BIRN: Si u bë Shqipëria nyje e kontrabandës së naftës nga Rusia dhe Afrika Veriore

BIRN: Si u bë Shqipëria nyje e kontrabandës së naftës nga Rusia dhe Afrika Veriore

Nga Tunizia dhe Libia deri në Durrës, hetimet hedhin dritë mbi rrjetet e kontrabandës në detin Mesdhe, të cilat përdorin anije të regjistruara ‘offshore’ dhe peshkarexha vendase për të futur në treg karburant pa akcizë ose me origjinë nga vende nën embargo.

Në ditët e para të janarit, era e ftohtë nga veriu përplaste dallgët në molin e Porto Romanos, në veri të Durrësit, ndërsa dy anije tregtare hynin njëra pas tjetrës në port. E para, e quajtur Besart, një anije mallrash e vitit 1981, udhëhiqte kolonën; pas saj, Aya Zanoubya, 4 vjet më e vjetër, lëvizte ngadalë, e rimorkuar pasi kishte deklaruar një defekt teknik.

Tre javë më herët, më 14 dhjetor, Aya Zanoubya ishte ankoruar në të njëjtin port, duke përdorur të njëjtën arsye – një avari që, sipas dokumenteve të dorëzuara në Kapitenerinë e Durrësit, e kishte detyruar të kërkonte strehë të sigurt në brigjet shqiptare. Kargo manifesti i saj deklaronte një ngarkesë çimentoje.

Por më 15 janar, autoritet shqiptare kishin marrë të dhëna operative se të dyja anijet fshihnin naftë kontrabandë. Kontrollet e kryera nga Seksioni i Hetimit të Krimit Ekonomik dhe Financiar pranë Drejtorisë Vendore të Policisë në Durrës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Antikontrabandës në Tiranë, i kthyen dyshimet në prova. Në vend të ujit, balestrat e tyre ishin mbushur me rreth 600 mijë litra naftë të padeklaruar.

Anëtarët e ekuipazhit, kryesisht të huaj, përfunduan në pranga. Ndërkohë, organizatorët e dyshuar të kontrabandës, mes tyre dhe një emër i njohur në tregtinë e hidrokarbureve në Durrës, u shpall në kërkim. Ky nuk është rasti i parë që sasi të mëdha të naftës kontrabandë bllokohen në portin e karburanteve në Porto Romano.

Të dhënat hetimore të siguruara nga BIRN tregojnë se ky port është kthyer gjatë dekadës së fundit në një pikë kalimi për naftën që vjen nga vende nën embargo nga OKB-ja, Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Një nga vendet kryesore të origjinës është, sigurisht, Rusia,” i tha BIRN Lorenzo Bagnoli, drejtues i qendrës hulumtuese italiane IRPI, i cili e ka hetuar kontrabandën e naftës në Mesdhe që prej vitit 2017. “Tjetri është Libia, por një e treta e këtij karburanti është gjithmonë rus,” shtoi ai.

Çimento në letra, naftë në balestra

Nga fotot e publikuara në internet, anija Besart e tregon lehtë moshën. Ngjyra blu është e gërryer nga kripa dhe koha, ndërsa njolla ndryshku të mëdha e mbulojnë përgjatë bordit. Aya Zanoubya ka të njëjtën pamje të amortizuar të një anijeje të dekadave më parë.

Të dyja valëvitin flamurin e Tanzanisë, një shtet afrikan i njohur për regjistrin e tij të hapur detar, ku pronarët ose kompanitë mund të regjistrojnë anije pa qenë rezidentë – një praktikë që shpesh shfrytëzohet për të fshehur pronësinë.

Dokumentet hetimore të analizuara nga BIRN tregojnë se, megjithëse në pamje të parë dukeshin anije me menaxhim të pavarur, ato kishin një pikë të përbashkët – kompaninë ‘Batimarine Owner Ship’ me seli në Durrës, e cila rezultonte ligjërisht si përgjegjëse për të dyja.

