Pse Edi Rama e mbron Flaurens Shoshin: zinxhiri i aferës 20 milionë euro në Porto Romano
Pas pesë ditësh ndërprerje totale të furnizimit me ujë në qytetin e Vlorës, reagimi i kryeministrit Edi Rama u shoqërua me një detaj që nuk kaloi pa u vënë re. Në deklaratën e tij publike, Rama zgjodhi të falënderonte ekskluzivisht Drejtorin e Përgjithshëm të Ujësjellës-Kanalizimeve, Flaurens Shoshi, duke e paraqitur si figurën kyçe në zgjidhjen e krizës.
Ky qëndrim nuk shihet si i rastësishëm. Në praktikën politike të kryeministrit, daljet publike dhe mesazhet e përzgjedhura shpesh shërbejnë për të sinjalizuar mbështetje apo për të mbuluar interesa konkrete. Edhe në këtë rast, falënderimi ndaj Shoshit lidhet drejtpërdrejt me një dosje të rëndë hetimore: skandali i landfillit “Eco Park” në Porto Romano të Durrësit, me vlerë rreth 20 milionë euro.
Rikthimi në vitin 2019 hedh dritë mbi rolin e Flaurens Shoshit në këtë aferë. Në atë periudhë, ai mbante funksionin e zëvendësdrejtorit të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve, post në të cilin ishte vendosur me porosi politike, pasi ishte transferuar nga Ujësjellësi i Malësisë së Madhe. Me urdhër të Edi Ramës, Shoshi firmosi fondin prej 15 milionë eurosh dhe hapi rrugën për një procedurë pa garë për landfillin e Porto Romanos.
Më 21 tetor 2019, Shoshi shpalli tenderin për mbylljen e venddepozitimit të mbetjeve të ngurta “Eco Park” Durrës, me fond limit rreth 20 milionë euro me TVSH. Procedura u anulua dhe më pas u rishpall më 7 dhjetor 2019, duke u justifikuar si një ndërhyrje emergjente në kushtet e fatkeqësisë natyrore pas tërmetit, në përpjekje për t’i dhënë investimit një petk urgjence.
Për të formalizuar këtë skemë, më 16 dhjetor 2019, kryeministri Edi Rama firmosi vendimin nr. 6, i cili parashikonte që mbetjet inerte të krijuara nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 në qarqet Durrës, Lezhë dhe Tiranë të depozitoheshin në landfillin e Porto Romanos, nën administrimin e Bashkisë Durrës.
Vetëm disa ditë më pas, më 27 dhjetor 2019, Flaurens Shoshi zhvilloi procedurën me negocim të drejtpërdrejtë, pa konkurrencë, duke lidhur kontratën me kompanitë “Demare SRL” dhe “Viktoria Invest International”.
Vlera e kontratës arriti rreth 20 milionë euro me TVSH, ose 99.99 për qind e fondit limit. Në të njëjtën periudhë, Edi Rama largoi nga detyra ish-drejtorin Alqi Bllako.
Në shkurt të vitit 2020, SPAK nisi zyrtarisht hetimet për aferën e “Eco Park”-ut në Porto Romano. Dosja përfshinte prova për falsifikim dokumentesh, zhvillim procedure pa garë, rritje artificiale të fondit limit dhe të vlerës së kontratës, si dhe përdorimin e tërmetit të 26 nëntorit si justifikim për realizimin e projektit.
3 / 3
PrevNext
Hetimet zbuluan se skema ishte ndërtuar dhe drejtuar nga Edi Rama në bashkëpunim me Klodian Zoton. Për të garantuar zbatimin e saj dhe për të shpërblyer bashkëpunimin, Flaurens Shoshi u emërua anëtar bordi në nëntë ujësjellësa në mbarë vendin, duke krijuar një rrjet përfitimesh dhe mbrojtjeje institucionale.
Në cilësinë e tij si zëvendësdrejtor i Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve dhe Infrastrukturës së Mbetjeve, Shoshi konsiderohej si firmëtari i besuar, i gatshëm për të nënshkruar dokumentacionin dhe për t’i orientuar tenderët drejt kompanive të paracaktuara “Demare SRL” dhe “Viktoria Invest International”.
Në maj 2025, BKH dhe SPAK përfunduan hetimet duke identifikuar Flaurens Shoshin si përgjegjësin kryesor për aferën 20 milionë euro të landfillit të Porto Romanos. Sipas informacionit hetimor, ai pritet të merret zyrtarisht i pandehur gjatë muajit janar 2026.
Pavarësisht kësaj, në qershor 2025, kryeministri Rama e emëroi Shoshin drejtor të Agjencisë Kombëtare të Ujësjellës-Kanalizimeve. Më 5 janar 2026, ai e avancoi më tej, duke e vendosur në krye të Ujësjellës-Kanalizimeve të Tiranës, një lëvizje që interpretohet si sinjal i qartë mbrojtjeje politike përballë një arrestimi të mundshëm.
Modeli i ndjekur në këtë rast është i njohur: ashtu si në Vlorë, ku Rama e paraqiti Shoshin si protagonist të zgjidhjes së krizës së ujit, edhe në raste të tjera kryeministri ka falënderuar publikisht dhe ka emëruar në poste të reja vartës të tij që ndodheshin nën hetim nga SPAK, pak para përballjes me drejtësinë.
Syri net






