Nga rrënimi i Spanjës, më pas i Brazilit dhe shpallja e gjermanëve kampionë bote. Disa momente të veçanta në Brazil 2014 tërhoqën vëmendjen e mbarë botës së futbollit
Brazil 2014 ishte një kompeticion, i cili dhuroi shumë, si në aspektin sportiv, edhe të spektaklit. Një maratonë e palodhur golash, emocionesh, lotësh dhe surprizash që për një muaj arritën të pushtonin vëmendjen e mbarë botës. Surprizat e para ishin eliminimet e ekipeve të mëdha të këtij turneu. Spanja, kampionia e botës në Afrikë 2010, Italia e Balotelit dhe Anglia, që gjithmonë niset si favorite, por nuk arriti të shkonte larg. Kafshimi i Suarezit do të bënte zhurmë të madhe në rrjetet sociale dhe në media. Më pas portierët, me në krye Oçoan, magjepsën me pritjet e tyre, duke u kthyer si rrallëherë në një faktor mjaft të rëndësishëm për triumfet e skuadrave. Xhejms Rodrigez do të ishte sensacioni që do të mahniste me performancën e tij, duke u kthyer në një yll të ri të futbollit botëror. Ndërsa gjysmëfinalja do të sillte edhe rrënimin e madh të Brazilit që ishte deri para ndeshjes me Gjermaninë ekipi që duhej mundur. Mirëpo pancerat i shtypën lehtë, duke i poshtëruar me rezultatin 7-1. Finalja ishte mjaft emocionuese dhe transmetoi shumë magji brenda harkut të 120 minutave. Nga sfida Gjermania doli edhe kampionia më e re e botës në futboll, pasi ka mposhtur Argjentinën me rezultatin 1-0 në stadiumin “Maracana” të Rios. Momente magjike këto, por që nuk u lanë mbrapa nga vëmendja e botës dhe mendja e njerëzve që për 4 vite do të kenë shijen e këtij Brazili 2014.
Eliminimi i kampionëve të botës Afrikë 2010
Eliminimi i Spanjës nga Kupa e Botës Brazil 2014 dha një mesazh dhe një pikë të fortë kthese në zhvillimet e futbollit modern, duke pasur parasysh faktin se Spanja ka dominuar futbollin botëror për afro 10 vjet, qoftë në nivel klubesh, dhe sidomos në nivel kombëtareje në gjashtë vjetët e fundit. Skuadra spanjolle ishte shndërruar në një makth të madh për të gjitha përfaqësueset evropiane e botërore, për shkak të cilësisë së lartë teknike në interpretim, një futboll me pasa të shkurtër, të shpejtë e të saktë, koordinuar me zhdërvjelltësi në lëvizjen e reparteve dhe në efikasitetin e madh të rezultatit. Përveç kësaj, loja spanjolle e njohur edhe si “tiki-taka” e famshme shpikur nga Barcelona, ishte bërë tërheqëse për sportdashësit anembanë botës, por siç ndodh me çdo shpikje, vjen një moment kur perëndon dhe Spanjës i erdhi fundi, gjë që e vërtetuan dy humbjet radhazi në fazën e grupeve të këtij Botërori. Mediat botërore kanë evidentuar këtë fakt të rëndësishëm, por në fund kanë ditur të falënderojnë Spanjën për bukurinë që i ka dhënë futbollit.
Kafshimi i Suarezit
Futbollisti i Uruguait, Luis Suarez, humbi pjesën e eliminatoreve të Kupës së Botës, pasi u vërtetua se kafshoi lojtarin e kombëtares italiane, Xhorxho Kielini. Federata Botërore e Futbollit hapi procedurë disiplinore kundër sulmuesit uruguajan pas ndeshjes midis Uruguait dhe Italisë, e cila përfundoi në favor të uruguajanëve. Kielini deklaroi se Suarezi e kafshoi atë në krahun e majtë, por Suarezi e mohoi një gjë të tillë, duke thënë se u përplas dhe asgjë më tepër. Kjo mjaftoi që në rrjetet sociale të postoheshin shumë fotomontazhe, ku Suarezi shihet në mënyra të ndryshme, si një vampir ose në kokore qeni. Kjo është hera e tretë që Suarezi kafshon, pasi më herët e kishte bërë edhe te Ajaksi në vitin 2010 dhe në Liverpul në vitin 2013. Një kafshim që duhet thënë se bëri bujë të madhe dhe solli shumë zhurmë në arenën e Botërorit. Mirëpo pas kësaj erdhën edhe pasojat. FIFA hodhi poshtë apelimin e Uruguait kundër dënimit prej 4 muajsh dhe 9 ndeshjesh me kombëtaren për Luis Suarezin, duke u shpallur fajtor për kafshimin ndaj Kielinit. Ky vendim konfirmoi edhe atë që u dha në 25 qershor, ndërsa tashmë çështja ndodhet në Gjykatën e Lozanës.
