Shqipëria vendi më bujqësor në rajon, por më i prapambeturi në teknologjitë agrare

Shqipëria vendi më bujqësor në rajon, por më i prapambeturi në teknologjitë agrare

Shqipëria mbetet vendi më bujqësor në Ballkanin Perëndimor, por njëkohësisht më pak i përgatituri për tranzicionin drejt bujqësisë inteligjente.

Sipas raportit “Skilling up the Western Balkans Agri-Food Sector” të Fondacionit Europian për Trajnimet (ETF), të publikuar së fundmi, bujqësia përbën 16.3% të PBB-së së vendit tonë, më e larta në rajon dhe Europë, ndërsa rreth 35% e popullsisë është e punësuar në këtë sektor.

Megjithatë, ndikimi ekonomik i bujqësisë nuk po përkthehet në rritje teknologjike apo inovacion.

Raporti nënvizon se Shqipëria dhe Bosnja janë vendet ku agri-tech, teknologjitë e aplikuara në bujqësi, janë më pak të zhvilluara. Ndërsa në Serbi, Maqedoninë e Veriut apo Mal të Zi po shfaqen kompani që përdorin inteligjencë artificiale, dronë dhe censorë për menaxhimin e tokës, në Shqipëri këto shembuj mbeten sporadikë dhe shpesh të lidhur me projekte pilot ose nisma individuale të fermerëve novatore.

Një nga pengesat kryesore, sipas ETF, është mospërputhja midis arsimit profesional dhe nevojave të tregut. Shkollat bujqësore shqiptare kanë programe të përqendruara ende në metodat tradicionale, me pak lidhje me teknologjinë, përpunimin ushqimor apo tregjet e eksportit. Mësuesit kanë mundësi të kufizuara për përditësim profesional, ndërsa bashkëpunimi me biznesin është shumë i rrallë.

ETF thekson nevojën për formim të integruar, që të kombinojë njohuritë bujqësore me aftësi digjitale, bioteknologji, menaxhim biznesi dhe qëndrueshmëri mjedisore. “Fuqia punëtore e ardhshme në sektorin agro-ushqimor duhet të jetë e pajisur me kompetenca të reja, nga analiza e të dhënave dhe përdorimi i pajisjeve inteligjente deri te njohuritë mbi standardet organike të BE-së,” thekson dokumenti.

Në nën-sektorin e ushqimeve organike dhe funksionale, Shqipëria shihet me potencial të lartë, por me baza të dobëta. Vetëm 0.1 për qind e tokës bujqësore është e certifikuar organike, shumë më poshtë se mesatarja e BE-së prej 10 për qind. Megjithatë, interesi i rritur për prodhimet bio, bimët mjekësore dhe ushqimet tradicionale ofron një shans për zhvillim të qëndrueshëm dhe rritjen e eksporteve, nëse shoqërohet me standarde, certifikim dhe aftësi menaxhimi.

Bashkimi Europian vitet e fundit ka rritur vëmendjen për sistemet ushqimore dhe sigurinë e tyre. Financimet për startup-et dhe inovacioni në bujqësi janë në rritje. Ndërkohë kërkesa për prodhime bio dhe organike, por zhvillimet teknologjike dhe aftësitë janë të domosdoshme për rritur përfitimet në këtë drejtim.

ETF rekomandon që Shqipëria të ndërmarrë tri masa kyçe:

Të krijojë një ekosistem bashkëpunimi mes arsimit, bizneseve dhe institucioneve publike për zhvillimin e aftësive teknologjike në bujqësi.
Të modernizojë kurrikulat e arsimit profesional dhe universitar, duke përfshirë module të reja mbi bujqësinë inteligjente, dixhitalizimin dhe ekonominë qarkulluese.
Të nxisë përfshirjen e fermerëve dhe agrobizneseve në trajnime dhe rikualifikime, përmes praktikave pune dhe skemave të mbështetura financiarisht.
Përfundimet e raportit janë të qarta: pa një strategji të qëndrueshme për zhvillimin e aftësive, Shqipëria rrezikon të mbetet prapa në procesin e afrimit me standardet e BE-së. Ndërsa vendet e tjera të rajonit po eksperimentojnë me teknologji të avancuara, Shqipëria duhet të investojë me urgjencë në arsim, trajnime dhe infrastrukturë dixhitale, për të kthyer bujqësinë nga një sektor tradicional në një industri moderne dhe konkurruese./ B.Hoxha, Monitor

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news