SMS në Signal/ Si e kontrolloi tenderin 189 milion euro Belinda Balluku

 

Nëse kemi parë deri tani që dosjet e nxehta të SPAK-ut mbështeteshin kryesisht në dyshime, rrethana kompromentuese apo lexime të ftohta dokumentesh, çështja e tunelit të Llogarasësjell në tavolinë prova të dorës së parë. Përgjimet që lidhen me zv.kryeministren Belinda Balluku janë të drejtpërdrejta: mesazhe që e vendosin atë në rolin e një zyrtareje protagoniste, e cila kontrollon, udhëzon, orienton dhe miraton çdo hap të një tenderi publik me vlerë të deklaruar 189 milionë euro.

Ky dimension u bë i mundur nga një telefon “BlackBerry”, në pronësi të ish-drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, Evis Berberi, për vite njeriu më i afërt i Ballukut në zbatimin e projekteve rrugore. Besimi, duket, ka qenë i njëanshëm. Në pajisjen e sekuestruar nga prokurorët më 26 shtator 2024 u gjet një arkiv i plotë bisedash të periudhës së tenderimit; mbi të gjitha, hetuesit konstatuan se, nga mosbesimi ndaj ish-shefes, Berberi kishte transferuar si foto një pjesë të komunikimeve në telefonin e bashkëshortes, duke ruajtur kështu një kopje “rezervë” që sot e vendos znj. Balluku në bankën e të pandehurve.

Në vijim, komunikimet dëshmojnë takime dhe koordinime me përfaqësuesit e kompanive turke që, sipas hetimit, ishin të paracaktuara për të fituar garën. Më 20 gusht, Evis Berberi shkruan me Arta Gurabardhin (punonjëse e MIE): “Visi hajde t’i takojmë bashkë se kështu tha shefja”, për të mos marrë mbi vete, e vetme, një takim që e vë administratën në konflikt të pastër interesi.

Verifikimi në TIMS e përforcon këtë linjë: inxhinieri turk Ayhan Altun, përfaqësues i “Intekar Yapi”, ka hyrë në Shqipëri më 18 gusht dhe ka dalë më 21 gusht, pikërisht gjatë periudhës së takimeve.

Gjatë së njëjtës periudhë, në telefonin e Berberit gjendet edhe një mesazh në anglisht, i dërguar nga Belinda Balluku. Ky mesazh vlen për të treguar se veç drejtorit të ARRSH, në komunikimin direkt me turqit ishte edhe vetë Belinda Balluku, së cilës i janë shpjeguar edhe “referencat” politike të kompanive: “Ne kemi krijuar një bashkim shoqërish (joint venture) duke marrë me vete shoqërinë ASL INS.TAAH.VE SAN.TIC.LTD.STI. me ne. Kjo është një shoqëri që ka ndërtuar një tunel autostrade 2×14 km në Turqi, dhe është gjithashtu një shoqëri që Presidenti e njeh, e vlerëson dhe e përdor si referencë”.

Ndërkohë në Tiranë, Balluku vijon të shtyjë përpara takimet operative: “Fole me Artën? Turqi gjëkundi… Nesër në 11 takim. Dhe aktivizojmë atë që takuam të premten”, i shkruan ajo Berberit, duke e shtyrë që të lëvizë me shpejtësi me inxhinierët e kompanisë së parapëlqyer.

Tenderi që u dhuroi turqve dhjetëra miliona euro

Në shtator 2021, gara hyn në fazën e mbylljes. Edhe këtu, ministrja kontrollon ritmin dhe shifrat që u propozuan nga të gjitha kompanitë. Më 7 shtator, Berberi i dërgon fotografitë nga dokumentat e tenderit; Balluku pyet: “Po ofertat?”. Berberi liston: “Kinezi 185.754.927 milion euro, Limak 18.690.597.185, Albania Glob Affaire 18 miliardë, Inter 17 miliardë, Albbuilding 15.848.808.298.”

Reagimi i Ballukut është i menjëhershëm: “Qenkemi shkelqyer me pak fjalë.” Pak çaste më pas, Berberi thekson: “I pari me të dytin 10 milion euro diferencë super fare përmbledhje”, dhe ministrja vulos: “Sigurisht ka hyrë skandal poshtë, por nuk plotëson kushtet sigurisht”.

Vetëm se SPAK, pasi ka parë dokumentat ka dalë në përfundimin se situata nuk ishte “e shkëlqyer”.

Rezulton se konsorciumi turk “Intekar–ASL”, që u shpall fitues i tenderit për tunelin e Llogarasë nuk plotësonte asnjë nga kriteret thelbësore ligjore dhe teknike, pasi nuk kishte dorëzuar dokumente që provonte se kapitalet nuk ishin nën përmbarim, nuk kishte përkthime të certifikuara në shqip, nuk kishte dëshmi për ndërtim ure mbi 120 metra, kishte paraqitur certifikata ISO të pavlefshme dhe nuk kishte dokumentuar kontratat e punës për 250 punonjës aktivë, duke e bërë kështu shpalljen e tij fitues një shkelje të hapur të ligjit të prokurimeve publike.

Duke parë përfshirjen e zv.kryeministres Belinda Balluku në çdo hap të procedurave, qëndrimi i prokurorit është i prerë: “Nga aktet e administruara rezulton se operatori ekonomik ‘Intekar–ASL’ është shpallur fitues në kundërshtim me kriteret e përcaktuara në dokumentet standarde të tenderit. Kjo ka ndodhur në sajë të veprimeve të kundërligjshme të shtetases Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave.”

Dhe në pasazhin vijues përcaktohet natyra e akuzës: “Shtetasja Belinda Balluku, në cilësinë e Ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, ka konsumuar elementët e veprës penale ‘Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike’, në bashkëpunim.”

Balluku
Belinda Balluku

Dosja e tunelit të Llogarasë është një ndër të paktat ku përfshirja e një ministreje provohet përmes komunikimeve të drejtpërdrejta, të ruajtura, të datuara dhe të verifikueshme teknikisht. Nuk ka dëshmi apo interpretime, por një zinxhir mesazhesh që e ndjekin vendimmarrjen nga fillimi deri në fund.

Telefoni Blackberry i një vartësi që nuk i besonte më shefes së tij është bërë dëshmia më e rëndë që drejtësia shqiptare ka pasur ndonjëherë në duar ndaj një anëtareje të kabinetit qeveritar në detyrë. Belinda Balluku është marrë e pandehur në gjendje të lirë, ndërsa hetimet thotë SPAK, ende vijojnë./Lapsi.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news