Mazhoranca miraton në Kuvend ligjin e ri për mbetjet pa sqaruar kostot financiare

Mazhoranca miraton në Kuvend ligjin e ri për mbetjet pa sqaruar kostot financiare

Deputetët e mazhorancës votuan në Kuvend ligjin për “Menaxhimin e integruar të mbetjeve”, pavarësisht kundërshtive dhe shqetësimit për rritje të madhe të faturës për bashkitë dhe qytetarët.

Nisma e re ligjore e qeverisë “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve” u miratua të enjten në Kuvend vetëm nga votat e mazhorancës, pa debat dhe pa sqaruar faturën financiare të zbatimit të tij.

Ligji i ri parashikon kthimin e Agjencisë Kombëtare të Ekonomisë së Mbetjeve, AKEM, në një shoqëri aksionere përgjegjëse për menaxhimin fundor të mbetjeve në të gjithë Republikën dhe vendosjen e bashkive në pozitat e klientëve të kësaj shoqërie për depozitimin dhe trajtimin e mbetjeve.

Qeveria i rikthehet hirearkisë së menaxhimit të mbetjeve duke i dhënë prioritet ndarjes në burim, ripërdorimit, riciklimit dhe kompostimit, ndërsa ligji lë pothuaj në hije rolin e inceneratorëve dhe incenerimin si proces për të cilin qeveria socialiste investoi me dhjetra-milionë euro në një dekadë.

Dispozitat ligjore dhe relacioni që shoqëron ligjin i mëshojnë parimit “ndotësi paguan” duke nënkuptuar rritje të tarifave dhe kostove për menaxhimin e mbetjeve, por pa arritur të ofrojnë një faturë transparente financiare se sa realisht do t’u kushtojë taksapaguesve zbatimi i këtyre dispozitave.

Gjatë diskutimit të ligjit në komisionet parlamentare dhe nga dëgjesat publike me grupet e interesuara, Ministria e Mjedisit si propozuese e nismës nuk arriti të jepte përgjigje për kostot financiare, sa do të jenë kostot e bashkive për grumbullimin dhe transportimin e mbetjeve në pikat fundore dhe për pasojë sa do të rriten tarifat vendore për qytetarët.

Vetë ligji parashikon që Këshilli i Ministrave do të miratojë metodologjinë e llogaritjes së kostove operative dhe të shërbimit të grumbullimit, pastrimit dhe transportit deri në stacionet e transferimit të mbetjeve nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Metodologjia do të përcaktojë edhe tarifat e menaxhimit të mbetjeve.

Por pyetjet e ripërsëritura të deputetëve se sa do t’i kushtojë taksapaguesve kjo reformë e menaxhimit të mbetjeve nuk morën përgjigje të qarta nga ministria.

Në lidhje me koston totale për menaxhimin e mbetjeve, ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj tha se direktivat e BE-së përcaktojnë objektivat e riciklimit për vitin 2035 dhe bazuar në këto objektiva është parashikuar vlera financiare që duhet të investohet për infrastrukturën që nevojitet deri në vitin 2035.

Në raportin e vlerësimit të përgatitur nga kjo ministri në opsionin e rekomanduar nga BE vlerësohet që kostot e përgjithshme të investimit të shkojnë në rreth 683 milion euro deri në vitin 2035.

Po ashtu, kostot vjetore për ton mbetje të krijuara pritet të rriten nga 79 euro për ton në vitin 2025 në 170 euro për ton në vitin 2035.

Ndërsa ministri Jaupaj informoi deputetët se ministria ishte në fazat e negociatave “për shtyrjen e afatit të përmbushjes së këtij investimi përtej 2035”, sipas raportit të komisionit parlamentar për “Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qëndrueshëm”.

Gjatë dëgjesës në komisionin e Ligjeve, ai tha se barrën kryesore financiare do ta mbajë qeveria, ndërsa bashkitë do të përballojnë një pjesë të kostove.

“Ky është kapitulli më i shtrenjtë i negociatave me Bashkimin Europian. Qeveria është në bisedime për të siguruar fonde nga BE, kredi dhe grante, në mënyrë që të mbështesim infrastrukturën e re pa e ngarkuar tej mase buxhetin vendor,” argumentoi ai.

Edhe në raportin e përgatitur nga Komisioni parlamentar për Ekonominë dhe Financat nuk ka një faturë të qartë financiare që shoqëron zbatimin e këtij ligji.

“Kostot e infrastrukturës dhe operimit për menaxhimin e integruar të mbetjeve mbulohen nga krijuesi ose nga zotëruesi i mbetjeve, në përputhje me parimin “ndotësi paguan”- thuhet në këtë raport, ndërsa nevoja për financime nga buxheti i shtetit do të vlerësohet nga AKEM.

“Çdo zonë mbulon kostot e investimit për ndërtimin e infrastrukturës për menaxhimin e integruar të mbetjeve bashkiake. Bashkitë dhe AKEM-i financojnë kostot e investimit për çdo zonë të menaxhimit të mbetjeve,” thuhet më tej në raport e këtij komisioni

Ligji parashikon që kostoja për grumbullimin dhe transferimin e mbetjeve të jetë pjesë e buxhetin vjetor të bashkive dhe do të përballohet nga mbledhja e tarifës së pastrimit për qytetarët

Shoqatat e bashkive dhe vetë kryetarët e bashkive që morën pjesë në një dëgjesë në komisonin e Ligjeve thanë se bashkitë do të gjenden në vështirësi financiare për të përballuar kostot që u ngarkon zbatimi i këtij ligji dhe kërkuan që të parashikohej në ligj që këto kosto të përballohen nga buxheti i shtetit nëpërmjet transfertave të pakushtëzuara.

Ligji u kontestua gjithashtu nga opozita dhe shoqatat që përfaqësojnë interesat e pushtetit vendor se cënon autonominë vendore, ndërsa në komisionin parlamentar për Evropën dhe Punët e Jashtme u kritikua për përafrim të pjesshëm të dispozitave të BE-së për Mjedisin.

Ministri tha se përafrimi i plotë do të bëhet me miratimin e 12 projektvendime të Këshillit të Ministrave si akte nënligjore në linjë me periudhat transitore të kërkuara në kuadër të procesit të anëtarësimit.

Gjatë shqyrtimit të këtij ligji, ministria e Mjedisit theksoi se reforma e re e menaxhimit të mbetjeve plotësohej dhe me një nismë tjetër ligjore, ajo për “Përgjegjësinë e zgjeruar të prodhuesit”, e cila është futur për shqyrtim në Kuvend./BIRN

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news