: Verifikimi zgjati rreth 20 muaj

Irena Gjoka rezulton e dënuar në Greqi/ BIRN: Verifikimi zgjati rreth 20 muaj

Pas një hetimi administrativ që zgjati rreth 20 muaj, Prokuroria e Përgjithshme deklaroi se ka përfunduar verifikimin e thelluar për pastërtinë e figurës së gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, GJKKO, Irena Gjoka, por rezultatin e verifikimit e mbajti të fshehtë. Verifikimi nisi pas akuzave se Gjoka ishte dënuar në Greqi.

Prokuroria bëri me dije se sektori i Dekriminalizimit ia ka dërguar zyrtarisht më datë 19 janar 2026 rezultatet e këtij verifikimi pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGj, i cili duhet të interpretojë rezultatet e gjetjeve.

Pas kryerjes së të gjitha verifikimeve të mundshme brenda dhe jashtë vendit, më datë 19.01.2026, Prokuroria e Përgjithshme ka vendosur miratimin e rezultateve të verifikimit, vendim të cilin po këtë datë ja ka përcjellë Këshillit të Lartë Gjyqësor si organ përgjegjës për verifikimin e kushteve të ndalimit”, thuhet në njoftimin për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme.

Një burim në Prokurorinë e Përgjithshme i tha BIRN në kushte të anonimatit se verifikimi kishte gjetur së vendimi ndaj Gjokës nga drejtësia greke ishte autentik. Tashmë, KLGj do të duhet të shqyrtojë nëse gjetjet e Prokurorisë përbëjnë kusht ndalimi për ushtrimin e funksionit publik, bazuar në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”.

Akuzat ndaj Gjokës u bënë publike pasi ajo firmosi masat e sigurisë ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha në lidhje me dosjen “Partizani”. Berisha dhe mbështetësit e tij e kanë akuzuar vazhdimisht Gjokën, duke pretenduar se ajo është në konflikt interesi dhe se ka fshehur të kaluarën e saj, përfshi dënimin në Greqi. KLGJ e cila shqyrton ankesat kërkoi verifikim të rastit nga Prokuroria e Përgjithshme.

Akuzat publike sugjeronin se ajo ishte dëbuar nga Greqia për përdorim të dokumenteve të falsifikuara ose shkelje të rregullave të qëndrimit, një fakt që pretendohet se nuk është pasqyruar në formularin e dekriminalizimit nga gjyqtarja.

Gjyqtarja Gjoka e ka kaluar më herët procesin e vetingut, pasi KPK nuk gjeti probleme që do të çonin në shkarkimin e saj. Komisioneri Publik fillimisht e ankoi vendimin në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, por gjatë procesit në KPA ish-komisionerja Publike Irena Nino u tërhoq nga ankimi duke bërë që vendimi i konfirmimit në detyrë të mbetej në fuqi./BIRN

Share it :