Kapiteni i anijes Besart, Mohammed Kahilah tha për hetuesit se udhëtimi i tyre kishte nisur për të transportuar çimento nga Tunizia. Por në dëshminë e tij, ai pranoi se anijen e kishte furnizuar edhe me qindra mijëra litra naftë. Në portin tunizian kishin mbërritur më 19 dhjetor 2024 dhe kishin qëndruar deri më 1 janar 2025.

Kahilah deklaroi se kishte marrë rreth 406 mijë litra naftë, me urdhër të administratorit të anijes, Eduart Skora, i cili i kishte thënë se karburanti nevojitej për tërheqjen e një anijeje tjetër që do të shitej në Tunizi. Kapiteni ka shtuar se naftën e kishte depozituar në balestra, zakonisht të destinuara për ujë balancues, pasi ato ishin bosh dhe ngarkesa prej 100 tonësh çimento e mbante tashmë anijen të stabilizuar.

Skora u arrestua me 26 janar në pikën kufitare në Morinës, ndërsa po hynte në Shqipëri nga Kosova. I pyetur si person nën hetim, ai deklaroi se ishte menaxher i anijes Besart, përgjegjës për mbikëqyrjen teknike dhe gjetjen e ngarkesave. Skora shpjegoi se anija kishte sjellë nga Tunizia çimento rifuxho, ndërsa nafta e gjetur në balestra ishte, sipas tij, pasojë e amortizimit të tubacioneve që kishin lejuar përzierjen e ujit me karburant me përmbajtje të lartë squfuri.

Skora pretendoi se sasia e madhe e naftës në bord shpjegohej nga fakti që anija kishte të planifikuar një udhëtim në Tanzani që do të zgjaste 98 ditë, përfshirë kalimin në zona me rrezik piraterie. Ai theksoi se e mbante vetë përgjegjësinë ligjore për anijen, ndërsa kompania “Batimarine Owner Ship” dhe pronari Florian Biba ishin të përjashtuar nga çdo përgjegjësi me kontratë.

Skora është aksioner në dy agjenci detare dhe spedicioni në qytetin e Durrësit. Në vitin 2017, një anije në pronësi të tij, Envi 1, u bllokua së bashku me ekuipazhin në Libi dhe u mbajt peng nga një grup i armatosur për 35 ditë. Sipas Skorës, anija dhe ekuipazhi, u liruan nga rebelët kundrejt një pagese prej 34 mijë USD.

Sipas Qendrës Kombëtare të Biznesit, aksioneri i vetëm i kompanisë ‘Batimarine Owner Ship’ shpk është Florian Biba, një shtetas zvicerian me origjinë shqiptare. Biba nuk ishte i arritshëm nëpërmjet telefonit. Kërkesa për koment e dërguar nëpërmjet email-it të listuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Sipas agjentit doganor, i cili përfaqëson anijet ose pronarët e tyre pranë autoriteteve dhe shërbimeve portuale, për shërbimet e Aya Zanoubya në Shqipëri komunikimi bëhej po ashtu me kompaninë ‘Batimarine Owner Ship’, por pagesat bëshin nga shtetasi Juxhin Koka, një biznesmen në tregun e hidrokarbureve.

Prokuroria e Durrësit thotë se ka dyshime se Juxhin Koka, së bashku me shtetasin Serxhio Sula – të dy aktualisht në kërkim, kanë blerë anijen Aya Zanoubya përmes një kompanie offshore dhe janë organizatorët e futjes në Shqipëri të sasie të naftës kontrabandë prej 200 mijë litrash.

Ndërsa anija qëndronte e sekuestruar në port, Koka dyshohet gjithashtu se orkestroi vjedhjen e karburantit dhe futjen e tij të paligjshëm në treg, duke korruptuar me 10 mijë euro policin që ishte caktuar për ta ruajtur.

I marrë në pyetje para se të shpallej në kërkim, Koka ka pretenduar se me anijen kishte sjellë vetëm çimento në Shqipëri, duke mohuar akuzat se kishte kontrabanduar karburant të fshehur në balestrat e anijes.

