Trump: Vendet europiane ‘në kalbëzim’, udhëheqës ‘të dobët’! SHBA mund të reduktojë mbështetjen për Ukrainën

Trump: Vendet europiane ‘në kalbëzim’, udhëheqës ‘të dobët’! SHBA mund të reduktojë mbështetjen për Ukrainën

Presidenti amerikan Donald Trump kritikoi liderët europianë duke i quajtur “të dobët” dhe sugjeroi se SHBA mund të reduktojë mbështetjen për Ukrainën.

Në një intervistë të gjerë për Politico, ai tha se vendet europiane “në kalbëzim” kanë dështuar të kontrollojnë migracionin apo të marrin masa vendimtare për t’i dhënë fund luftës së Ukrainës me Rusinë, duke i akuzuar se po e lënë Kievin të luftojë “derisa të rrëzohet”.

Ai argumentoi se Rusia e ka “avantazhin” dhe i bëri thirrje presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky të “luajë topin”, duke lëshuar territore Moskës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, Downing Street hodhi poshtë pretendimin e Trump se Evropa ka dështuar të veprojë, duke përmendur rolin udhëheqës të Londrës në sanksione dhe duke riafirmuar mbështetjen për procesin e paqes të udhëhequr nga SHBA.

Trump tha se ndarjet ideologjike po rrezikojnë të thyejnë aleancat e Uashingtonit.

I pyetur nëse udhëheqës që ai i sheh si të dobët mund të konsiderohen ende aleatë, ai u përgjigj: “Varet”, duke shtuar: “Mendoj se janë të dobët, por gjithashtu mendoj se duan të jenë politikisht korrektë. Besoj se nuk dinë çfarë të bëjnë.”

Komentet e tij vijnë një ditë pasi liderët europianë u mblodhën në Londër për të diskutuar përpjekjet e tyre të përbashkëta për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Rusinë.

Bisedimet ishin përpjekja më e fundit e aleatëve europianë të Ukrainës për të gjetur një rol në procesin e udhëhequr nga SHBA për t’i dhënë fund luftës, përpjekje që ata kanë frikë se mund të dëmtojë interesat afatgjata të kontinentit në favor të një zgjidhjeje të shpejtë.

pyetur nëse Evropa mund të ndihmojë në përfundimin e luftës së Rusisë kundër Ukrainës, presidenti amerikan tha: “Flasin, por nuk kanë rezultat. Dhe lufta vazhdon pafund.”

Ukraina po përgatitet t’i paraqesë Shtëpisë së Bardhë një plan të rishikuar paqeje, duke kërkuar alternativa ndaj çdo marrëveshjeje që kërkon lëshime territoriale.

Zelensky, i cili ka përsëritur se nuk do të dorëzojë territor, po u kërkon liderëve europianë dhe atyre të NATO-s të ndihmojnë në parandalimin e çdo marrëveshjeje amerikane që, sipas Kievit, do ta linte vendin të cenueshëm ndaj sulmeve të ardhshme.

Kritika e fundit publike e presidentit amerikan ndaj Europës vjen teksa ai kërkon të rrisë presionin mbi Zelenskyn dhe aleatët e Kievit për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Deklaratat e presidentit erdhën gjithashtu pasi administrata e tij publikoi Strategjinë e re të Sigurisë Kombëtare, një dokument prej 33 faqesh që vinte në pikëpyetje nëse disa vende mund të mbeten aleatë të besueshëm.

Rusia e përshëndeti këtë strategji – e cila nuk e paraqiste Rusinë si kërcënim për SHBA-të – si “shumë të përafërt” me vizionin e Moskës.

Dokumenti ndiqte të njëjtën linjë me retorikën e fjalimit të Trump në OKB më herët gjatë vitit, ku ai kishte kritika të ashpra për Europën Perëndimore dhe qasjen e saj ndaj migracionit dhe energjisë së pastër. /BBC/

Share it :