Këlliçi: M@fi@ kontrollon energjinë diellore, Balluku dhe qeveria po rrezikojnë sigurinë energjetike të Europës

Këlliçi: M@fi@ kontrollon energjinë diellore, Balluku dhe qeveria po rrezikojnë sigurinë energjetike të Europës

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, ka lëshuar akuza të forta ndaj qeverisë dhe zv/kryeministres Belinda Balluku, gjatë fjalës së tij në Këshillin e Stabilizim-Asocimit. Ai deklaroi se qeveria ka miratuar licenca fotovoltaike pa kryer një studim të mirëfilltë të rrjetit energjetik dhe pa analizuar kapacitetin e sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes.

Sipas Këlliçit, 90% e licencave për energji diellore, që mbulojnë një kapacitet prej 6500 MWp, zotërohen nga një grup i vogël kompanish të lidhura me persona nën akuzë për përfshirje në organizata mafioze dhe krim të organizuar.

“Licencat prezantohen si sukses nga qeveria, por në fakt janë dhënë në kundërshtim me ligjin, duke shkatërruar tokën bujqësore dhe favorizuar struktura kriminale që janë pronarët realë të këtyre projekteve”, u shpreh Këlliçi.

Deputeti opozitar akuzoi gjithashtu se në sektorin e energjisë janë bërë investime të dyshimta me vlerë mbi 2 miliardë euro, ndërsa rrjeti i transmetimit dhe shpërndarjes mbetet mes më problematikëve në rajon, me humbjet më të larta të energjisë elektrike në Ballkan.

Fjala e plotë

Të nderuar miq Eurodeputetë,

Të nderuar kolegë,

Sot në fjalën time dua të fokusohem në një nga sektorët më të rëndësishëm, atë energjitik, i cili përbën bazën e zhvillimit ekonomik të vendit dhe e gjithë infrastruktura e tij është infrastrukturë kritike, me ndikim të lartë në sigurinë tonë kombëtare.

Shqipëria burimin kryesor të energjisë parësore e siguron nga produktet e naftës, energjia hidrike, energjia elektrike e importuar, përdorimi i druve të zjarrit dhe sasi të tjera shumë të vogla nga burime alternative.

Familjet shqiptare konsumojnë 500 ktoe nga të cilat 125 ktoe sigurohen nga djegia e druve të zjarrit. Thënë qartë familjet shqiptare 25% të energjisë e sigurojnë nga djegia e druve të zjarrit, ç’ka bën që Shqipëria të dështojë në integrimin e energjisë së rinovueshme në sistemin e ngrojes dhe ftohjes. Kjo ka një ndikim shumë të lartë në përmbushjen e Direktivës Vlerësimit dhe Impaktit Mjedisor. Shqipëria ka shfrytëzuar afërsisht 50% të potencialit të saj hidroenergjetik, ndërkohë që ndihma e drejtpërdrejtë shtetërore në zhvillimin e këtij potenciali ka munguar.

Energjia e humbur dhe e pafaturuar (vjedhjet) nga kompania shtetërore që realizon furnizimin është 1.41 TWh ose 121 ktoe. Kjo sasi energjie është sa 23% e energjisë së përdorur në rrjetin e shpërndarjes për një total prej 6.1 TWh.

Sasia e energjisë së tregtuar në treg të lirë nga Bursa Shqipëri/Kosovë e energjisë është 0.371 TWh. Kjo është më pak se 5% e konsumit total të energjisë elektrike në vend, ose është sa furnizimi 15 ditor në vend me energji. Shqipëria nuk përmbush Direktivën (EU) 2019/944 për “Retail Market”, ku konsumatorët që janë nxjerrë në treg të lirë nuk gjejnë dot furnizues dhe furnizohen nga Shërbimi i Mundësisë së Fundit që jepet nga kompania shtetërore e furnizimit të energjisë me çmime të përcaktuara nga Enti Rregullator i Energjisë.

