Opozita kërkon hetimin e Ministrit të Drejtësisë për korrupsion

Partia Demokratike përmes një deklarate të anëtarit të Këshillit Kombëtar të këtij subjekti politik, Çlirim Gjata të shtunën më 16 nëntor, i kërkon Prokurorisë së Posaçme, SPAK që të hetojë ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja për blerjen e një mijë metra katrorë tokë në Farkë, me çmim disa fish më të ulët se tregu.

“Pyetja e parë që shkon për ministrin është si e gjeti këtë pazar, a përdori detyrën si ministër apo u shpërblye për ndonjë favor që ka bërë gjatë kohës si ministër i Drejtësisë?”, u shpreh Gjata dhe shtroi dhe pyetjet nëse ministri ka konlikt interesi dhe pse ish-drejtori i Bashkisë Tiranë, Arben Maoku, i dënuar për ndërtime pa leje ja ka shitur Manjës tokën me një çmim qesharak, në një nga zonat më të shtrenjta të Tiranës.

Në një inevstigim, BIRN ekspozoi faktin se ministri i drejtësisë, Ulsi Manja investoi 3 milionë lekë për blerjen e një mijë metra katrorëve tokë buzë liqenit të Farkës në vitin 2021, me synimin që ta transformojë atë në një pasuri me vlerë qindramijëra euro. Të dhënat e siguruara nga BIRN sygjerojnë dhe ngrenë dyshime se kjo pasuri u përfitua nga Manja duke anashkaluar çmimet e tregut dhe konfliktin e interesit

Transaksionet e kryera nga ministri i Drejtësisë ngrenë pikëpyetje, pasi ai e bleu tokën nën vlerën e tregut nga një zyrtar lokal i Partisë Socialiste dhe synon që ta zhvillojë atë përmes një kompanie fituese të një koncesioni nga qeveria “Rama”.

Gjata rendit në deklaratën e tij ato që i cilëson si shkelje të Manjës. sipas tij, toka truall është blerë poshtë çmimit reference dhe me të njëjtën vlerë që është rivlerësuar nga shitësi, duke shmangur taksat e shtetit.

“Së treti, Manja është shefi i një Task Force antikorrupsioni në qeveri. Është ngritur për të luftuar korrupsionin, por e bën vetë se nuk ka besim te të tjerët”, deklaroi Gjata.

Në vijim Gjata ngre pikëpyetje dhe mbi Prokurorinë e Posaçme, duke sjellë në vëmendje se Manja është shpëtuar njëherë nga SPAK për shpalljen e moskompetencës për dosjen e zgjedhjeve të Dibrës.

Ping-pongu mes SPAK-ut dhe Prokurorisë së Dibrës në vitin 2020 lidhur me kompetencën e çështjes së quajtur “Dosja 184”, që kishte lidhje me blerjen e votive në Dibër në zgjedhjet e pjesshme të vitit 2016, solli parashkrimin e veprave penale të kryera për 11 të akuzuar. Pasi dosja i mbeti Prokurorië së Dibrës, kjo e fundit konkludoi se hetimet kishin “provuar tërësisht” blerjen e votave në Dibër, por për shkak të kohës së kaluar, krimi ishte parashkruar.

Në fund të deklaratës, PD kërkon largimin e menjëhershëm të Ulsi Manjës për korrupsion dhe hetimin e tij.

I pyetur nga BIRN nëse po verifikon dhe po heton këto fakte publike lidhur me ministrin e Drejtësisë Ulsi Manja, SPAK nuk u përgjigj deri në publikimin e këtij shkrimi./ BIRN.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news