Frikë para portës/ Rama zhbllokoi Tiranën për Lalin, por bllokon qeverinë për Belën

Mes njerëzve të afërt të Edi Ramës që po bëhen kurban në dosjet e korrupsionit, Erion Veliaj dhe Belinda Balluku janë dy ndër figurat më të larta politike që janë cënuar nga Gjykata kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit. I pari,kryebashkiaku i Tiranës, u arrestua në zyrë më 10 shkurt të këtij viti. Prej dhjetë muajsh qëndron në paraburgim dhe pret të përballet me prokurorët e SPAK, që i kanë ngarkuar 13 akuza. E dyta, zv.kryeministrja dhe ministrja e energjisë, nuk është në pranga, por ka një pasaportë të sekuestruar, një pezullim nga detyra dhe një hetim që zgjerohet çdo ditë. Duke bërë një krahasim për mënyrën se si reagoi Edi Rama për njërin dhe për tjetrën, Lapsi.al ka vënë re një dallim themelor, që vë në dyshim shqetësimin e Ramës për parimin e ndarjes së pushteteve dhe tregon se arsyet e fushatës së tij për Ballukun janë thjesht për vetëmbrojtje personale.

Refuzimi i Ramës për të krijuar krizën “Veliaj”

Pas arrestimit të Veliajt në zyrë, reagimi i parë i Ramës ishte emocional. Ai u shfaq i inatosur në një shpërthim nervash live në rrjetet sociale, teksa godiste tryezën e punës në transmetimet e mëngjesit. Më vonë, kryeministri e konsideroi hetimin e Veliajt “jashtë shinave kushtetuese” dhe ndalimin që iu bë kryebashkiakut në zyrë “në shkelje të standardeve demokratike”. Në një nga frazat e tij më të cituara, Rama vuri në dukje se “gjykatësi i hoqi kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranës duke e lënë pa drejtim një kryqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë”. Pra, retorika ishte e ashpër, dramatike, e mbushur me pakënaqësi për drejtësinë e re.

Por ndryshe nga sa propagandonte në rrjetet sociale, aktet e Ramës shkuan në drejtim të kundërt. Sapo Veliaj u izolua në qeli, kryeministri nisi të çmontojë çdo tentativë të kryebashkiakut për një kryqëzatë kundër SPAK-ut si përgjigje për arrestimin e tij.

Rama mblodhi rrogëtarët e bashkisë në sheshin Skëndërbej, për t’ua bërë të qartë se lëvizja “Veliaj” kishte marrë fund dhe se “skuadrën e bashkisë” do ta drejtonte vetë. Protestat para SPAK mbylleshin aty për aty. Mesazhi ishte i qartë dhe i thjeshtë: “Kemi ende ca punë për të bërë, kemi projekte për të realizuar, kemi beteja për të fituar sepse ndërkohë qyteti bëhet më i madh, bëhet më kërkues, bëhet më i paduruar”. Që nga ai moment, punonjësit e bashkisë morën frymë të lehtësuar dhe u kthyen në zyrat e tyre.

Më pas, erdhën spastrimet e kupolës së bashkisë. Këtu ndodhi një ndërhyrje e vrazhdë e Ramës në bashki, një veprim që tregon se shqetësimi i tij sot për ndarjen e pushteteve është një hipokrizi. Pasi Rama largoi nga detyra njerëzit e Veliajt në bashki, ai refuzoi emërimin e Sara Goxhajt si nënkryetare, megjithëse emërimi i saj ishte firmosur nga Erion Veliaj, nga qelia e paraburgimit në Durrës. Pasi ia kishte uzurpuar postin në bashki, Rama urdhëroi që shkresa e firmosur nga Veliaj të bëhej e pavlefshme. Të nesërmen Veliaj kërkoi falje dhe bashkia kaloi në menaxhimin e qeverisë.

Në të njëjtën kohë, u përfol edhe për një plan që Veliaj kishte përgatitur, në rast se do arrestohej: braktisjen e punëve të bashkisë, lënien e plehrave në rrugë dhe bllokimin e shërbimeve të bashkisë derisa gjendja të bëhej e padurueshme për qytetarët dhe presioni ndaj SPAK të rritej. Nën zë u tha se pikërisht për të shmangur këtë skenar shantazhi përmes plehrave dhe kaosit, Rama vendosi të ndërhyjë vetë në administratën lokale dhe të marrë në dorë bashkinë e Tiranës, pa e vrarë shumë mendjen për parimin e ndarjes së pushteteve.

Disa muaj më pas, në shtator, u njoftua zëvendësimi i Veliajt në Asamblenë e PS, me një justifikim shumë të thjeshtë: “Tirana ka punë të mëdha dhe të panumërta për ditë e për natë”. Brenda dy javësh, Këshilli Bashkiak e shkarkoi kryebashkiakun, dhe me miratimin e kryeministrit dhe të presidentit, u shpallën zgjedhjet e parakohshme në Tiranë, të cilat më pas u ndalën nga Gjykata Kushtetuese.

Por ajo që mbetet është fakti se, Rama nxitoi të mos e mbajë peng qytetin për llogari të një njeriu që kishte probleme me korrupsionin dhe pasurinë. Ai vendosi ta “presë kokën” e Veliajt nga bashkia për të mos shmangur bllokimin e punëve.

