Këto ditë, maturantët po u nënshtrohen provimeve përmbyllëse në studimet e detyrueshme të ciklit parauniversitar, por të dhënat zyrtare nga Ministria e Arsimit tregojnë se numri i tyre gjatë 10 viteve të fundit ka pësuar rënie me 34%.
Në vitin 2014, në provimet e maturës morën pjesë 42,318 nxënës, ndërsa këtë vit, rreth 28 mijë maturantë, 14 mijë më pak ose -34%.
Numri i maturantëve këtë vit rezulton të jetë reduktuar me 7% në krahasim me vitin 2023. Reduktimi i të rinjve maturantë do të thotë më pak studentë në universitetet e vendit në të ardhmen. Shumë degë, sidomos ato të mësuesisë, rrezikojnë të mbyllen.
Vitin e kaluar u regjistruan në universitet rreth 22 mijë maturantë, nga rreth 30 mijë gjithsej, teksa shifrat sugjerojnë se këtë shtator, numri i të rinjve drejt auditorëve do të jetë edhe më i ulët.
Nga ana tjetër, tregu i punës po vuan nga mungesa e punonjësve dhe aftësive në të gjithë sektorët. Reduktimi i fuqisë punëtore dhe rënia e cilësisë mësimore (testi PISA 2022) pritet të vështirësojë edhe më shumë situatën, teksa bizneset dhe qeveria janë angazhuar që të përmbushin mungesat me punonjës të huaj.
Rënia e lindjeve, emigracioni i përqendruar në moshat e reja, pritet të çojë numrin total të studentëve që regjistrohen në vit të parë jo më shumë se 10 mijë në vitin 2032 dhe jo më shumë se 50-60 mijë studentë gjithsej në universitete, nga rreth 120 mijë që ishin në vitin akademik 2022-2023.
Ekspertët sugjerojnë se kjo tendencë nuk duhet konsideruar si një sfidë, por një shans për të rritur cilësinë e studimeve në universitetet dhe për t’iu kthyer atyre funksionet që u takojnë në dije dhe në angazhimin në shkencë.
Zhvillimet demografike dhe ato të teknologjisë tregojnë se në dekadat në vijim, degët e TIK-ut dhe të shëndetit do të jenë ofruesi i madh i vendeve të punës në të gjithë botën. Kjo tendencë po vihet re edhe tek universitetet shqiptare në të cilat në vitet e fundit ka një përqasje më të mirë për të përzgjedhur.
Në Universitetin e Tiranës, programi i studimit që kishte më shumë interes ishte informatika me Financa, Informatika Ekonomike dhe Drejtësia që pothuajse ezauruan kuotat që në raundin e parë, ndërsa degët që kishin më pak interes ishin gjuhët e huaja, ku në raundin e parë mbeten mbi 90 për qind të kuotave të lira.
Gjithashtu degë të tilla si shkencat politike, Fizika, Historia, Gjuhë -letërsia, arkeologjia, Biologjia, Filozofia kishin mbi 70-80 për qind të kuotave të lira në raundin e parë./ Monitor





