Në mes të hetimeve të SPAK ndaj Agjencisë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit dhe skandalit të tenderëve të dyshuar të manipuluar, një tjetër kontratë me vlerë milionëshe i është dhënë kompanive të lidhura me Durana Tech Park.
Bëhet fjalë për tenderin mbi 3.1 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit qeveritar GOVNET, një nga sistemet më të rëndësishme të komunikimit institucional në vend.
Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) ka shpallur fituesin e procedurës së prokurimit për mirëmbajtjen e infrastrukturës së rrjetit qeveritar GOVNET, me një vlerë 3.1 mln euro pa TVSH.
Siç mëson Skyweb.al pas konsultimit të dokumentationit zyrtar, kontrata i është dhënë shoqërisë INFOSOFT SYSTEMS SHPK, e lidhur drejtpërdrejt me Tirana Tech Park, një tjetër mega skandal krahas atij të AKSHI.
Shpallja e këtij tenderi zhvillohet në një periudhë kur AKSHI ndodhet në qendër të një hetimi penal nga SPAK, pas zbërthimit të një skeme të dyshuar të fryrjes së kostove dhe paracaktimit të fituesve në disa procedura prokurimi.

Nga ky hetim janë shpallur në kërkim Ermal Beqiri dhe Ergys Agasi, ndërsa është arrestuar ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karcanaj.
Sipas të dhënave të regjistruara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kompania Infosoft Systems SHPK ka qenë historikisht në pronësi të Grigor Jotit, ndërsa gjatë vitit 2025 struktura e aksioneve ka ndryshuar dhe përmes disa operacioneve të çuditshme, ka kaluar në kontrollin e Armand Shares dhe Bledar Dhimës, të njohur ndryshe edhe si “çunat” e Jotit.
\
Aktualisht, Armand Shara zotëron aksione direkte në kompani, ndërsa pjesa tjetër kontrollohet përmes shoqërisë Tagg Engineering, duke e vendosur kontrollin faktik të Infosoft Systems SHPK te Shara dhe Dhima.
Të dhënat e prokurimeve publike tregojnë se Armand Shara rezulton përfitues i një vlere të konsiderueshme fondesh publike, kryesisht nga tenderët e AKSHI-t, përmes një rrjeti kompanish ku përfshihen Tag Engineering, ikubINFO, ikubINFO International, Infosoft Business Solutions dhe iNEXT, në disa raste në ortakëri edhe me Bledar Dhimën.

Siç konstaton Skyweb.al, në listën e subjekteve të regjistruara në Durana Tech Park rezulton edhe kompania iNEXT shpk e regjistruar pikërisht nga Armand Shara dhe Bledar Dhima.
Durana Tech Park është përfshirë në hetimet e SPAK si një strukturë që dyshohet se është përdorur për skema shmangieje tatimore, të planifikuara të hynin në funksion nga janari 2026, por që janë ndërprerë pas nisjes së hetimeve penale.

Në këtë mënyrë, tenderi prej mbi 3.1 milionë euro për mirëmbajtjen e rrjetit qeveritar GOVNET përfundon te një kompani që rezulton e lidhur me subjekte dhe individë që janë pjesë e hetimeve aktive të SPAK mbi skandalin e tenderëve të AKSHI-t dhe Durana Tech Park.
Skyweb.al raportoi më herët ekskluzivisht se SPAK ka nisur një hetim edhe për Durana Tech Park./skyweb.al/




