Gëzim Saliu
“Emërimet kriminale e bëjnë rendin sot njësoj si shprehja ia kanë varur ujkut mëlçitë në qafë”
“Mazhoranca në vitin e nusërimit të saj është më keq se në vitin e fundit të qeverisjes sonë, që ishte vit elektoral”
Qeveria ka dështuar në 300 ditët e para të saj në detyrimin primar ndaj qytetarëve që lidhet me garantimin e rendit dhe sigurisë publike në vend. Kështu u shpreh dje kreu i Partisë Demokratike dhe opozitës Lulzim Basha në konferencën e organizuar për rendin e sigurinë në vend, me pjesëmarrjen e specialistëve dhe njohësve të fushës, duke theksuar se shifrat e bëra publike tregojnë të kundërtën e premtimit të socialistëve para ardhjes në pushtet. “Është një dështim i bujshëm në raport me premtimin, me saktë me tullumbacen e madhe të Ramës dhe ministrit të tij të Brendshëm për të “kthyer policinë në detyrë” dhe për të “vendosur rendin brenda treqind ditëve”. Shifrat që u paraqiten këtu, që janë marrë nga raportet dhe buletinet zyrtare të Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, janë totalisht e kundërta e asaj që kanë premtuar. Këto shifra justifikohen vetëm po të kishin premtuar largimin e policisë nga detyra dhe prishjen e rendit brenda treqind ditëve. Në fakt këtë kanë bërë”, – tha Basha.
Deklarata
Sipas kryedemokratit, shifrat e një viti më parë që i takojnë qeverisjes së demokratëve janë shumë herë më rezultative se sa ato të mazhorancës aktuale qeverisëse në fushën e rendit dhe sigurisë. “Etaloni ynë janë standardet evropiane që synojmë të arrijmë. I përmendim shifrat dhe i bëjmë krahasimet për t’i përballur me marrëzinë dhe gënjeshtrat e tyre, për t’u treguar Ramës me shokë se sa absurdë dhe amatorë janë në qasjet e tyre për punët e rendit, për t’u provuar se edhe në vitin e nusërimit të tyre jo nuk janë më mirë, por janë me keq se në vitin e fundit të qeverisjes sonë të shkuar, që ka qenë një vit elektoral, që zakonisht nuk është si çdo vit tjetër”, – theksoi Basha. Duke marrë parasysh këtë situatë, lideri i opozitës pohoi se qytetarët janë të rrezikuar e të kërcënuar nga hovi që ka marrë krimi dhe kriminaliteti në vend. Në këtë kontekst duke marrë në konsideratë edhe denoncimet e vazhdueshme të demokratëve për emërimet e personave të lidhur me krimin dhe korrupsionin në administratë, Basha tha se nuk është e tepërt të thuhet se për rendin sot, vlen shprehja popullore, ia kanë varur ujkut mëlçitë në qafë. “Kjo gjendje na indinjon. Na thërret për një aksion qytetar e politik duke nisur nga A-ja që është të themi të vërtetën ashtu siç është me vendosmëri, me paanshmëri, me fakte konkrete dhe argumentim konkret siç po bëjmë edhe sot. Kjo rrugë na çon drejt nxjerrjes në pah me vërtetësi të plotë të shkaqeve se pse ndodhemi sot këtu, të shkaqeve të përkeqësimit të gjithë treguesve të rendit dhe sigurisë, por po kështu pas evidentimit të shkaqeve, pas nxjerrjes në pah të paaftësisë nga njëra anë, dhe paligjshmërisë nga ana tjetër si arsyeja themelore të gjendjes ku ndodhemi, thërret për një reflektim të fortë për atë që na pret”, -tha ai. Më tej, kreu i PD-së nënvizoi se pavarësisht situatës së rënduar, opozita do të bëjë gjithçka për të kontribuar në përmirësimin e situatës së rendit dhe sigurisë publike në vend. Por nga ana tjetër, nënvizoi Basha, premisat nuk janë aspak të mira, dhe përkeqësimi i rendit dhe sigurisë publike do të thellohet: “Sa kohë që rendi vazhdon të jetë sektori ku krimi nuk luftohet, por punësohet, ku interesat kriminale të përfitimit të paligjshëm e kriminal janë forca lëvizëse aty,dhe jo ligji, jo interesi publik”.
Mesazhi i Bashës për ambasadorët e BE-së
“Një mesazh të veçantë dua t’i drejtoj sot faktorit ndërkombëtar, ky nuk është momenti për të qëndruar larg dhe për t’i parë punët cekët. Ne kërkojmë dhe duam bashkëpunim me ju për një investim të përbashkët që është sot nën kërcënimin më të madhe e të drejtpërdrejt për demokracinë, për vlerat, për shtetin ligjor që është sot nën kërcënimin më të drejtpërdrejt të vendosjes së regjimit oligarkik me sfond kriminal dhe mafioz të një gangokracie që synon të zëvendësojë demokracinë e qytetarëve”.
