‘S’jep dorëheqjen por intimidon’! Avokati i Ballukut kërkon 3 javë kohë! SPAK ka urgjencë: 3 – 5 ditë
Mbledhja e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve vijon prej orës 10:30 minuta. Debati ende sa i takon procedurave.
Po kërkohet të arrihet një kompromis sa i takon kohës së shtyrjes së mbledhjes së ardhshme.
Numri 2 i qeverisë, Belinda Balluku nuk ka preferuar të jetë e pranishme në këshillin e mandateve por ka dërguar si përfaqësues avokatin e saj, Ardian Kalia.
Ky i fundit ka kërkuar 3 javë kohë për tu njohur me dosjen mësojnë burimet për redaksinë syri.net.
Një kërkesë që ka gjetur dakordësi edhe nga deputetët e Partisë Socialiste të cilët propozojnë 19 janarin si datë për mbledhjen tjetër.
Vetë kreu i SPAK, Klodian Braho i pranishëm në këtë mbledhje nuk vendosi një afat për se sa kohë i duhet vënë në dispozicion avokatit të përgatitet.
Ndërsa Prençi tha se ‘afati mund të jetë 3-5 ditë’ mëson Syri.net. Po ashtu edhe prokurorja tjetër ka rënë dakord me këtë afat. Pas kësaj avokati është tërhequr duke i thënë se është në diskreticionin e tyre koha që mund të vihet në dispozicion.
Ndërsa deputeti demokrat Gent Strazimiri pyeti prokurorin e çështjes, Dritan Prençi, në cilësinë e prokurorit të çështjes:
“Duke patur parasysh që e pandehura nuk bashkëpunon sepse nuk jep dorëheqjen madje intimidon dëshmitarët, që qeveria e mbron publikisht a keni ju personalisht një urgjencë, një afat të arsyeshëm brenda të cilit edhe avokati të njihet me provat, edhe hetimi të mos zvarritet?”
Socialistët kanë kërkuar 20 minuta pushim për të vendosur për datën.
Deputetët e opozitës vijojnë të këmbëngulin për marrjen e provave të cilat ndodhen në USB të cilat edhe pse 3 prokurorët e SPAK kanë rënë dakord për ti vënë në dispozicion të deputetëve provat është Balla që këmbëngul për jo.
Në kërkesën drejtuar Kuvendit për heqjen e imunitetit për zv. kryeministren Belinda Balluku, Prokuroria e Posaçme arsyeton se ndryshimi i masës së sigurisë po bëhet për të mbrojtur provat dhe dëshmitarët. Prokuroria thotë se Balluku, ende e lirë dhe në detyrë, e ka përdorur funksionon për të kërcënuar një prej vartëseve të saj, njëkohësisht dëshmitare.
“Gjithashtu, në vijim të hetimit, nga përdorimi i metodave speciale, kanë rezultuar të dhëna se nga ana e të pandehurës Belinda Balluku, gjatë kohës që ajo është njohur me akuzën nga organi procedues dhe ushtronte detyrën si zëvendëskryeministër i Republikës së Shqipërisë dhe Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, ka ushtruar presion në forma të ndryshme, ndaj personit të pyetur në këtë procedim, konkretisht shtetases M.K. (vartëse e saj)”, thuhet në relacionin që BIRN e ka.






