Mungesa e politikave bujqësore/ Si po “zhduken” lopët e qumështit, në 10 vite tkurren me 37%

Mungesa e politikave bujqësore/ Si po “zhduken” lopët e qumështit, në 10 vite tkurren me 37%

Shqipëria rrezikon të bëhet e varur nga importet e qumështit dhe nënprodukteve dhe gjithashtu të humbasë trashëgimisë rurale dhe të kulinarisë tradicionale për shkak të rënies së shpejtë të numrit të lopëve të qumështit.

Të dhënat zyrtare të INSTAT për numrin e lopëve të qumështit në Shqipëri gjatë viteve 2014–2024 tregojnë një rënie dramatike në të gjitha qarqet e vendit me mbi 35%.

Në të njëjtën kohë, Shqipëria po përjeton një nga nivelet më të larta të emigrimit në Europë, veçanërisht në zonat rurale dhe malore. Këto dy fenomene nuk janë të shkëputura përkundrazi, ato janë drejtpërdrejt të ndërlidhura.

Fieri është dhe mbetet qarku me numrin më të madh të lopëve të qumështit, megjithëse rënia është e konsiderueshme, nga mbi 50 mijë krerë në 2014 në rreth 34,800 në 2024. Në krahasim me 2023 numri i lopëve në këtë qark u rrit me 0.5% për shkak të investimeve më të mëdha në ferma.

Në Elbasan, rënia është dramatike, më shumë se 59% në një dekadë. Dikur ndër qarqet me aktivitet të lartë blegtoral, tani ka humbur thuajse dy të tretat e tufës së lopëve të qumështit. Në 2024 numri i lopëve të qumështit ra me mbi 6,5 % në krahasim me 2023. Kjo lidhet drejtpërdrejt me largimin masiv të banorëve nga zonat malore të Librazhdit, Gramshit dhe Belshit drejt emigracionit ose qendrave urbane.
Edhe Berati ka përjetuar një rënie të ndjeshme, me përgjysmim të numrit të lopëve. Humbja e popullsisë në fshatrat e Skraparit, Poliçanit dhe Kuçovës ka çuar në tkurrjen e bujqësisë familjare. Vetëm me 2024 rënia e vjetore e lopëve të qumështit ishte 18 për qind më e larta në shkallë vendi. Blegtoria në këtë qark është kthyer në një aktivitet simbolik, pa potencial zhvillimi. Nga 2024-2024 rënie ishte 40%, teksa ndryshimi vjetor me 2024 ishte 7.4%

Një tjetër qark me rënie të theksuar është Gjirokastra. Shumë fshatra në Dropull, Libohovë janë boshatisur. Rënia e numrit të lopëve është indikator i drejtpërdrejtë i shpopullimit: nuk ka më njerëz që të kujdesen për blegtorinë. Megjithatë, disa iniciativa agro-turizmi kanë ruajtur gjurmë të aktivitetit në zonat përreth Tepelenës. Në 2024 lopët e qumështit shënuan rënie vjetore 6%, ndërsa për një dekadë 37%.

Edhe pse me potencial të madh blegtoral, Korça ka humbur më shumë se 11 mijë krerë lopë në një dekadë. Emigrimi i zonave malore si Kolonja dhe Maliqi, por edhe ikja e të rinjve drejt emigracionit, kanë prekur sektorin. Numri i krerëve ra me 15.7 % vetëm me 2024, ndërsa gjatë dekadës rënia ishte 20%

Në Dibër dhe Kukës, qarqe malore përjetojnë tkurrje të vazhdueshme. Në Dibër, ku bujqësia dhe blegtoria ishin jetike, numri i lopëve ka rënë me rreth një të tretën. Në Kukës, ndikimi është i ngjashëm.

Shkodra ka pasur gjithashtu një rënie të fortë të numrit të lopëve të qumështit. Fshatra si Puka, Fushë-Arrëzi dhe Malësia e Madhe kanë humbur popullsinë aktive që mund të mbante gjallë blegtorinë. Megjithatë, pranë zonave fushore të nën -Shkodrës, ende mbijetojnë disa ferma të mëdha. Numri i krerëve vetëm në 2024 u reduktua me 13 për qind , ndërsa gjatë dekadës me 37%

Lezha është ndër qarqet që kanë ruajtur njëfarë qëndrueshmërie relative në krahasim me të tjerat. Kjo lidhet me zhvillimin e bujqësisë intensive në zonat e ultësirës, por edhe me afërsinë me tregjet e mëdha të Tiranës. Gjithsesi, edhe këtu ka rënie dhe vështirësi për fermerët e vegjël. Në vitin 2024 numri i krerëve mbeti i njëjtë, ndërsa gjatë dekadës rënia ishte 20%.

Qarku i Durrësit ka përjetuar një rënie të ndjeshme, jo vetëm për shkak të emigrimit rural, por edhe për shkak të presionit të urbanizimit. Ndërtimi i madh dhe transformimi i tokës bujqësore për qëllime ndërtimi ka zhvendosur aktivitetin blegtoral në periferi, duke bërë që numri i lopëve të ulet me më shumë se 40% gjatë dekadës, ndërsa në 2024 u vu re një rritje e lehtë

Edhe në Tiranë, që përfshin zonat rurale të Kamzës, Vaqarrit Petrelës dhe Baldushkut, numri i lopëve është përgjysmuar. Në 2024 rënie ishte 3.5%, ndërsa në 10 vite 43%.

Vlora është qarku i vetëm ku rënia është minimale, vetëm 2.8% në dhjetë vite.

Rënia e numrit të lopëve të qumështit është pasqyrim i drejtpërdrejtë i emigrimit të popullsisë rurale, emigracionit, mungesës së politikave bujqësore afatgjata, dhe orientimit gjithnjë e më shumë të Shqipërisë drejt urbanizimit të paqëndrueshëm./MONITOR

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news