Një zyrtar i policisë në Durrës, i cili preferoi të mbetet anonim, i tha BIRN se në rastet kur tentohet kontrabanda me karburant gazoil, personat përgjegjës përdorin dokumente të falsifikuara.

“Ata përpiqen t’ua ‘hedhin’ autoriteteve shqiptare, duke deklaruar se përmes agjencive doganore kanë marrë porosi për tregtimin e naftës, por në të vërtetë dokumentacioni është i falsifikuar,” tha ai, ndërsa shtoi se organizatorët gjejnë edhe forma të tjera për të ankoruar anijet në port pa rënë në sy dhe më pas nxjerrin naftën me mjete të tjera.

“Kjo sigurisht nuk bëhet pa korruptuar zyrtarë,” shtoi oficeri i policisë.

E pyetur nga BIRN mbi raste e regjistruara të kontrabandës së naftës nga Porto Romano dhe dyshimet për korrupsion, Policia e Shtetit nuk iu përgjigj një kërkese për koment.

Nga Benghazi në Durrës

Më 14 shtator 2022, autoritetet shqiptare sekuestruan anijen “Queen Majeda”, e cila transportonte rreth 2272 ton naftë kontrabandë. Sipas dokumenteve hetimore, anija ishte nisur nga porti i Bengazit në Libi dhe kishte si destinacion Porto Romanon, ku ngarkesa do të përpunohej.

Megjithatë, pasi hyri në ujërat shqiptare, kapiteni tentoi të largohej pa u ankoruar, ndonëse kompania GK Maritime, e përfaqësuar nga shtetasi Erlis Kosova, kishte njoftuar më herët autoritetet se ngarkesa e karburantit do t’i shitej kompanisë shqiptare “Kastrati Sh.a”, pjesë e Kastrati Grup, i cili zotëron dhe portin e hidrokarbureve në Porto Romano.

Nga kontrolli i plotë i dokumenteve dhe ngarkesës, Prokuroria zbuloi se manifesti deklaronte 2.272,71 ton naftë të tipit “Marine Gasoil 1000 PPM”, një produkt i cili nuk lejohet për përdorim në tregun shqiptar, por vetëm për ri-eksportim ose furnizim të mjeteve lundruese jashtë territorit.

Kapiteni i anijes u shpreh para hetuesve se ishte hera e tretë që transportonte karburant nga Benghazi drejt Porto Romanos dhe se nafta ishte furnizuar nga kompania libiane Brega, e specializuar në shitjen me shumicë të karburanteve. Anija zotërohej nga kompania Eldawadi Shipping Ltd., në pronësi të shtetasit libian Nuri Eldawadi.

E pyetur nga nga BIRN, një zëdhënëse e Kastrati Group tha se Kastrati Energy Trading sh.a nuk ka qenë palë kontraktuese për blerjen e ngarkesës së naftës së transportuar nga anija “Queen Majida” në Shtator 2022.

“Grupi Kastrati ka marrë dy ngarkesa nga partneri ynë kontraktual, Alpha Green Oil Products Trading LLC, të cilat u transportuan nga anija Queen Majeda. Në të dy rastet, autoritetet shqiptare, kryen të gjitha procedurat e detyrueshme ligjore përpara se të jepnim autorizimet përkatëse,” tha zëdhënësja nëpërmjet një përgjigje me shkrim, ndërsa theksoi se Grupi Kastrati nuk është akuzuar dhe as nuk është përfshirë në ndonjë procedim penal kundër anijes.

“Sa i përket vizitës së tretë të anijes Queen Majeda në Shqipëri në shtator 2022, është e rëndësishme të sqarohet se transaksioni do të kryhej sipas kushteve “Delivered at Place” (DAP)”. Sipas këtyre kushteve, përgjegjësia dhe detyrimi për mallrat i kalojnë blerësit vetëm pas shkarkimit në depozitat e tij bregdetare. shtoi ajo.