Aktualisht drejtori i Bursës Shqiptare të Energjisë është nën hetim për favorizim të tregtarëve të furnizimit me energji elektrike, deformim të tregut të energjisë elektrike nëpërmjet kontratave të njëanëshme me tregtarë spekulativë dhe çmime zyrtarisht të provuara më të larta se ato që publikon bursa Shqiptare e Energjisë.

Procesi Unbandling në sistemin e shpërndarjes së energjisë nuk është realizuar sipas kërkesave të Komunitetit të Energjisë. Ende nuk është krijuar Operatori i Energjisë së Rinovueshme dhe të tre kompanitë e ndara nga Operatori Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë janë nën kontrollin e kompanisë mëmë OSSHE, pra jemi ende larg direktivave.

Kjo ka sjellë që rregullat e mekanizmit balancues të rëndojnë tek prodhuesit privat të energjisë elektrike nga burimet e rinovueshme dhe në mungesë të adoptimit të Rregullit (EU) 2022/869, të ketë pasiguri në bashkëpunimin e ndërsjellë të balancimit të sistemit të operimit, si bllok kontrolli i pavarur për ngarkesën dhe frekuencën e sistemit.

Keq menaxhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme e mban larg Shqipërinë nga objektivat e 2030 dhe 2050 për të rritur përdorimin e energjisë së rinovueshme dhe për të ulur emetimet e efektit serë. Kjo fakton që tregu i energjisë elektrike nuk është i integruar dhe vijon të operohet në formë të deformuar.

Si pasojë e këtij deformimi sektori i energjisë elektrike ka humbjet më të larta të energjisë në rajonin e Ballkanit dhe investimet me efiçencën më të ulët në rajon.

Nga viti 2015 në sektorin energjitik janë investuar më shumë se 2 miliardë Euro, por vendi ynë vijon të ketë rrjet të transmetimit dhe të shpërndarjes që nuk garanton siguri furnizimi dhe humbje shumë të larta në krahasim me vendet anëtare të ENTSO-e.

Në 99% të rasteve këto investime realizohen me vlerën limit të përcaktuar nga enti prokurues, me një ofertues të vetëm dhe shumë drejtues të korporatave energjitke janë nën hetim, marrë të pandehur ose të dënuar për korrupsion dhe favorizim tenderash. Rasti i fundit është dhe vetë zv. KM Belinda Balluku.

Gjatë vitit 2024-2025 Shqipëria ka patur një blackout total me efekt kaskadë në Malin e Zi dhe Kroaci dhe një blackout në gjysmën e territorit të saj. Në të dyja rastet ajo ka vënë në rrezik rrjetin sinkron të interkonjeksionit dhe pasojat mund të ishin të rënda edhe për evropën kontinentale.

Në rastin e parë ka patur edhe një terr informativ dhe mungesë transparence sidomos mbi gjetjet e raportit të Shkurt 2025 të realizuar nga ENTSO-e mbi arsyet e kolapsit të sistemit të transmetimit në Shqipëri. Aktualisht Shqipëria nuk garanton qëndrueshmëri në sigurinë e operimit dhe nuk përmbush Commission Regulation (EU) 2017/2196 dhe (EU) 2019/941.

Është konfirmuar nga studime të pavarura se referuar listës së patronazhistëve të Tiranës, rezulton se 80% e të punësuarve në sektorin elektro-energjitik në kryeqytet, janë votues të partisë në pushtet. Kjo provon se një nga arsyet e dështimit të sektorit, janë politikat korruptive të rekrutimit të punonjësve dhe që lidhen ngushtësisht me korrupsion zgjedhor.

Qeveria ka miratuar liçensa fotovoltaike pa një studim të mirëfilltë të rrejtit të sistemit të transmetimit dhe shpërndarjes, pa marrë në konsideratë ngarkesën dhe kapacitetin e rrjetit ekzistues.