Tim Hauard për President
Jo më i mirë se Nojeri, por hero për Amerikën. Paraqitja e shkëlqyer e portierit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Tim Hauard, kundër Belgjikës ka bërë që tifozët të shpërthejnë nëpër rrjetet sociale. Ka nga ata madje që kanë shprehur edhe dëshirën që portieri të jetë Presidenti i ardhshëm amerikan. Në fund të përballjes me Belgjikën, Shtetet e Bashkuara u mundën me rezultatin 2 me 1, megjithatë performanca e Hauardit ka mbetur në kujtesën e shumë tifozëve, të cilët e konsiderojnë atë si heroin e ekipit amerikan. Portieri arriti që të bënte 16 pritje vendimtare duke thyer rekordin e vendosur në vitin 1996. Një ndeshje sensacionale për portierin që kështu arriti të rrëmbente zemrat e amerikanëve dhe gjithë botës. Pas ndeshjes shpërthyen komentet në Amerikë që përgëzonin lojtarin. Për Amerikën ishte edhe një thyerje rekordi kjo ndeshje, pasi arritën të thyenin rekordin e shikueshmërisë. Sipas statistikave, 7 në 10 amerikanë kanë parë ndeshjen, duke e rritur shumë vëmendjen ndaj futbollit. Të gjitha gazetat amerikane shkruan dhe thurën e elozhe për skuadrën e tyre. Shumë e komentuan si ekip flori, edhe pse u eliminuan. Ndërsa vëmendjen kryesore e morri kapiteni Hauard. Kjo ndeshje gjithashtu pati edhe një vëmendje të madhe, pasi ishte një ndër të veçantat ditë, kur amerikanët, edhe pse u eliminuan, ndiheshin të lumtur për arritjet e tyre. Ndërkohë, edhe kolegët e Hauardit në portat e kombëtareve të tjera tërhoqën vëmendje. Navas i Kosta Rikës apo edhe Oçoa i Meksikës gjithashtu bënë paraqitje shumë të mira, ndërsa më i mirë i turneut ishte gardiani gjerman Nojer.
Gana në dyshim për trukim ndeshjesh
FIFA ende po vazhdon të punojë me këtë lajm, por ky ishte një lajm që bëri xhiron e botës. Akuza të rënda trukimi bien mbi skuadrën ganeze, që ishte një prej skuadrave të Botërorit. Gazeta britanike “Telegraph”, përmes një investigimi, ka demaskuar presidentin e Federatës Ganeze, Kvesi Njantakji, se si bie dakord që të organizojë miqësore me kombëtare të tjera për llogari të mafies së trukimeve. Gazetarë të së përditshmes investigative, të ndihmuar nga një ish-hetues i FIFA-s, për 6 muaj me radhë u hoqën si përfaqësues të një kompanie investimi, e cila kërkonte të “sponsorizonte” ndeshje miqësore, me qëllim më pas trukimin e rezultatit të tyre. Ata kërkojnë të takohen me presidentin e federatës afrikane me ndërmjetësimin e Kristofer Forsythe, agjenti i FIFA-s, njeriu që bën ndërlidhësin e gazetarëve me federatën ganeze. Forsythe e takon gazetarin e “Telegraph” me një nga drejtuesit e lartë të federatës ganeze, Obed Nketiah, në Londër. Ata bien dakord që kompania fantazmë e investimit të paguajë 170 mijë dollarë për ndeshje në mënyrë ata t’i zgjidhnin me dorë arbitrat që do të bënin trukimin e rezultatit. Si Forsythe, ashtu edhe Nketiah mburren në bisedën me gazetarin se ata kanë në dorë që të korruptojnë arbitrat dhe organizojnë ndeshje miqësore me skuadra kombëtare që nuk kanë asnjë dijeni për atë që ndodh. Në fillim të këtij muaji, Forsythe dhe Nketiah u sigurojnë gazetarëve edhe një takim me presidentin e federatës, Kvesi Njantakji, në Majami në një hotel me 5 yje, ku Kombëtarja e Ganës luante miqësoren me Korenë e Jugut përpara nisjes drejt Brazilit.
