Kalojnë 15 ditë/ Nëpunësit e administratës, peng të “Fletores zyrtare”, vendimi i Kushtetueses nuk botohet

Gëzim Saliu

 

Që prej 5 shkurtit, kur u publikua vendimi i Kushtetueses, janë botuar 7 “Fletore zyrtare”

 

nepPas 15 ditësh nga zbardhja e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, i cili rrëzoi aktin normativ të qeverisë për shtyrjen me 6 muaj të ligjit të “Nëpunësit civil”, ende ky vendim nuk është publikuar në “Fletoren zyrtare” për të hyrë në fuqi si i tillë. Kur vendimi i Kushtetueses ka mbërritur në Qendrën e Botimeve Zyrtare prej më shumë se 13 ditësh, kjo e fundit në varësi të qeverisë, ende nuk e ka botuar atë, gjë që për rrjedhojë bën të mundur që akti normativ të jetë në fuqi dhe jo ligji i ri i “Nëpunësit civil”. Ndërkohë, me projektligjin e miratuar para një jave në mbledhjen e Këshillit të Ministrave për disa ndryshime në ligjin e “Nëpunësit civil” qeveria synon pikërisht “mbrojtjen” ndaj vendimit të Gjykatës me synim shtyrjen e hyrjes në fuqi të tij. Problemi në këtë çështje qëndron në faktin se ndryshimet ligjore nuk mund të kalojnë me procedurë të përshpejtuar e në këtë kontekst mospublikimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese në “Fletoren zyrtare” ka qenë një ndër zgjidhjet e ekzekutivit për të bërë të mundur ndërhyrjen në ligj.

 

Çështja

Më 30 shtator të vitit 2013, qeveria miratoi aktin normativ që shtynte efektet e ligjit “Për nëpunësin civil”, të votuar me konsensus mes palëve, deri më 1 prill. Në atë kohë, akti normativ i qeverisë u publikua brenda 24 orëve në “Fletoren zyrtare”, ku ndërkohë ndryshe po ndodh me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, i cili e rrëzoi këtë akt. Qëndrimi i qeverisë pas zbardhjes së vendimit që rrëzoi aktin normativ si antikushtetues u bë i ditur nga ministrja për Inovacionin dhe Administratën, Milena Harito, e cila pohoi se “akti normativ i qeverisë për nëpunësin civil është në fuqi derisa vendimi i Gjykatës Kushtetuese të botohet në “Fletoren zyrtare””. Ndërkohë, thuajse një javë më parë në mbledhjen e qeverisë, u vendos projektligji për ndryshimin e ligjit të “Nëpunësit civil”, në të cilin përcaktohej se cilët do të ishin hapat që do të ndërmerren në rastet e punonjësve të administratës që largohen nga puna për shkak të rikonstruksionit apo mbylljes së institucionit. “Njësia përgjegjëse, 1 (një) muaj përpara, njofton nëpunësin civil për fillimin e procedurës së mbylljes të institucionit. Në këtë rast, nëse nuk ka mundësi transferimi sipas pikës 2, të këtij neni, nëpunësi lirohet nga shërbimi civil duke i dhënë si dëmshpërblim pagën e 1 (një) muaji nëpunësve civilë, që kanë deri në 1 (një) vit eksperiencë pune si nëpunës civilë, pagën e 2 (dy) muajve nëpunësve civilë, që kanë nga një deri në 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë, dhe pagën e 3 (tre) muajve nëpunësve civilë, që kanë më shumë se 5 (pesë) vjet eksperiencë pune si nëpunës civilë”, – thuhej në projektligjin e qeverisë. Nga ana e saj opozita e ka kundërshtuar fort këtë projektligj, duke theksuar se përmes saj qeveria synon që në administratë të mos ketë nëpunës që gëzojnë statusin civil. Ndërkohë dy ditë më parë Parlamenti Evropian bëri thirrje ndaj qeverisë që të tregojë kujdes me ekspertët. Raportuesi për Shqipërinë në PE, Nikola Vuljaniç, kritikoi shkarkimin e ekspertëve nga administrata publike ku tha se ndryshimet në nuk duhet të bëhen në kurriz të ekspertizës.