Sipas Prokurorisë së Durrësit, e gjithë sasia e naftës ishte kontrabandë dhe dokumentacioni i saj i falsifikuar. Autoritetet dyshojnë se karburanti tregtohej nga persona ose grupe të përfshirë në listat e sanksioneve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe të urdhrave ekzekutivë të qeverisë amerikane.

Një raporti të Panelit të Ekspertëve mbi Libinë, i krijuar në bazë të Rezolutës 1973 (2011), i cili i drejtohet Presidentit të Këshillit të Sigurimit në dhjetor 2024, nënvizon se rasti i “Queen Majeda” nuk është i izoluar, por një problem sistemik.

Raporti thekson se kontrabanda e karburantit nga Libia ka marrë përmasa të paprecedenta në Mesdhe, e nxitur nga subvencionet shtetërore që e bëjnë naftën libiane shumë më të lirë brenda vendit sesa në tregjet ndërkombëtare.

Karburanti i importuar, kryesisht naftë diezel, kontrabandohet jashtë vendit dhe shitet në tregun e zi ose me dokumente të falsifikuara, duke u kthyer në burim të qëndrueshëm fitimi për grupet e armatosura që dominojnë vendin e Afrikës Veriore.

“Libia ka një nevojë të lartë për karburant pasi, në thelb, nuk është në gjendje të përpunojë vetë naftën e saj,” shpjegoi Lorenzo Bagnoli nga IRPI. “Për këtë arsye, Rusia është shndërruar në një eksportues të rëndësishëm për Libinë, veçanërisht në lindje të vendit, për shkak të lidhjeve politike dhe gjeopolitike me njerëzit e Haftarit,” shtoi ai.

Bagnoli tha se shumë nga anijet që kontrabandojnë naftë nga Libia ngarkohen në portin e Benghazit.

Nga marsi i vitit 2022 deri në tetor 2024, paneli indetifikoi 185 ngarkesa të dyshimta nga cisterna të vogla dhe të mesme në këtë port, përfshirë tre ndalesa nga “Queen Majeda”.

Lorenzo Bagnoli thekson se tregtia e paligjshme e karburantit ushqehet nga kaosi politik në Libi dhe ndarja e e kontrollit të vendit mes qeverisë në Tripoli dhe autoriteteve paralele në Lindje, të udhëhequra nga gjenerali Khalifa Haftar, i cili gëzon mbështetjen e Moskës dhe të disa vendeve në Gjirin Persik.

“Në këtë moment, qeveria Perëndimore nuk ka asnjë kontroll, asnjë aftësi për të drejtuar vendin, dhe një grup komandantësh lokalë po e sfidojnë fuqishëm,” tha Bagnoli.

“Ata përfitojnë kryesisht nga kontrabanda në det,” shpjegoi ai. “Nuk ka rëndësi nëse bëhet fjalë për migrantë apo karburant, por kjo është mënyra se si ata fitojnë para.”

Mes mjeteve të identifikuara në portin e Beghazit, në raportin e OKB-së është listuar dhe një anije peshkimi me flamur shqiptar: “Blue Castor”. Megjithatë, të dhënat e hetimore të Prokurorisë së Durrësit sugjerojnë që ajo nuk është peshkarexha e vetme shqiptare që ka përfituar nga nafta e lirë libiane.

Peshk për naftë?

Në tre raste të ndryshme, të hetuara nga Prokuroria e Durrësit, peshkarexhat shqiptare janë kapur duke marrë karburant në det të hapur nga anije që vinin nga Libia. Në dy prej tyre, në shtator 2022 dhe janar 2023, Guardia di Finanza italiane njoftoi autoritetet shqiptare për lëvizjen e anijeve të dyshimta libiane që po hynin në ujërat shqiptare për të furnizuar mjete peshkimi.

Më 6 shtator 2022, motopeshkatorja “Leon” u ankorua pranë një anijeje nga Libia në jug të kanalit të Otrantos, përpara se të shoqërohej drejt Durrësit nga Policia Kufitare. Sipas dosjes hetimore, mjeti kishte qenë i bllokuar për pesë vite nga Doganat dhe nuk mbante asnjë dokumentacion. Gjatë kontrollit, hetuesit gjetën gjashtë depo metalike të modifikuara, të mbushura me rreth 30 mijë litra naftë. Kapiteni, Shpëtim Cani, deklaroi se anija ishte në pronësi të shtetasit Fatmir Met’hasa dhe se e kishin blerë karburantin për 2-3 mijë euro gjatë një daljeje për peshkim.