Poshtërimi i 5 herë kampionëve të botës
Ishte menduar si një gjysmëfinale klasike mes dy emrave legjendë të futbollit botëror, ku pritshmëritë për të parë një duel deri në frymën e fundit ishin të mëdha, por në fund fusha dhe rezultati tregoi të kundërtën. Gjermania turpëroi 7 me 1 në Belo Horizonte të zotët e shtëpisë, Brazilin, skuadrën që kurrë nuk kishte njohur një poshtërim të tillë në historinë e vet të lavdishme. Një humbje që nuk është shumë ta konsiderohesh një tragjedi të vërtetë futbollistike, ndoshta më shumë se kaq, një goditje e madhe për kombin brazilian, i cili me këtë sport krenohet. Skuadra e Skolarit luajti vetëm 10 minuta në fillim të takimit, e cila e shtyrë nga tifozeria e jashtëzakonshme, vuri në presing Gjermaninë, por Nojeri ishte në lartësinë e duhur. Gjermanet të ftohtë, siç edhe natyra e tyre është, e të vendosur në perfeksion taktikisht në fushë në momentin e parë goditën kundërshtarin me anë të Mylerit në minutën e 11-të. Pas këtij goli Brazili ishte thjesht një skuadër mediokre, pa identitet dhe pa pika referimi në fushën e lojës, ndërsa gjermanët ishin thjesht ta pamëshirshëm, duke shënuar plot 4 gola në 6 minuta. Në fillim me anë të Kloses që me 16 gola në 4 kupa bote thyen rekord dhe hyn në histori, ndërsa më pas ngjitet në katedër Kros me dy gola të shpejtë. Në të 29-ën është radha e Kedirës për t’i çuar shifrat ne 0 me 5. Brazili është në tapet, më i turpëruar se kurrë. Stadiumi nis të boshatiset dhe lotët nuk përmbahen më. Gjermania nuk fal as në pjesën e dytë, duke shënuar 2 gola të tjerë me anë të Shyrles, ndërsa Oskar realizoi golin e vetëm të brazilianeve në minutën e 90-të. Mbyllet këtu me turp për Brazilin kjo Kupë e Botës si vend organizator, ndërsa Gjermania siguroi finalen e 8-të në këtë eveniment në mënyrën më të pabesueshme.
Gjermania, katër herë kampione bote
Gjermania është kampion i ri i botës! Gjermania në finale pas 120 minutave mposhti me rezultat 1:0 Argjentinën e Lionel Mesit. Ky është titulli i katërt në histori për gjermanët, pasi të parin e kanë fituar në vitin 1954, pastaj në vitin 1974, 1990 dhe 2014! Lionel Mesi lëshoi rastin më të mirë në karrierë të tij që ta shijojë titullin e parë për të apo të tretin për Argjentinën. Në minutën e 113-të gjithçka u rrënua për argjentinasit, kur zëvendësuesi Mario Gëtze (i futur në lojë në minutën e 88-të) shënoi golin e fitores së madhe. Gjermania e para e botës, Mesi me shokë të pikëlluar e lot në sy lëshuan fushën. Përballja e “elefantëve” në kohën e rregullt përfundoi pa gola (0:0), me gjithë disa raste të mira shënimi qoftë të njërës palë dhe skuadrës tjetër. Pas 120 minutave fiton Gjermania e madhe!!! Lojë e pëlqyeshme, raste, emocione dhe atmosferë e zjarrtë në stadiumin “Maracana” në Rio de Zhanejro. Rreth 75 mijë tifozë të pranishëm në stadium panë lojë të nivelit të lartë, por edhe disa herë ishin në emocione të thella. Pa dyshim, në Rio ishte një pamje sa mahnitëse aq edhe drithëruese, qoftë në stadium, qoftë jashtë saj, kudo ishte festë e madhe. Futbollistët treguan angazhim e lojë të mirë deri në pikën e fundit. Te dyja kombëtaret luftuan në maksimum dhe nuk kursyen asgjë për 120 minuta. Një finale ashtu si i ka hije në mes dy kombëtareve më të mira e me plotë yje në radhët e tyre. Lionel Mesi me Argjentinën dhe Tomas Myler me Gjermaninë, treguan lojë të pastër e përplot imagjinatë. Të pranishëm në stadium edhe shumë personalitete të sferave të ndryshme që nga Kancelarja gjermane Angela Merkel, Presidenti i FIFA-s, Sep Blater etj.