 

 

 

Në Tiranë
Venizelos takon Ramën dhe darkon me Janullatosin: Shqipëria të marrë statusin sa më parë
Mbrëmjen e djeshme ka mbërritur në Tiranë zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Evangelos Venizelos, me cilësinë e kryesuesit të radhës të Bashkimit Evropian. Diplomati i lartë grek ka zhvilluar një takim kokë më kokë me Kryeministrin Edi Rama, ku në qendër të diskutimit ka qenë axhenda evropiane e Shqipërisë si edhe mbështetja e Greqisë në këtë kuadër. Kryeministri Rama e njohu Ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë edhe me reformat e ndërmarra nga Qeveria shqiptare, kryesisht në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit. Nga ana e tij Venizelos vlerësoi angazhimin e Qeverisë shqiptare dhe e siguroi kreun e qeverisë se marrja e statusit të Shqipërisë gjatë Presidencës greke të BE-së është një prioritet kyç i kësaj presidence. Ndërkohë, pas takimit me kreun e qeverisë, ministri Venizelos darkoi me Kryepeshkopin Janullatos. Ditën e sotme, ministri i Jashtëm grek do të takohet me homologun e tij Ditmir Bushati, Presidentin e Republikës Bujar Nishani dhe kryetarin e Partisë Demokratike Lulzim Basha. Në orën 15:00, është parashikuar konferenca për shtyp e ministrit të Jashtëm grek, pranë Qendrës së Informimit Evropian. Tirana është stacioni i fundit i turit të zyrtarit të lartë grek në rajon, në kuadër të turit të vizitave në Ballkan, në cilësinë e kryesuesit të Këshillit të Ministrave të Bashkimit Evropian. Në vizitën e djeshme në Maqedoni, zv.kryeministri grek pohoi se qëllimi i shtetit që ai përfaqëson është që Shqipërisë t’i jepet sa më shpejt që është e mundur statusi i vendit kandidat në Bashkimin Evropian. “Shpresa dhe dëshira jonë është që të organizojmë një debat të ri për të ardhmen evropiane të Shqipërisë, gjatë gjysmës së parë të Presidencës greke, për t’i dhënë Shqipërisë statusin e vendit kandidat”.

Takimi
Ministri i Jashtëm me drejtorin e Zgjerimit në KE: Parësore, lufta ndaj korrupsionit
Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati, deklaroi dje se qeveria shqiptare do të mbajë angazhimet për vendosjen e plotë të shtetit ligjor dhe të luftës ndaj korrupsionit. Kreu i diplomacisë shqiptare priti dje në takim drejtorin e Përgjithshëm për Zgjerimin në Komisionin Evropian, Christian Danielsson, ku shprehu vlerësimin për rolin e KE-së, si një partner i besueshëm në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Ai siguroi për angazhimin dhe vullnetin e plotë të qeverisë shqiptare për të konsoliduar progresin e shënuar, të vlerësuar si nga raporti i progresit i Komisionit Evropian, ashtu dhe nga Këshilli Evropian në dhjetor 2013. Ministri vuri në dukje se në fokusin e përpjekjeve të qeverisë janë reformat që lidhen me sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, reformimin e gjyqësorit etj. Ndërkohë nga ana e tij, Danielsson theksoi rëndësinë që Komisioni i kushton mbështetjes së Shqipërisë në rrugën e integrimit. “Shprehje e kësaj mbështetjeje, është dhe dialogu i nivelit të lartë midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian lidhur me përparësitë kyçe të identifikuara nga Raporti i Progresit i Komisionit Evropian”, – tha ai. Në këtë kontekst, drejtori i Përgjithshëm për Zgjerimin shprehu vlerësim për planin e veprimit që po hartojnë institucionet shqiptare për përmbushjen e këtyre përparësive. Ai vlerësoi progresin e Shqipërisë në reformat që lidhen me procesin e integrimit evropian dhe theksoi rëndësinë që duhet t’i kushtohet vazhdimësisë së tyre dhe siguroi për vlerësimin objektiv të këtij progresi nga ana e Komisionit Evropian.

 

Share it :