Gëzim Saliu
Çollaku: Pse hesht mazhoranca, ku janë fshehur enveristët “antifashistë”?
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, ka shprehur dje vlerësimin e tij dhe forcës politike që përfaqëson për 70-vjetorin e zbarkimit të trupave aleate në Normandi, ngjarje e cila shënoi edhe fundin e fashizmit në Evropë. Duke shprehur respektin për të rënët, Basha tha se Evropa gëzon sot lirinë e fituar pikërisht 70 vite më parë në ditën e njohur si “D Day”. “Sot 70 vite më parë, Evropa dhe krejt bota njohën trimërinë dhe vendosmërinë e mijëra e mijëra djemve të rinj, ushtarë aleatë që zbritën në brigjet e Normandisë në një aksion që ndryshoi fatin e Evropës dhe popujve që jetonin nën pushtim. Na takon të gjithëve të tregojmë respektin e merituar për këtë ditë të njohur si “D Day”, dita kur dielli i lirisë shndriti mbi një Evropë të zhytur në muzgun e pushtimit, luftës dhe gjakderdhjes. Evropa dhe kombet e saj gëzojnë sot e kësaj dite lirinë që nxori sythin e parë në Normandi, 70 vite më parë”, – tha kryedemokrati. Ndërkaq, Basha nënvizoi në mesazhin e tij faktin se sakrificat e aleatëve perëndimorë duhen nderuar dhe respektuar vazhdimisht, pasi sipas tij, harresa për këtë ngjarje është e pafalshme. “Por paqja, zhvillimi dhe liria asnjëherë nuk mund të merren si të mirëqena. Ndaj sakrificat më të mëdha njerëzore të miqve dhe aleatëve perëndimorë duhen nderuar, respektuar dhe selitur vazhdimisht me vëmendjen e duhur. Harresa është thjesht e pafalshme”, – pohoi kreu i PD-së.
Ish-zv.ministri i Jashtëm
Lidhur me ngjarjen e djeshme ka reaguar edh ish-zv.ministri i Jashtëm Kreshnik Çollaku, i cili kritikoi heshtjen e mazhorancës për 70-vjetorin e zbarkimit të aleatëve perëndimorë në Normandi që shënoi dhe fundin e fashizmit në Evropë. Duke mos e kujtuar këtë ditë, sipas Çollakut, mazhoranca nuk është antifashiste aq sa e shet veten. “Sot është 70-vjetori i “D Day”, thënë ndryshe 70-vjetori i zbarkimit të aleatëve perëndimore, sidomos anglo-amerikanë në Normandi. Në të gjithë Evropën Perëndimore kjo vlerësohet si dita që përcaktoi triumfin ndaj fashizmit me Evropë. Sot gjithë Evropa Perëndimore feston këtë ditë. Çuditshëm shoh se mazhoranca shqiptare sot po hesht. Asnjë deklaratë e jo me festim përkujtimor. E pra kjo është dita evropiane antifashiste. Pse heshtin enveristët “antifashistë”, në Shqipëri? A e njohin historinë deri te Kongresi i Përmetit?”, – pyeti ai. Sipas tij, mosreagimi i mazhorancës për një ngjarje të rëndësishme historike si 70-vjetori i zbarkimit të trupave aleate në Normandi, vërteton se të majtët nuk janë aq sa shfaqen si antifashistë. “Unë mendoj se kjo është dita që tregon qarte se enveristët shqiptarë nuk janë antifashistë. Në fakt, nuk kanë qenë kurrë, ata janë vetëm filorusë apo filosovjetikë. Dita e sotme është dita e antifashizmit në favor të demokracisë. Sot mazhoranca hesht, ajo pret të festojë antifashizmin në favor të diktaturës”, – shkruante Çollaku në rrjetin social “Facebook”.