Liçensat fotovoltaike, të cilat prezantohen si sukses në çdo aktivitet ndërkombëtar nga Qeveria Shqiptare, në shumë raste janë liçensa agrofotovoltaike, të dhëna në kundërshtim me ligjin për tokën bujqësore, me efekte të parikuperueshme për bujqësinë dhe blegtorinë.

Këto liçensa janë dhënë në rajonet më të varfëra të Shqipërisë ku jeta e qytetarëve lidhet ngushtësisht me aktivitetin bujqësor dhe blegtoral. Rezistenca e këtyre qytetarëve është e pamundur, pasi në shumë raste ata janë përballur me struktura të krimit të organizuar, që mesa duket janë pronarët realë të këtyre liçensave të dhëna nga Qeveria Shqiptare. Për disa akte miratimi të tjera të liçensave fotovoltaike aktualisht është nën hetim Zv. KM Balluku, 2 ish Drejtorë të KESH si dhe drejtori aktual në detyrë është i pandehur.

Janë miratuar paraprakisht liçensa për instalime me kapacitet për rreth 6500 MWp, nga të cilat 90% e tyre zotërohet nga një duzinë kompanish në pronësi nga persona me akuza si pjesëtarë të organizatave mafioze dhe krimit të organizuar.

Shqipëria nuk ka ndërmarrë asnjë iniciativë reale për të konvertuar në gas, prodhimin e energjisë në Termocentralin e Vlorës. Kjo qasje e qeverisë përforcohet nga veprimet e saj, duke instaluar dy Centrale Pluskuese të Prodhimit të Energjisë me naftë të rëndë, të importuara nga Bangladeshi dhe vendosura në operim në vitin 2024.

Ky investim prej 80 milionë Euro, ka prodhuar në dy vjet vetëm 0.08 TWh nga pritshmëria prej 1.6 TWh. Për këtë rast është nën hetim zyrtar Zv. KM e Shqipërisë dhe gjithë zinxhiri drejtues i kompanive shtetërore të lidhura me sektorin e energjisë dhe të naftës. Madje faktet e dorëzuara në SPAK, mund të provojnë lidhje dhe përfitime direkte edhe nga Garda Revolucionare e Iranit.

Ndërkohë që kemi të konfirmuar zyrtarisht nën hetim Administratorët e kompanive shtetërore të Prodhimit, të Transmetimit, të Shpërndarjes, të Bursës së Energjisë dhe Ministrin Përgjegjës të Linjës, për deformim të tregut të energjisë, favorizim të aktorëve privatë të tregtimit të energjisë, për fshehje të bilanceve reale financiare, tendera korruptivë, shkatërrim të tokës bujqësore, dhe favorizim të subjekteve të lidhura me krimin e organizuar, miratimi i kapitullit 15 të Energjisë, kapitullit 27 të Mjedisit, pjesë e Cluster 4, duket si konfirmim për të thelluar abuzimet dhe bashkëpunimin me botën e mafies në sektorin e energjisë.

Kjo nuk ka pasoja vetëm për Shqipërinë, por shtrirja e efekteve korruptive dhe kriminale në sektorin e energjisë, mund të rrezikojë edhe sigurinë e furnizimit dhe operimit të gjithë sistemit të energjisë në Evropën Kontinentale.

Referuar Institutit Vienez të Studimeve Ekonomike Ndërkombëtare, për sa i përket konvergimit të Ballaknit Perendimor me EU, rezulton se Shqipërisë do t’i duheshin më shumë se 100 vite për të mbërritur standardet e Bashkimit Evropian në sektorin e Infrastrukturës dhe Mjedisit.

Për sa i përket qeverisjes do të duheshin më shumë se 64 vite…

Këto janë vetëm disa nga problematikat kryesore që doja të ndaja me ju, pasi këto vendimmarrje korruptive të qeverise në sektorin energjitik, mund të kenë pasoja dhe përtej Shqipërisë.

Ju faleminderit!

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news