E paprecedente/ Pas raportit Xhafaj shantazhon KLSH-në: Do t’u vijmë për kontroll
Në fjalën e tij, deputeti Fatmir Xhafaj kërcenoi publikisht Kontrollin e Lartë të Shtetit, pasi kreu i saj rendi një sëre shkeljesh e abuzimesh nga mazhoranca socialiste. Pas raportimit Xhafaj kërcënoi se mazhoranca do të nisë punën për kontrollin e kontrollorit, një shantazh i hapur ndaj një institucioni të pavarur public.
Kreu i KLSH paraqiti një panoramë të detajuar të punës së Kontrollit të Lartë të Shtetit, duke u bazuar në raportin vjetor të këtij institucioni. Nga njëra anë, u vlerësua pozitivisht avancimi i KLSH-së në drejtim të auditimeve në sektorë strategjikë dhe me risk të lartë, si prokurimet publike, investimet infrastrukturore dhe menaxhimi i pasurisë shtetërore. Ky fokus tregon një përpjekje për të adresuar fushat ku keqpërdorimi i fondeve publike mund të jetë më i madh.
Megjithatë, ky progres u vu në hije nga një problem thelbësor: niveli i ulët i zbatimit të rekomandimeve. Fakti që vetëm rreth 60% e subjekteve të audituara marrin masa korrigjuese tregon një mungesë serioze të llogaridhënies në administratën publike, duke e bërë punën e KLSH-së pjesërisht të paefektshme. Për këtë arsye, u theksua domosdoshmëria e përkufizimit të qartë të ‘dëmit efektiv financiar’ për të standartizuar vlerësimet dhe për të rritur ndikimin e auditimeve
Gjithashtu, kritika iu drejtua edhe vetë performancës së brendshme të institucionit, duke përmendur vonesat në procesin e raportimit dhe çështjet e menaxhimit të stafit që prekin profesionalizmin dhe efikasitetin. Kjo analizë nxjerr në pah nevojën urgjente jo vetëm për forcimin e rolit të KLSH-së, por edhe për një mbikëqyrje më të fortë parlamentare që të garantojë se vetë ‘kontrollori’ funksionon sipas standardeve më të larta.
Fatmir Xhafaj: Është kjo mazhorancë e kësaj qeverie që i ka dhënë këtij institucioni, punonjësve të tij, gjithë mbështetjen e nevojshme të kryejë detyrën me përgjegjësi, llogaridhënie dhe profesionalizëm.
Raporti i prezantuar tregon një realitet kompleks, një institucion që ka avancuar në disa drejtime pozitivisht, por që ende ka rrugëtim për të përmbushur potencialin e vet të plotë kushtetues.
Gjatë diskutimeve të zhvilluara për raportin vjetor të KLSH-së në mbledhjen e përbashkët me komisionin e ekonomisë, u vlerësua rritja e auditimeve në sektor me risk të lartë fiskal, prokurimet publike, investimet infrastrukturore, shërbimet publike dhe menaxhimi i pasurisë shtetërore, si dhe zgjerimi i auditimeve të performancës me qëllimin e vlerësimit të ndikimit të shpenzimeve publike në cilësinë e shërbimit ndaj qytetarëve.
Ashtu siç mbetet një tjetër shqetësim i raportuar, ai që lidhet me përcaktimin e kritereve mbi vjetërsinë, lëvizjet në detyrë, shpërndarjen e ngarkesës së punës e të tjera të tilla, që cënojnë profesionalizmin, motivimin dhe qëndrueshmërinë në punë të stafit të institucionit.
Gjithashtu në gjykimin tim, mbetet prioritet çështjet e integritetit dhe etikës së punonjësve, dhe veçanërisht të audituesve në ushtrimin e detyrës, si dhe për më shumë efikasitet, transparencë dhe profesionalizëm në rolin kontrollues të KLSH-së.
Sot, u abuzua këtu me shembullin e një punonjësi të KLSH-së, gjë që nuk është fare e vërtetë.
Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk auditon personat, as funksionet, por institucionet.
Dhe kjo është parimore.
Kuvendi ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë kushtetuese dhe ligjore për mbikëqyrjen e këtij institucioni.
Ngritja e nënkomisionit për auditimin e sektorit publik brenda Komisionit të Ekonomisë do të jetë një mekanizëm i domosdoshëm për të rritur llogaridhënien e KLSH-së dhe për t’iu përgjigjur pozitivisht pyetjes themelore të çdo sistemi kontrolli: kush kontrollon kontrollorin?