Reagimi/ PD: Kokat e krimit në administratë, Rama përgjegjësi kryesor për emërimet
Vorpsi: Në 9 muaj, banditët dhe trafikantët e drogës kanë marrë de fakto pushtetin
Partia Demokratike akuzon Kryeministrin Edi Rama si përgjegjës për emërimet kriminale në administratë. Zëdhënësja e selisë blu, Laura Vorpsi, tha dje se përballë skandaleve të njëpasnjëshme me emërimet në administratë, kreu i qeverisë ka zgjedhur t’i fshihet përballjes me parlamentin dhe publikun, duke sajuar, sipas saj, udhëtime jashtë vendit. “Kryeministri Edi Rama mund të sajojë udhëtime jashtë vendit, mund të realizojë fundjava të gjata turistike, por asgjë nuk e shpëton atë nga përgjegjësia që ka për t’u përballur me faktet skandaloze të kriminalizimit të administratës. Kriminalizimi i administratës, kapja e posteve kyçe dhe e zyrave të rëndësishme të shtetit, nga klanet mafioze me kokën në Kryeministri e Parlament, dhe me zgjatimet si metastazë në zyra, drejtori e deri tek krerët e Këshillit të Qarkut, ka vetëm një përgjegjës, Edi Ramën”, – tha Vorpsi.
Emërimet
Sipas Partisë Demokratike, në këta 9 muaj të pushtetit të mazhorancës së majtë, rekordmenët e shkeljes së ligjit si edhe trafikantët e drogës, jo vetëm kanë riaktivizuar aktivitetin e tyre kriminal, por kanë marrë de fakto pushtetin. “Si një rrjetë e zezë merimange, ata kanë kapur administratën nga zyrat e rretheve deri tek aparati qendror i pushtetit. Teksa kjo ndodh, dhe zbulohet çdo ditë nga opozita, Edi Rama i fshihet përballjes në Parlament, i fshihet medias dhe niset për fundjavë turistike jashtë vendit. Asnjë fjalë për përgjegjësinë e tij kur i dha drejtimin e Këshillit të Qarkut të Vlorës një njeriu që në vitin 2000 ka qenë pjesë e një bande gjakatare që rrëmbeu vajzën e një biznesmeni dhe që planifikoi vrasjen dhe zhdukjen e pengut”, – tha zëdhënësja e selisë blu. Më tej, Vorpsi theksoi se Kryeministri nuk ka mbajtur asnjë përgjegjësi edhe për dhjetëra raste të tjera të denoncuara nga opozita për emërimet e njerëzve me të shkuar të lidhur me kriminalitetin dhe trafikun e drogës në poste të larta në administratë. “I rrethuar nga këta kriminelë, i sponsorizuar dhe i mbështetur prej tyre në fushatë dhe sot në parlament, Edi Rama vetëdenoncohet çdo ditë si kumbari i kësaj ndërmarrje të përbashkët qeveritaro-mafioze. Kjo është e patolerueshme për çdo komb që respekton veten dhe nderin e tij. Kjo duhet të marrë fund një orë e më parë”, – pohoi zëdhënësja e Partisë Demokratike. Dy ditë më parë, palët politike nuk arritën të gjejnë konsensusin mes tyre për ngritjen e komisionit hetimor për administratën. Kuvendi pasi dëgjoi propozimet e mazhorancës dhe opozitës vendosi që kërkesa të votohej javën tjetër, si një mundësi më shumë në kuadër të arritjes në një pikë të përbashkët lidhur me këtë çështje. Të majtët ranë dakord në Parlament me ngritjen e komisionit hetimor, por kërkuan të ndryshojnë objektin e hetimit, që çështja të fillojë që nga viti 2009. Ky qëndrim u prit me kundërshti të forta nga ana e opozitës, e cila theksoi se ndërhyrjet e mazhorancës në një të drejtë që është kushtetuese janë të pakuptueshme dhe kërkojnë të shmangin sipas demokratëve hetimin e emërimeve të dyshimta në 9 muaj pushtet të qeverisë “Rama”.




