KLP lë prokuroritë pa drejtues, merret me “deklaratat politike” të opozitës

Këshilli i Lartë i Prokurorisë (KLP) është shumë i zënë me përgatitjen e deklaratave publike në mbrojtje të prokurorëve të SPAK-ut, aq sa ka harruar të kryejë detyrat e saj kryesore, një ndër të cilat është edhe plotësimi i një sërë vakancash në drejtimin e prokurorive lokale.

Këtë të Hënë (11 nëntor 2024), KLP lëshoi deklaratën e tretë radhazi brenda pak muajsh për ato që i konsideron si “kërcënime serioze për integritetin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri”.

Pa përmendur emra konkretë, qëndrimi i KLP-së duket se i referohet deklaratave politike të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe ish-Presidentit, Ilir Meta, të cilët janë vendosur nën masa sigurie nga Struktura e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK).

Por, në një kohë që kreu i SPAK-ut, Altin Dumani, ka deklaruar më shumë se njëherë se “prokurorët e posaçëm as nuk intimidohen dhe as nuk shantazhohen nga deklaratat publike”, Këshilli i Lartë i Prokurorisë mendon se ata ndihen të frikësuar nga fjalori politik.

Ndërkohë që KLP duket shumë aktiv për t’u përfshirë në debate të natyrës politike, duket se po neglizhon në maksimun detyrat e tij.

Aktualisht, disa prokurori lokale të juridiksionit të përgjithshëm janë pa drejtues, ndërkohë që KLP deklaron se “do të hapë garat në një moment të përshtatshëm”.

Reforma në Drejtësi parashikoi që prokurorët të jenë të pavarur në kryerjen e hetimeve dhe në gjykim. Por, në çdo rast, roli i drejtuesit është i patjetërsueshëm për organizimin e punës dhe përfaqësimin e institucionit.

Aktualisht, disa prokurori në rrethe kryesore janë pa drejtues të emëruar.

Në fund të Korrikut 2024, drejtuesja e emëruar e Prokurorisë së Durrësit, Anita Jella, u emërua në SPAK. Në vendin e saj u caktua për një mandat 3-mujor prokurorja Suela Behluli. KLP nuk shpalli vakancën për plotësimin përfundimtar të këtij pozicioni dhe, në fund të Tetorit, Këshilli i Lartë i Prokurorisë veproi sërish me caktim të përkohshëm, ndërkohë që ende nuk ka hapur garën për zgjedhjen e drejtuesit të ri.

Po në fund të Korrikut, me urdhër të SPAK-ut u arrestua ish-drejtuesi i Prokurorisë së Vlorës, Aurel Zarka. Vetëm në fund të Tetorit, pra kur kishin kaluar tre muaj nga mungesa e drejtuesit, KLP vendosi të caktojë përkohësisht në këtë detyrë prokurorin Erjon Shqarri, ndërkohë që gara për emërimin e drejtuesit përfundimtar ende nuk është hapur.

Në fund të Marsit të këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit (KPK) shkarkon nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Beratit, Dritan Gripshi. Në vendin e tij u caktua përkohësisht, për një periudhë 3-mujore, prokurorja Edina Kurti. KLP ka shtyrë tre herë caktimin e saj në krye të Prokurorisë së Beratit, ndërkohë që ende nuk ka shpallur procedurën për emërimin definitiv të shefit të atij institucioni.

Pak ditë më parë, KLP caktoi Petrit Çanon si drejtues të Prokurorisë së Gjirokastrës për një periudhë 3-mujore. Çano përfundoi mandatin e tij tre-vjeçar në krye të kësaj prokurorie. Por, KLP sërish nuk shpalli garën për drejtuesin e emëruar, duke vijuar skemën e “caktimit të përkohshëm”.

Në të njëjtën mënyrë, KLP caktoi për një afat 3-mujor në krye të Prokurorisë së Korçës dhe Prokurorisë së Kukësit drejtueset me mandat të përfunduar, Dhorina Theodhori dhe Enkelejda Hoxha, ndërkohë që nuk kishte marrë asnjë masë për të shpallur garën për titullar para përfundimit të afatit të zonjave që ishin në funksion.

Dhe, po në të njëjtën mënyrë, në një mbledhje në fund të Shtatorit, KLP vendosi caktimin e përkohshëm 3-mujor për drejtuesit që u mbaroi mandati 3-vjeçar në Prokurorinë e Shkodrës dhe Prokurorinë e Elbasanit, konkretisht Albert Murçaj dhe Kreshnik Ajazi, ndërkohë që duhet të kishte shpallur garën për drejtues para përfundimit të afatit të prokurorëve në detyrë.

Boldnews

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news