Pas Ramës, edhe kryetari komunist i Vietnamit, To Lam, pranon ftesën e Trump për “Bordin e Paqes”

Pas Ramës, edhe kryetari komunist i Vietnamit, To Lam, pranon ftesën e Trump për “Bordin e Paqes”

Nga Boldnews.al

Pas kryeministrit shqiptar, Edi Rama, edhe kryetari i Partisë Komuniste të Vietnamit, To Lam, ka pranuar ftesën e presidentit amerikan, Donald Trump, për të qenë pjesëmarrës në “Bordin e Paqes”.

Lajmi është konfirmuar nga një deklaratë zyrtare e Ministrisë së Jashtme të vendit jug-aziatik, citon agjencia ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press”.

Të shtunën e javës së kaluar, kryeministri Rama reagoi i ekzaltuar në rrjete sociale, kur njoftoi se ishte ftuar personalisht nga kreu i Shtëpisë së Bardhë për të qenë pjesëmarrës në një organizëm të ri ndërkombëtar, që synon të diskutojë dhe të vendosë lidhur me zonat e konfliktit në vende të ndryshme të botës.

Nga mënyra se si e shpërndau Rama këtë lajm, tentoi të krijoi idenë se vendi ynë tashmë ka një peshë të rëndësishme në politikën globale, falë edhe lidershipit të kryeministrit socialist.

Rama e kishte shumë të nevojshëm këtë operacion propagandistik, pasi, prej marrjes së detyrës së Trump, në janar 2025, kreu i qeverisë shqiptare nuk ka pasur asnjë takim, qoftë edhe periferik, me zyrtarë të lartë të administratës amerikane.

Përkundrazi, ai dhe qeveria e tij janë gjetur nën breshërinë e mesazheve nga e dërguara e Uashingtonit në Tiranë, Nancy VanHorn, për nevojën e rritjes së luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Ndaj, një ftesë me firmën e Donald Trump, u hodh në tregun mediatik e publik shqiptar, si një mbështetje e presidentit amerikan ndaj kryeministrit shqiptar.

Megjithatë, vetëm pak orë pas postimit me nota ekzaltuese të Ramës, situate u qartësua shumë shpejt. Një ftesë e ngjashme u është dërguar kryeministrave dhe drejtuesve të më shumë se 100 vendeve të botës, për të marrë pjesë në atë që opinionistë të ndryshëm ndërkombëtarë e konsiderojnë si një projekt që do të rivalizojë Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB).

Siç raportojnë mediat e huaja, një ftesë të ngjashme me atë të Ramës kanë marrë edhe Greqia, Qipro, Jordania, Australi, India, Pakistani, Vietnami, Turqia, Kanadaja, Hungaria, Paraguaji dhe Argjentina.

Gjithësesi, zyrtarë të administratës Trump kanë lënë të kuptohet se lista e plotë e vendeve të ftuara mund të bëhet publike gjatë Forumit Ekonomik të Davosit, parashikuar të zhvillohet më vonë gjatë shkurtit të këtij viti.

Sidoqoftë edhe kaq mjafton që udhëheqësi i Madh demokratik i Shqipërisë të shkoj krah për krah me udhëheqësin e Madh komunist Vietnamez. Në fund të fundit vetëm kontinentet janë të ndryshme rrenjët komuniste dhe autokracitë janë të njëjta.

Share it :