Kreu i PD-së për Lazaratin/ “S’na u tha sa drogë u kap, kush ishin krerët e rrjetit. Po tiganiset vetëm “sardelja” Gate”
Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, në konferencën e djeshme me foli edhe lidhur me operacionin e zhvilluar pak kohë më parë në Lazarat, ku theksoi mungesën e transparencës për sasinë e drogës së kapur si edhe për përgjegjësit kryesorë të këtij trafiku. Sipas Bashës, mazhoranca qeverisëse trumbetoi vetëm kapjen e Gate Mahmutajt, i cili sipas kryetarit të opozitës është e vetmja “sardele” që po tiganiset për spektakle televizive. “ Qeveria Rama-Meta nisi disa prej aksioneve, qoftë këto të shartuara me dëshirën e papërmbajtshme për spektakël televiziv, qoftë këto të shartuara me mosarritjen e objektivave profesionale dhe me “tiganisjen” – stigmatizimin e një individi, po ku akoma nuk kemi një bilanc të plotë sesa drogë u kap, sa drogë u gjet, sa drogë parashikohej të gjendej, cilët janë krerët e kësaj pune, por çdo mëngjes, drekë dhe darkë, “sardelja” që tiganiset në tigan është Gate Mahmutaj, a thua se aty fillonte dhe mbaronte problemi”, – deklaroi Basha.
Rasti i denoncuar/ Bylykbashi: Rama hesht për goditjen dhe kërcënimin e opozitës, se është vetë autori
Deputeti i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, reagoi dje lidhur me mosreagimin e kreut të qeverisë një javë pas goditjes dhe kërcënimit të deputetit të kësaj force politike në Parlament. Kjo heshtje e Kryeministrit të vendit sipas demokratëve lidhet me faktin se është vetë Rama që ka orkestruar sulmin ndaj deputetit Strazimiri. “Edi Rama fillimisht angazhoi Xhaçkën dhe kërkoi emra dhe prova e më pas me gjeste e sinjale padrinoje ndërseu strukturën e tij të dhunës të cilët goditën dhe kërcënuan deputetin Strazimiri në korridorin e Parlamentit. Si personi që eliminoi dy gra kandidate nga lista për t’i hapur rrugën hyrjes në parlament të Arben Ndokës, Edi Rama hesht edhe për kërcënimin që deputeti i tij i bëri zëdhënëses së Partisë Demokratike. Hesht për këto akte kriminale që do të skuqnin faqe publikut e qytetarëve të tij, çdo kryeministër të botës. Hesht sepse është ai autori i vërtetë i goditjes dhe dhunimit të deputetit të opozitës. Hesht, sepse është ai autori i vërtetë i kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të opozitës”, – tha deputeti i PD-së, duke theksuar se kreu i qeverisë ka orkestruar veshjen e përfaqësuesve të botës së krimit me kostumin parlamentar. “E ka bërë këtë pikërisht që ti përdorë ata për të goditur opozitën dhe fjalën e lirë. Dhe ju shërben atyre, duke u vënë shtetin në dispozicion. Prandaj në përpjekjen e tyre për të nënshtruar dhe kapur edhe drejtësinë, Edi Rama dhe Ilir Meta kanë vendosur që për fatin e drejtësisë fjalën e fundit ta thonë Arben Ndoka dhe sivëllamët e tij të krimit në Parlament”, – u shpreh Bylykbashi. Në këtë kontekst, ai u shpreh se kryeministri dhe kryeparlamentari kanë vetëm misionin për ti shërbyer deri në fund aleancës së krimit me të cilën erdhën në pushtet. “Dhe po e bëjnë këtë me verbëri dhe shurdhëri të plotë ndaj interesave legjitime të miliona shqiptarëve për shtet ligjor dhe barazi para ligjit duke nëpërkëmbur çdo ditë shpresat e shqiptarëve për mirëqenie dhe integrim”, – tha ligjvënësi demokrat.
Zëdhënësja e PD-së/ Vorpsi: Rama nuk u shpëton dot mëkateve me rrëfimet e sukseseve imagjinare
Partia Demokratike reagoi dje pas prezantimit të 300 ditëve të ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, duke denoncuar ato që u cilësuan si mashtrime me të përndjekurit si edhe humbjen e vendeve të punës, vetëvrasjet dhe fenomenin e varfërisë. “Rrëfimi i sotëm i Edi Ramës për 300 ditët e punësimit dhe mirëqenies nuk e shpëton dot atë nga mëkati i mashtrimeve të përditshme. Rrëfimi nuk e shpëton dot Edi Ramën nga përgjegjësia që ai ka për 6 të vetëvrarë për pushim të padrejtë nga puna. Ai me politikat e tij është përgjegjës për humbjen e mbi 30 mijë vendeve të punës në këto 300 ditë. Rrëfimi i sotëm nuk e fsheh dot faktin se në këto 300 ditë është dyfishuar numri i azilkërkuesve shqiptarë në vendet e BE-së, një tregues i humbjes së shpresës. Edi Rama qëndron sot pas 300 ditëve në krye të mashtrimeve për shpërblimin financiar të ish të përndjekurve politikë”, – tha zëdhënësja e selisë blu Laura Vorpsi. Më tej, ajo deklaroi se të gjitha këto dështime të qeverisë në mirëqenie dhe punësim nuk mund të fshihen me propagandë qeveritare. “Varfëria është ulur këmbëkryq, kaos me skemën e pensioneve dhe personat me aftësi të kufizuar çdo ditë e më shumë po marrin me vonesë pagesën e papunësisë. Të gjitha këto mëkate nuk shlyhen dot me një rrëfim suksesesh imagjinare”, – u shpreh Vorpsi.




