Krimi i organizuar ka implikuar nivelet drejtuese të Policisë shqiptare

Policia e Shtetit në Shqipëri përmbylli një cikël të ri ndryshimesh në dhjetor, duke filluar nga drejtori i Përgjithshëm dhe deri tek shefat e komisariateve të vendit. Ndryshimi i të gjithë zinxhirit drejtues u motivua publikisht me nevojën për të përmirësuar imazhin e policisë, po aq sa për të rritur parametrat e sigurisë dhe rezultatet në luftën kundër krimit.

Kjo është një betejë e vjetër për Policinë shqiptare, imazhi i së cilës u dëmtua edhe më shumë gjatë dy viteve të fundit nga arrestimi i një duzine oficerësh të lartë, të cilët akuzohen se u vendosën në shërbim të rrjeteve të krimit të organizuar.

Niveli i depërtimit të krimit të organizuar në strukturat e Policisë së Shtetit doli në sipërfaqe përmes komunikimeve të aplikacionit Sky ECC, të cilat iniciuan disa operacione dhe hetime të Prokurorisë së Posaçme.

Sipas Adriatik Agos, ish-drejtues i strukturave të policisë dhe ekspert për sigurinë, këto komunikime ekspozuan implikimin në nivele të larta të Policisë së Shtetit.

Panoramat e reja, të dhënat inkriminuese që sollën këto platforma të komunikimeve elektronike vërtet janë të dhimbshme, kur dëgjon për nivele të larta, për funksione menaxheriale që janë të implikuar. Nga rastet e hetimeve të SPAK-ut, është mëse e qartë që nivele të larta apo funksione të veçanta si në nivelet vendore, ashtu edhe në nivele qëndrore janë të implikuar,” tha Ago.

Mes zyrtarëve të arrestuar, ish-shefi i Forcës Operacionale, Oltion Bistri akuzohet për rrjedhje të informacioneve sekrete për llogari të rrjeteve të krimit të organizuar, ndërsa ish-drejtori i Policisë së Lezhës, Henerigert Mitri akuzohet për lejimin e kultivimit të kanabisit në shkallë të gjerë.

Drejtues të tjerë policie akuzohen se u përfshinë drejtpërdrejt në planet për të eliminuar rivalët apo në kultivimin e kanabisit gjatë viteve 2019-2021.

Drejtuesit e institucioneve që kontrollojnë integritetin e efektivëve të policisë në Shqipëri i quajnë rastet të izoluara, ndërsa pohojnë se kanë ngritur një sërë filtrash për vetëpastrimin e radhëve të uniformave blu.

Nuk bëhet fjalë për një numër shumë të madh për hir të së vërtetës, janë raste sporadike dhe të izoluara po sigurisht që meritojnë vëmendjen jo vetëm të Prokurorisë së Posaçme, por sigurisht edhe të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore,” thotë drejtori i Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore, Florian Sulejmani.

Për vitin 2024 ne kemi një sërë rezultatesh në këtë drejtim, me qëllimin e vetëm pastrimin e strukturave të Policisë së Shtetit nga elementë të inkriminuar dhe që turpërojnë uniformën e Policisë së Shtetit,” shtoi ai.

Vetëm gjatë vitit të fundit, Agjencia e Mbikëqyrjes Policore raporton se ka bërë 272 referime penale për 425 punonjës policie të dyshuar për shkelje të rënda disiplinore që lidhen kryesisht me vepra të shpërdorimin e detyrës, korrupsionin apo ushtrimin e ndikimit të paligjshëm.

Edhe kreu i Standardeve Profesionale në Policinë e Shtetit, Dhimitraq Ziu thotë se janë marrë të gjitha masat që sistemi të vetëpastrohet përmes testeve të integritetit dhe procedimeve disiplinore.

Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit ka marrë një sërë masash dhe po aplikon një sërë detyrash për vetëpastrimin e Policisë së Shtetit. Ato orientohen drejt dhe qartë mbi detyrimet që rrjedhin mbi planin e integritetit të Ministrit të Brendshëm… ku ka për qëllim parandalimin e korrupsionit në strukturat e policisë, promovimin e transparencës, rritjen e profesionalizmit, rritjen e besimit dhe forcimi i mekanizmit të kontrollit të Brendshëm të Policisë së Shtetit,” thotë Ziu.

Megjithatë, ekspertët e sigurisë i shohin me dyshim masat antikorrupsion në radhët e Policisë Shqiptare.

Nuk ka besim Policia te masat antikorrupsion që janë duke u marrë, për assye sepse punonjësit e Policisë nuk shohin ndonjë shembull pozitiv tek drejtuesit e tyre në nivel vendor apo kombëtar dhe pak a shumë edhe me shifra, në një masë shumë të konsiderueshme, strukturat më të korruptuara janë nivelet drejtuese dhe zyrtarët e lartë të policisë në nivel vendor apo kombëtar,” shpjegon Sotiraq Hroni, drejtor i Institutit për Demokraci dhe Ndërmjetësim me qendër në Tiranë.

Hroni thekson se faktori kryesor që ndikon në inkriminimin e policisë së Shtetit lidhet me korrupsionin e gjithëpërhapur në shoqërinë shqiptare. Një rol qëndror negativ duket se luan edhe ndikimi i politikës.

Në masën 74% punonjësit e policisë mendojnë se një nga faktorët kryesorë, ndër më të rëndësishmit në fakt, për nivelin e inkriminimit është edhe ndikimi i politikës,” theksoi ai.

Faktorë të tjerë lidhen sipas tij me procesin e rekrutimit, kulturën e punës apo mungesën e meritokracisë në radhët e Policisë së Shtetit./ BIRN

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news