Korrupsioni në BE arrin nivelet më të larta drejtuese: Peshku qelbet nga koka
Nga Philipp Gut, DIE WELTWOCHE
Federica Mogherini, ish-diplomatja kryesore e BE-së, ka dhënë dorëheqjen nga posti i saj si rektore e Kolegjit të Evropës pas skandalit më të fundit të korrupsionit që ka tronditur BE-në. Kolegji i Evropës është institucioni ku formohen kuadrot e diplomatëve dhe zyrtarëve të Bashkimit Evropian.
Prokuroria Evropiane po heton Mogherinin dhe ish-zyrtarë të tjerë të lartë të BE-së, përfshirë Stefano Sanninon, i cili ka mbajtur disa pozicione të nivelit të lartë, ndër to edhe atë të sekretarit të përgjithshëm të Shërbimit të Jashtëm të BE-së. Edhe në Zvicër, Sannino nuk është i panjohur: ai ishte kryenegociatori i BE-së për Marrëveshjen Kornizë 1.0.
Prokuroria po heton Mogherinin dhe Sanninon për mashtrim të dyshuar në dhënien e kontratave publike, korrupsion, konflikt interesi si dhe shkelje të sekretit profesional.
Kolegji i Evropës, i drejtuar nga Mogherini, dyshohet se është favorizuar nga Shërbimi i Jashtëm i BE-së në dhënien e programeve të trajnimit. Për këtë arsye, si Mogherini ashtu edhe bashkatdhetari i saj italian, Sannino, janë ndaluar. Të dy janë tashmë zyrtarisht të pandehur, njofton Prokuroria Evropiane.
Skandali më i fundit i korrupsionit prek ish-majat drejtueset më të larta të BE-së. Mogherini ishte Përfaqësuese e Lartë e BE-së për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë, drejtonte Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm dhe ishte zëvendëspresidente e Komisionit Evropian.
Shefja e saj e atëhershme, presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, është nga ana e saj e përfshirë në skandalin ende të pazbardhur të quajtur Pfizer-Gate.
Ajo refuzon deri më sot të bëjë publike mesazhet SMS me drejtorin e Pfizer-it, Albert Bourla, lidhur me një porosi për vaksina mRNA në vlerë prej 35 miliardë eurosh.
Gjykata Evropiane e Auditimit dhe institucione të tjera zbulojnë herë pas here raste korrupsioni në BE. Tani, korrupsioni i dyshuar – për të cilin vlen parimi i prezumimit të pafajësisë për të përfshirët – ka prekur edhe majat drejtuese të BE-së.
Siç thotë edhe populli: “Peshku qelbet nga koka”.






