SPAK dërgon për gjykim kryebashkiakun Benet Beci dhe gjashtë të tjerë
SPAK ka dërguar për gjykim kryetarin e bashkisë së Shkodrës, Benet Beci dhe 6 persona të tjerë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera. Krahas Becit, të pandehur janë Adela Ruko, Edlira Mitrushi, Jonid Kazani, Yllka Nishku, Premtim Dauti, dhe Rudin Gjoni. Adela Ruko është bashkëshortja e Evis Berberit.
Sipas organit të akuzës, bëhet fjalë për tenderin e zhvilluar nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare (KESH) me objekt “Zhvillimi Strategjik i Sektorit Energjitik (Projekt Kërkimor)”, me fond limit rreth 69.5 milionë lekë.
Nga hetimet ka rezultuar se gjatë zhvillimit të kësaj procedure janë kryer veprime të kundërligjshme nga titullari i autoritetit kontraktor, anëtarët e njësisë së prokurimit dhe Komisioni i Vlerësimit të Ofertave (KVO), lidhur me përllogaritjen e fondit limit, hartimin e termave të referencës, përcaktimin e kritereve të tenderit dhe vlerësimin e ofertave.
Ka qenë telefoni i ish kreut të ARRSH, Evis Berberit që i ka “fundosur”, në të cilin u zbuluan edhe shkeljet e zëvendës kryeministres Belinda Balluku, gjithashtu nën akuzë për shkelje të barazisë në tendera.
Sipas SPAK, Benet Beci, në kohën kur ushtronte detyrën e administratorit të KESH, në bashkëpunim me të pandehurit e tjerë, ka paracaktuar dhe krijuar avantazhe të padrejta për shoqërinë fituese “Consulting & Management Albania” sh.p.k., duke shkelur dispozita të ligjit për prokurimin publik dhe aktet nënligjore përkatëse.
“Konkretisht, nga analizimi i provave të siguruara përmes përdorimit të teknikave të posaçme të hetimit, provave materiale të sekuestruara gjatë kontrollit në banesën e personit të marrë si i pandehur në një procedim tjetër, shtetasit Evis Berberi (bashkëshorti i të pandehurës Adela Ruko), si dhe nga kryerja e veprimeve të tjera hetimore në kuadër të këtij hetimi, ka rezultuar se:
I pandehuri Benet Beci, në detyrën e Administratorit të Korporatës Elektroenergjitike Shqiptare sh.a., në cilësinë e titullarit të autoritetit kontraktor, në bashkëpunim me anëtarët e njësisë së prokurimit, të pandehurit Jonid Kazani, Edlira Mitrushi, Yllka Nishku, si dhe me anëtarët e komisionit të vlerësimit të ofertave, të pandehurit Adela Ruko, Rudin Gjoni, Premtim Dauti, kanë paracaktuar dhe krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për shoqërinë fituese të kësaj procedure prokurimi, “Consulting & Management Albania” sh.p.k.”, njofton SPAK.
Kujtojmë që Beci është thirrur disa herë në Prokurorinë e Posaçme. Herën e fundit që ishte prezent, më 19 dhjetor, qëndroi për rreth dy orë brenda ambienteve, por kyçi gojën për gazetarët.






