QSUT PA DRITA/ ‘U kalua vija e kuqe…’/ Mjeku: Në reanimacion sekondat vrasin… Dështoi detyra bazë e shtetit, për këtë të japin llogari
Mjeku psikiatër Neli Demi ka reaguar ashpër përmes një postimi në rrjetet sociale lidhur me ndërprerjen e energjisë elektrike në Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mbrëmjen e së hënës, duke e cilësuar situatën si ‘krim institucional’ dhe jo si një defekt teknik i rastësishëm.
Sipas tij, fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime të tjera kritike kanë mbetur pa energji elektrike përbën një vijë të kuqe të kaluar dhe një dështim të rëndë të shtetit në detyrën e tij themelore për të mbrojtur jetën e qytetarëve. Ai thekson se në asnjë vend normal reanimacioni, terapia intensive dhe sallat e operacionit nuk mbeten pa energji, as për sekonda dhe as për minuta.
Demi ngre shqetësime serioze mbi funksionimin real të sistemeve rezervë, duke deklaruar se nxjerrja e pacientëve në korridore tregon se sistemet UPS dhe gjeneratorët ose nuk ekzistojnë, ose janë jashtë funksioni, ose nuk janë testuar kurrë, ose drejtuesit nuk kanë besim te to. Sipas tij, secili prej këtyre skenarëve përbën një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.
Ai kundërshton çdo përpjekje për ta justifikuar situatën me argumente teknike, duke theksuar se në mjekësi ‘pak minuta’ mund të jenë fatale dhe se në reanimacion, edhe sekondat vrasin. Nëse nuk ka pasur viktima, Demi shprehet se kjo nuk është meritë e sistemit, por thjesht fat.
Reagimi i plotë në FB:
Fakti që reanimacioni, urgjenca dhe shërbime jetike në Qendra Spitalore Universitare Nënë Tereza kanë mbetur pa energji elektrike është krim institucional, jo “defekt teknik”.
Kjo është vijë e kuqe e kaluar.
Në asnjë vend normal:
• reanimacioni
• terapia intensive
• sallat e operacionit
NUK MBETEN PA ENERGJI. KURRË.
As për sekonda. As për minuta. As “rastësisht”.
Nëse pacientët janë nxjerrë në korridore, kjo do të thotë se:
• sistemet rezervë nuk ekzistojnë realisht,
• ose janë jashtë funksioni,
• ose nuk janë testuar kurrë,
• ose drejtuesit nuk kanë besim te to.
Secila prej këtyre do ishte një dështim kriminal në menaxhimin e shërbimeve jetike.
Mos na flisni për:
• linja 110 kV,
• OSHEE,
• avari të papritura,
• “ishte për pak minuta”.
Në mjekësi “pak minuta” vrasin.
Në reanimacion sekondat vrasin.
Nëse sot nuk ka viktima, kjo nuk është sukses i sistemit, por fat i verbër.
Dhe një shtet që mbështetet te fati për të mbrojtur jetën e qytetarëve nuk është shtet, është rrezik publik.
Ky nuk është problem teknik.
Ky është problem përgjegjësie penale, administrative dhe morale.
Duhet
• hetim i pavarur dhe publik,
• auditim urgjent i sistemeve UPS dhe gjeneratorëve,
• publikim i menjëhershëm i protokolleve të sigurisë,
• dhe largim i drejtuesve përgjegjës, pa justifikime dhe pa vonesa.
Reanimacioni nuk është shërbim “i rëndësishëm”.
Është kufiri i fundit mes jetës dhe vdekjes.
Kush e ka lënë atë kufi pa energji,
ka dështuar në detyrën më bazike të shtetit: mbrojtjen e jetës njerëzore.
Dhe për këtë duhet dhënë llogari.




