Rama sfidon SHBA-në, ul Ballukun krah VanHorn! Kryeministri: Akuzat për korrupsion janë bërë modë. Për ne interesohet dhe Kina
Kryeministri Edi Rama pas bllokimit të arrestimit të Belinda Ballukut ka sfiduar edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pasi i uli zëvendësen e tij të pandehur për abuzime me tenerat krahë të ngarkuarës me punë të SHBA-ve në Tiranë, Rama i dërgoi edhe një mesazh SPAK duke i cilësuar akuzat për korrupsion si fajtor në modë. Kryeministri shqiptar nuk u ndal me kaq, kur në kohën që po prezantonte investimin e kompanisë amerikane, i solli në vëmendje përfaqësuesve amerikan bashkëpunimin e tij me vendet e Lindjes së Mesme dhe interesit të madh të Kinës për Shqipërinë.
Nga SYRI TV
Kryeministri Edi Rama ka sfiduar jo vetëm SPAK që kërkon arrestimin e Belinda Ballukut, por sot për zëvendësen e tij, të akuzuar për abuzime qindra milionë euro ka sfiduar edhe përfaqësuesit e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke vënë në siklet edhe zyrtarët amerikanë, që vazhdimisht kanë shprehur mbështetjen ndaj SPAK për të vënë para përgjegjësisë zyrtarët e korruptuar.
Në prezantimin e projektit të kompanisë amerikane CWP për Park eolik në zonën e Tropojës, qeveria shqiptare në krah të ngarkuarës me punë Nancy VanHorn uli Belinda Ballukun, të cilës me forcën e kartonit, Edi Rama i ka bllokuar heqjen e imunitetit e për rrjedhojë edhe masën e arrestit.
Pas përshëndetjes së ftohtë, kryeministri Edi Rama nuk kurseu as ironinë për akuzat e SPAK korrupsionin, e për këtë sfidoi Shtetet e Bashkuara me shembullin se në këtë rast, projektin e mori një kompani amerikane.
“Fjala korrupsion është si ato këpucët e modës që po nuk e nxorri njeriu nga goja duket sikur nuk është në modë. Në këtë sektor kjo fjalë ka marrë përgjigje të vazhdueshme. Këtë dëshmi mund ta japin fare mirë amerikanët që kemi në sektorin privat’ tha Rama.
Madje përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe influencave amerikane në rajonin e Ballkanit, kryeministri Edi Rama i solli në vëmendje edhe bashkëpunimin e tij me vendet e botës Arabe, apo interesin e Kinës për Shqipërinë.
“Unë nuk besoj se një dekadë më parë do ta imagjinonte ndokush që Shqipëria do të bëhej palë me Emiratet e Bashkuara e Italinë. Po të mos ishe Shqipëria e rëndësishme potencialisht kinezët nuk do i kishin vënë syrin dhe e konsideronin Shqipërinë si pikën e mjaltit në të gjithë Europën”
Përtej kujdesjes së regjisë së propagandës qeveritare për të sjellë pranë Belinda Ballukun dhe zyrtaren amerikane, duket se ftohtësia dhe distancimi amerikan nga korrupsioni në sektorët e infratstrukturës dhe energjetikës ishte evident.