Një tjetër rast ndodhi më 12 janar 2023, kur peshkarexha Geni u kap duke u afruar te një anije libiane, lëvizje për të cilën autoritetet kishin marrë njoftim paraprak tre ditë më parë. Kontrolli zbuloi pesë depozita të mbushura me 50 mijë litra naftë, njëra prej tyre e maskuar si depo uji. Kapiteni pretendoi se kishte marrë vetëm 3 mijë litra karburant dhe e kishte paguar me peshk, por hetimet treguan se anija nuk kishte bërë asnjë dalje në det ditët para ngjarjes, ndërsa në telefonin e tij u gjetën foto me koordinata të sakta të vendndodhjes së transaksionit.

Një episod tjetër u regjistrua në korrik 2022 me motopeshkatoren ‘Anyway’, në pronësi të Gentian Malindit, i dënuar më pas për trafik droge. E ankoruar pranë portit të Durrësit, anija u kontrollua pas sinjalizimeve operative dhe u zbulua se mbante 72 mijë litra naftë kontrabandë në depozita të modifikuara. Kapiteni, Flamur Alliu, deklaroi se kishin shkuar deri në Libi, ku kishin shkëmbyer peshk me rreth 73 mijë litra naftë, marrëveshje të cilën, sipas dëshmive të ekuipazhit, ai e kishte negociuar personalisht me kontrabandistët libianë.

Në total, gjatë periudhës 2022-2025, autoritetet shqiptare kanë kapur mbi 753 mijë litra naftë kontrabandë, pa llogaritur edhe sasinë prej 2200 tonësh të sekuestruara në anijen “Queen Majeda”.

Një burim i Prokurorisë së Durrësit, që foli në kushte anonimati, theksoi se nafta e kontrabanduar kishte cilësi më të ulët se ajo që tregtohet në mënyrë të rregullt.

“Nafta që kontrabandohet përdoret kryesisht për furnizimin e mjeteve të tonazhit të rëndë, si anijet e peshkimit,” tha ai, ndërsa shtoi se “është dukshëm më e dobët se ajo që shitet për përdorim nga mjetet e vogla motorike.”

Nga Mali i Zi në Shqipëri

Hetimet e nisura nga Prokuroria e Durrësit në vitin 2017, që lidhen me kontrabandën e karburanteve gjatë viteve 2013-2016, zbulojnë një tjetër rrugë të paligjshme të furnizimit me naftë: Malin e Zi.

Sipas dokumenteve hetimore të analizuara nga BIRN, vetëm në një prej dosjeve llogaritet se në një periudhë prej tetë muajsh të vitit 2016 janë futur kontrabandë nga Mali i Zi rreth 1.7 milionë litra naftë, me një vlerë mbi 700 mijë euro, duke i shkaktuar shtetit shqiptar një dëm prej 159.9 milionë lekësh. E gjithë kjo sasi është hedhur në tregun vendas, ndërsa hetimet nisën pasi autoritetet malazeze dhanë informacione për anije shqiptare që furnizoheshin në portet e tyre.

Skema ishte e përsëritur në të pesë dosjet e analizuara: peshkarexha që niseshin nga Porti i Durrësit deklaronin dalje vetëm për peshkim, por në të vërtetë blinin karburant në kompani si Novi Gas në Podgoricë ose Nexen në qytetin e Barit. Në disa raste përdornin anije reale, ndërsa në raste të tjera emra anijesh të fabrikuara për të humbur gjurmët.
Vendimet gjyqësore për këto çështje u dhanë me vonesë, mes viteve 2020-2023, dhe në shumicën e rasteve ndëshkuan vetëm kapitenët dhe pjesëtarët e ekuipazhit./BIRN

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news