Rama e favorizoi me kontrata 21 milionë euro, si përfundoi projekti i Mogherinit në duart e kompanisë “Fusha”

Rama e favorizoi me kontrata 21 milionë euro, si përfundoi projekti i Mogherinit në duart e kompanisë “Fusha”

Lajmi i ndalimit të Federica Mogherinit nga policia belge bëri bujë të madhe në fillim të kësaj jave në të gjithë Evropën. Zonja Mogherini, që ishte rektore e Kolegjit të Evropës në Bruges, u shoqërua në polici së bashku me një anëtar të stafit të kolegjit dhe një tjetër zyrtar të Komisionit Evropian, lidhur me një hetim për manipulimin e një tenderi. Autoritetet hetimore evropiane dyshojnë se gjatë periudhës 2021–2022, Kolegji i Evropës ka përfituar përmes favorizimit një kontratë me vlerë 3.2 milionë euro nga Shërbimi Diplomatik i BE-së për një trajnim 9-mujor të diplomatëve të rinj.

Kolegji i Evropës është një institut prestigjioz për studime evropiane me seli kryesore në Bruges të Belgjikës. Të diplomuarit nga vende të ndryshme të Evropës mund të ndjekin aty studime pasuniversitare dhe të përgatiten në fushën e bashkëpunimit dhe integrimit evropian. Ndërkohë, një degë e këtij kolegji është hapur edhe në Tiranë, më shumë se një vit më parë. Kolegji i Evropës në Tiranë është vërtet një degë e atij të Bruges-it, ashtu siç është edhe ai i Natolinit në Varshavë, por mësimi në këtë universitet është me pagesë, madje jo të vogël, por 27 mijë euro në vit. Ndërkohë, qeveria shqiptare mbështet studentët me pesë bursa dhe për vitin akademik 2025–2026 janë përzgjedhur për të studiuar 41 studentë, nga të cilët vetëm 10 janë nga rajoni i Ballkanit Perëndimor dhe pjesa tjetër nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian. Pra, në Tiranë, në Kolegjin e Evropës, do të kenë akses ata që përzgjidhen nga kjo strukturë, ata që kanë mundësi të paguajnë dhe ata që mbështeten me bursë nga qeveria. Por përse është kjo e padrejtë për qytetarët shqiptarë dhe taksat e tyre?

Qeveria shqiptare, pas firmosjes më 6 tetor 2023 të Memorandumit të Mirëkuptimit mes Kolegjit, Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë së Tiranës, i propozoi në muajin mars Kuvendit të Shqipërisë të ratifikojë Marrëveshjen për Themelimin e Kolegjit të Evropës për hapjen e një dege në Tiranë. Por përpara se kjo marrëveshje të miratohej nga Kuvendi, Këshilli i Ministrave miratoi një vendim që autorizonte Fondin Shqiptar të Zhvillimit si autoritet kontraktor për të realizuar projektin “Kolegji i Evropës”. Më pas, marrëveshja është ratifikuar nga Kuvendi në datën 18 prill 2024; një muaj më pas, e që të jetë në fuqi tërësisht duhet që të dekretohet nga Presidenti, por askush nuk ka pritur kohën e nevojshme për miratimin e saj dhe Këshilli i Ministrave ka miratuar një vendim që ka efekte financiare pa bazë ligjore.

Por shkeljet dhe favorizimet nuk përfundojnë këtu. Edhe pse një universitet privat, marrëveshja i jep terren trajtimi preferencial fiskal këtij kampusi, duke e përjashtuar nga çdo lloj detyrimi tatimor e doganor. Madje jo vetëm kolegjin, por edhe furnitorët e kolegjit.

Pas miratimit të kësaj marrëveshjeje haptas favorizuese, Këshilli i Ministrave mori një tjetër vendim. Këtë herë për t’i kaluar në pronësi Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe më pas kolegjit tokën pranë Qytetit Studenti për të ndërtuar kampusin. Në total u vendosën në dispozicion 4 mijë metra katrorë truall nga pasuritë publike të Shqipërisë për Kolegjin e Evropës.

Madje edhe fondet për ndërtimin e godinës do të jepen nga taksat e shqiptarëve. Në total, ndërtimi dhe arredimi i infrastrukturës së këtij kampusi do t’i kushtojë taksapaguesve tanë 21 milionë euro. Këto para kanë kaluar menjëherë në buxhetin e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, i cili më datën 21 gusht 2024 ka hapur garën për të përzgjedhur kompaninë që do të kryejë punimet. Fituese në këtë tender është përzgjedhur kompania “Fusha” me “Ed Konstruksion”, me një ofertë prej 15.2 milionë euro, 1.7 milionë euro më të ulët se fondi limit, por 840 mijë euro më e lartë se e një operatori tjetër që ka marrë pjesë në këtë garë. Godina do të përbëhet nga 3 ndërtesa: ajo publike me 5 kate, ajo universitare me 7 kate dhe godina e delegatëve me 5 kate. Në mes të tyre do të ngrihet një auditor në formën e kupolës dhe do të ketë një parkim nëntokësor me 415 vende. Të gjitha këto do të financohen nga taksat e shqiptarëve, duke qenë se kryeministri Edi Rama ka vendosur t’ia bëjë si dhuratë mikes së tij Federica Mogherinit.

Ndërkohë, ditën e enjte, e gjendur në situatë jo të favorshme për shkak të hetimeve të nisura nga Zyra e Prokurorisë Evropiane, Federica Mogherini dha dorëheqjen për t’u hetuar në gjendje të lirë si qytetare e thjeshtë dhe jo të interferojë në drejtësi duke mbajtur postin e rektores së Kolegjit të Evropës. Një standard që kryeministri ynë nuk e ka pranuar në rastin e zëvendëses së tij, Belinda Balluku./Piranjat/

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news