Balluku prish festën e PS, prapaskenat e darkës që anuloi Rama
Ervin Demo kishte marrë përsipër të sajdiste sonte Grupin Parlamentar të Partisë Socialiste në një mbrëmje festive për fundviti.
Në axhendat e të gjithë deputetëve ishte vendosur prej disa ditësh që mbrëmjen e sotme do të ishin në një prej restoranteve panoramikë të Beratit për të trokitur gotat e për të kërcyer. Por planet u shembën mbrëmë me ndërhyrjen e Edi Ramës
Sic mëson Lapsi.al nga një burim brenda grupit të socialistëve, kryeministri ka kërkuar të mos bëhet darka festive për shkak të vendimit që pritet të marrë sot Gjykata Kushtetuese për pezullimin nga detyra të së pandehurës Belinda Balluku.
Në mënyrë kategorike, mëson Lapsi.al, Rama e ka ndaluar këtë aktivitet sepse në të dyja rastet e vendimit të gjykatës, do të lexohej si gëzim i grupit nëse anulon pezullimin apo si gëzim kundër Ballukut nëse e le në fuqi pezullimin.
Pra, festë nuk do të ketë tha Rama, i cili mbase e ka të vështirë të trokasë gotat me të vetët pa pasur pranë krahun e tij të djathtë, të pandehurën Belinda Balluku. Fundja as nuk do t’i japë rast asaj që të mendojë që nuk po e vuajnë gjëmën e përbashkët që ju ka rënë.
Por edhe në rastin që Gjykata Kushtetuese do t’i japë të drejtë Ramës për pretendimin, të shkuarit sonte në festë me grupin parlamentar do të dukej si festë për këtë fitore karshi gjyqësorit.
Kështu që festë nuk do të ketë sonte në Berat e mbasë s’do të ketë fare këtë vit. Sebepi që socialistët të mos mblidhen është Belinda Balluku, zv.kryeministrja që i la një damkë tjetër të zezë pushtetit të tyre të degraduar nga skandalet në seri dhe korrupsioni galopant. ©LAPSI.al






