Shehu: Rama projekt tinzar, po shkatërron spitalin e Përmetit për qendra refugjatësh!
Deputetit i PD, Tritan Shehu shpreh shqetësimin e tij të fortë për atë që e cilëson si një manovër të fshehtë të Qeverisë për të transformuar spitalin e Përmetit dhe vetë zonën e Përmetit në një qendër pritjeje për emigrantë.
Shehu ngrit pyetje të drejtpërdrejta mbi arsyet pse po shtyhet përpara një projektvendim që, sipas tij, synon hapjen e qendrave të reja për ardhje nga Siria, Gaza dhe Libani, në një kohë kur spitali i qytetit prej vitesh ka nevojë për rikonstruksion, pajisje dhe funksionalizim të plotë në shërbim të qytetarëve.
Reagimi
Pse Qeveria transformon spitalin e Përmetit dhe Përmetin vetë në qendër për emigrantët?
Pse duhet ky projektvendim tinzar që kërkon të hapë qendra të reja për emigrantët nga Siria, Gaza e Libani, në Qarkun e Gjirokastrës?
Në vend që Spitali i Përmetit të reabilitohet, të bëhet funksional, qoftë edhe i përdorur për qëllime të përcaktuara mjekuese a reabilitative, ky institucion lihet në mëshirë të fatit…
Kërkohet të shkatërrohet tërësisht, për t’u kthyer në një qendër pritjeje emigrantësh…
Dhe absurditeti nuk ka fund, thuhet një pjesë e tij, pra gjysmë “spital” e gjysmë refugjatë!!
Në vend që në Memaliaj të investohet për përmirësimin e jetës së ish-minatorëve, qytetarëve, të rinjve…Projektohet nga Qeveria një investim për një tjetër qendër refugjatësh!
Dhe kjo ndodh kur fluksi i refugjatëve që kalojnë në Shqipëri është ulur ndjeshëm.
Thuhet për refugjatë nga Siria, kur Siria ka hyrë në rrugën e stabilitetit, pra të uljes së numrit të atyre që largohen andej.
Përmendet Libani, në të cilin rivendosja e ligjit po afron me çarmatimin e Hezbollah dhe çmontimin e rolit të kësaj organizate terroriste.
Ndërsa Gaza aktualisht nuk përbën ndonjë burim emigracioni, aq më shumë nesër me implementimin e plotë të planit Trump.
Këtej del një pyetje e rëndësishme:
Çfarë fshihet pas këtyre mjegullnajave që Rama e Qeveria po përhapin?
Tingëllojnë si një përgatitje ogurzezë, tip Gebels, për mënxyrat e reja që po hartohen në kurriz të shqiptarëve e Shqipërisë nga kjo Rilindje. E cila është gati të shesë gjithçka, të sakrifikojë çfarë ka më të rëndësishme ky komb për pak pushtet e fitime.




