Mungesë transparence, klientelizëm dhe shkelje ligji tek “Paketa e Maleve”

Projektligji i njohur si “Paketa e Maleve” , i cili pritet të kalojë për shqyrtim në Kuvend, ka hasur në kritika nga ekspertët për mungesë transparence, klientelizëm dhe shmangie të procedurave të rregullta ligjore.

Në një tryezë të organizuar nga Qendra Shqiptare për Kërkime Ekonomike (ACER) dhe Fondacioni Westminster për Demokracinë (WFD), me mbështetjen e Ambasadës Britanike në Tiranë, u evidentuan disa probleme thelbësore të këtij projektligji.

Ekspertët ligjorë dhe të ekonomisë theksuan se projektligji krijon hapësira për korrupsion, pasi lejon shitjen e pasurive shtetërore me tarifa simbolike, pa përcaktuar qartë zonat e prekura dhe pa kaluar në filtrat e gjyqësorit.

Për më tepër, konsultimi publik ka qenë i mangët dhe ndryshimet e fundit në draft nuk janë reflektuar sipas procedurave të parashikuara në ligjin për konsultimin publik.

Rreziku për korrupsion dhe tjetërsim të pronës publike

Pozicionimi ynë ka të bëjë me interesin publik,” u shpreh Zef Preci, drejtues i ACER në fjalën hapëse të diskutimit.

Brunilda Kosta, pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë, u shpreh se ky projektligj përbën një rëndësi të veçantë në aspektin ekonomik, mjedisor dhe social, mirëpo përfshirja e shumë aktorëve brenda tij ka nevojë për analizë kritike pasi lë hapësira për korrupsion.

“Prek një temë shumë të ndjeshme që janë investimet. Sa herë që ka investime ka nivele të larta të hapësirave korruptive,” u shpreh Brunilda gjatë prezantimit të një vështrimi të përgjithshëm ligjor të projektligjit.

Ajo thotë se tërheqja e investimeve të huaja dhe pronat janë dy elementë që prekin në mënyrë direkte dhe indirektë korrupsionin, duke të lenë përshtypjen se projektligji “Paketa e Maleve” është krijuar për një grup të paracaktuar.

“Në të gjihta raportet që kemi paraqitur çështja e investimeve strategjike, investimeve të huaja… dhe nuk po përmend këtu diasporën, lenë hapësira korrupsioni,” argumentoi Brunilda Kosta.

Por projektligji duket se ka kaluar edhe në parregullsi sa i takon konsultimit publik. Zyhrada Kongoli, eksperte ligjore, tha se gjatë kohës që projektligji ka qenë në konsultim emërtohej si projektligj për “shitjen e pasurive të paluajtshme shtetërore të poseduesve faktikë jo pronarë në zonat me përparësi për zhvillimin e ekonomisë malore”.

Sipas Kongolit, në relacion, në seksionet përkatëse kushtuar komenteve nga konsultimet publike dhe me ministritë e linjës, nuk ka të reflektuar se si projektligji ka vijuar rrugëtimin që nga konsultimi fillestar e deri më pas drejt draftimit për t’iu paraqitur Kuvendit.

Ajo tregoi se në dokument thuhet se për shkak të komenteve të ardhura nga ministria e linjës “projektligji ka pësuar transformim të rëndësishëm” ku pjesë e këtij transformimi ka qenë edhe emërtimi. Ekspertja ligjore thekson se përballë këtyre ndryshimeve do të duhej që të kalohej sërish në konsultime me publikun.

“Ky ishte rasti kur ligji duhej të dilte sërish në konsultim publik duke u zgjatur afati ose duke u përsëritur faza e konsultimit në përputhje me Nenin 16 të ligjit për konsultimin publik”, argumentoi Kongoli.

Po ashtu, në projektligj nuk janë të identifikueshme zonat që targetohen dhe pesha që ato zënë në të gjithë territorin e vendit, duke prekur interesa publike, pasi bëhet fjalë për shitje të pasurisë shtetërore me vlera shumë të parëndësishme.

“Procesi administrativ i parashikuar në projektligj për të realizuar këtë transferim me një tarifë simbolike prej 1 euro krijon një rrezik shumë të lartë për favorizime dhe mundësi për përfitime të pajustifikuara duke cenuar parimet e barazisë dhe konkurrencës në administrimin e pronës publike,” deklaroi Kongoli.

Ajo shtoi se një pjesë e pronave shtetërore nuk janë pronë e institucioneve qendrore, por e qeverisjes vendore dhe projektligji nuk e zgjidh këtë çështje, sepse në çdo rast është ministri përgjegjës për ekonominë që administron kontratat e këtyre pronave.

Një ligj që anashkalon gjykatat?

Aranita Brahaj, drejtuese e Open Data Albania, shprehu shqetësimin se projektligji “Paketa e Maleve” shmang rregullimet e Kodit Civil dhe i kalon njësive të qeverisjes vendore kompetenca që zakonisht i përkasin gjykatave.

Sipas saj mënyra se si është hartuar propozimi vë në rrezik edhe sigurinë kombëtare.

“90% e kufirit tokësor të Shqipërisë është zonë malore, pyjore e cila edhe në relacion është thënë që do t’i jepet drita jeshile për të privatizuar apo tjetërsuar”, tha Brahaj duke theksuar se projektligji i jep fund pronës shtetërore në vend.

Sipas Brahajt, kjo paketë që vjen në mënyrë të përshpejtuar dhe anashkalon Kodin Civil, i cili u jep kompetencë palëve të pretendojnë dhe të kërkojnë privatizim duke i dërguar para gjykatave.

“Tre nivelet e gjyqësorit kanë kompenteca të qarta ligjore në detyrat e tyre. Por ligji këtu krijon një kompetencë të gabuar që ua jep njësive të qeverisjes vendore detyrën e tre niveleve të gjyqësorit”, argumentoi Brahaj.

Sipas drejtueses së Open Data, tanimë kompetenca e gjyqtarit mund t’i kalojë një punonjësi bashkie nën presionin e një funksionari politik dhe koha është vetëm 30 ditë për të venë në lëvizje edhe institucionin që vlerëson dhe gjykon, por edhe institucionet e tjera që duhet të plotësojnë dosjen.

Projektligji pritet të kalojë për shqyrtim në komisionet parlamentare përpara se të hidhet në votim për seancën e së enjtes në Kuvend, ndërkohë që ekspertët kërkojnë transparencë më të madhe dhe rivlerësim të tij.

Sipas Zef Preçit, opinionet e tryezës së të hënës dhe analizat e kryera do t’i bashkangjiten në një dokument katër komisioneve të Kuvendit para nisjes së diskutimeve në ditët në vijim./ Erisa Kryeziu Citizens.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news