Përpjekjet e Ramës për të krijuar krizën “Balluku” në qeveri

rama balluku kushtetuese

Në rastin “Balluku”, logjika politike e Ramës përmbyset krejtësisht. Në avokaturën që i bën Belinda Ballukut, kali i betejës nuk është më drejtësia foshnjarake që bën “gabime”, por “parimi i ndarjes së pushteteve” dhe rreziku i një “precedenti unik dhe kërcënues”.

Kryeministri e banalizon vendimin e gjykatës, nuk shfaq asnjë shqetësim real për korrupsionin në qeverinë e tij, por flet gjatë për “një prokuror dhe një gjykatës që kanë vendosur të pezullojnë një ministër, cenim i drejtpërdrejtë i pavarësisë dhe funksionimit të ekzekutivit, duke marrë kompetencat e një kryeministri, të presidentit dhe të parlamentit”.

rama veliaj keshill

Ndryshe nga qëndrimi për Veliajn, ku Rama mori vendime të qarta për të mos krijuar një krizë në rrugët e Tiranës me protesta apo me bllokimin e shërbimeve, në rastin e Belinda Ballukut gjuha e kundërshtimit zyrtar u shoqërua me akte të vetëdijshme kundër vendimit të GJKKO. Këshilli i Ministrave ankimoi në Gjykatën Kushtetuese vendimin e gjykatësit Erion Çela dhe Rama refuzoi zëvendësimin e Ballukut në kabinet deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese. Nga ai moment, ai pranon se ministria e energjisë nuk funksionon më, si pjesë e një strategjie presioni ndaj gjykatës.

Pasojat konkrete të mungesës së Belinda Ballukut në detyrë, Rama i përshkruan me një ton dramatik. Kryeministri numëron publikisht kostot, duke thënë se “aktualisht, ka edhe 36 akte të tjera të Ministrisë… ku vetëm akte për rindërtimin janë 18, të cilat mbeten të pezulluara bashkë me ministrin”. Për t’i dhënë më shumë peshë argumentit, ai solli një marrëveshje të mbetur pezull me Kanadanë, duke paralajmëruar se pezullimi “vendos një pikëpyetje të madhe mbi fillimin e fluturimeve në qershor 2026”.

Rama ka pranuar se nuk do ta zëvëndësojë Ballukun, në mënyrë që dëmi institucional të përdoret si argument në gjykatë. Këtë të dielë, e përforcoi idenë e tij me shembullin e dydrejtorëve të ARRSH dhe drejtorin e KESH. Të dy në arrest shtëpie për aferën korruptive të tunelit të Llogarasë, çka sipas Ramës ka sjellë si pasojë “që lihet pa kokë edhe dy institucione të tjera kyçe për vendin”. Ai e mbylli argumentin me arsyetimin se ky boshllëk nuk mund të plotësohet, sepse “ligji nuk ia jep askujt tjetër, përveç autoritetit ekskluziv të ministrit, të drejtën e këtyre emërtesave”. Me fjalë të tjera, kryeministri refuzon t’i japë zgjidhje një bllokade të qëllimshme të funksionimit normal të shtetit, derisa Gjykata Kushtetuese të flasë.

Arsyet, pse Rama po luan gjithçka për Belinda Ballukun

Strategjia e Ramës për të mbrojtur Belinda Ballukun nëpërmjet një krize institucionale dhe moslejimi i kësaj krize për Erion Veliajn nuk është rastësi. Shpjegimi është në pozicionin e Ramës në secilën prej dosjeve.

Në dosjen e akuzës për Erion Veliajn, Rama nuk ka asnjë lidhje. Ajo është një dosje që ka në qendër pasurinë e Erion Veliajt, shpenzimet marramendëse të bashkëshortes së tij për veshje dhe marrëdhëniet e kompanive të saj me disa ndërtues. Jo më kot, Rama u mjaftua me disa deklarata publike, që u harruan pas disa javësh, dhe bëri atë që pritej nga një lider politik: e zëvendësoi Veliajn disa muaj pas arrestimit.

Në dosjen Balluku, situata është krejt tjetër. Ekzistojnë foto publike që provojnë se, në intervalin mes tenderit të parë për tunelin e Llogarasë dhe tenderit të dytë me 50 milion euro më tepër, Rama dhe Balluku udhëtuan drejt Ankarasë për t’u takuar me turqit që do të shpalleshin fitues.

Duke qenë vartëse e kryeministrit, Balluku ka pasur një rol dytësor në marrëveshjen që çoi shkeljen e barazisë së tenderave dhe, si e tillë, ajo rrezikon të implikojë Ramën në procesin gjyqësor. Për më tepër, vendimi për pezullimin e Ballukut nga detyra është një rrezik për një vendim të ngjashëm nesër drejtpërdrejt për kryeministrin në detyrë. Prandaj ky i fundit ka nxituar të krijojë një krizë qeveritare si presion ndaj Gjykatës Kushtetuese.

Dallimi në sjelljet e Edi Ramës, në rastin e Erion Veliaj dhe në rastin e Belinda Ballukut, tregon se arsyeja e vërtetë e krizës qeveritare nuk është “parimi i ndarjes së pushteteve”, por garancia që i duhet Ramës se SPAK dhe GJKKO do të vazhdojnë të respektojnë paktin e krijimit të tyre, se paprekshmëria me drejtësinë e re, ka një emër, quhet Edi Rama./Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news