Paqja Fiskale/ Berisha: Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro u bën karteleve të dr@gës
Kryetari i PD, Sali Berisha, në një konferencë për media akuzoi kryeministrin Edi Rama se me “Paqen Fiskale” po hap rrugën për amnistinë e parave të lidhura me drogën dhe krimin.
Ai kujtoi se SHBA, BE dhe partnerë të tjerë e kishin kundërshtuar këtë iniciativë dy vite më parë, ndërsa tani është votuar në parim në parlament. Berisha theksoi se ligji përbën mbështetjen më të madhe për kartelet shqiptare dhe ato të Amerikës Latine, ndërsa PD ka paraqitur amendamente që nuk janë marrë në konsideratë.
“Edi Rama, zëdhënës kryesor në Europë i karteleve të drogës në Shqipëri dhe Amerikën Latine, me të ashtuquajturën Paqe Fiskale, ka sanksionuar amnistinë për paratë e drogës, krimit, jo vetëm të karteleve të fuqishme shqiptare të kokainës dhe kanabisit, por edhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
Një ligj, të cilin qeveria e SHBA, BE, por edhe vendet e tjera partnere, e kundërshtuan në mënyrën më të prerë para dy vitesh, Edi Rama e ka votuar në parim në parlament.
Ky akt është mbështetja publike më e fuqishme që Ramaduro, shefi i narkoshtetit të parë dhe të vetëm në Europë, u bën karteleve shqiptare të drogës dhe ortakëve të tyre në Amerikën Latine.
PD, deputetët e saj, në komisionet përkatëse, kanë mbajtur qëndrime të prera kundër kësaj përpjekje.
Kanë bërë amendamente shumë të qarta, por nuk janë marrë parasysh asnjëra prej tyre nga mazhoranca.
Për PD-në, grupin e saj parlamentar, ligji është një mundësi ligjore për pastrimin e parave nga klanet e drogës dhe krimit.
Për evazionin e mëtejshëm fiskal.
Për shmangien e bizneseve nga detyrimet fiskale të ardhshme kundrejt shtetit.
Për favore ndaj sektorëve ku risku i pastrimit të parave është shumë i madh dhe që po ndodh aktualisht. Ndërtimi në Shqipëri është lavatriçja e parave të drogës, më e madhja në Europë.
Kjo mos t’u duket çudi sepse treguesi i ndërtimit në Shqipëri është tre herë më i madh se në BE.
Në këtë ligj ka mungesë të plotë të transparencës për opinioni publik dhe komunitetin e ndershëm të biznesit.
FMN ka paralajmëruar më parë qeverinë shqiptare për rreziqet e mëdha të kësaj amnistie.
Banka Botërore gjithashtu”, u shpreh Berisha.




