Për Elisën, dhe hipokritin më të pashoq që ka patur ndonjëherë PS-ja
Nga Hysni Gurra
Kush më ndjek ndër vite e di që, o e kam kritikuar unë Elisa Spiropalin, o s’i kam lënë gjë. Por vjen një moment që Elisa tregoi se është pjekur politikisht dhe kjo është një gjë që duhet pranuar. Unë nuk pres që Elisa Spiropali të rrëzojë Ramën. Apo që ajo të ketë takatin të udhëheqë ndonjë “revolucion” për të shpëtuar PS-në nga pengmarrja e mafies. Por ajo guxoi që t’i shkojë deri në fund qëndrimit të saj kundër Edi Ramës për të mbrojtur Ballukun dhe këtë refuzim e bëri duke mos shkuar as në Parlament për ta votuar.
Nga ana tjetër kemi një njeri që gjithë mbijetesën e tij politike e ka mbi hipokrizinë. Dhe ky është Erion Braçe. Njeri që gërthet si opozitar brenda mazhorancës, njeri që s’ka lënë gjë pa thënë edhe për Ballukun kur ajo e hoqi për lekckash nga Qarku i Fierit duke e trajtuar si halabak të parëndësishëm. Po, po ai Braçe që kap titujt e mediave, “Braçe sulmon Ramën, Braçe sulmon X apo Y ministër…” Në fakt ai nuk sulmon dot askënd. Të gjithë e dinë në PS që ai nuk kafshon kënd, i pari Edi Rama, dhe prandaj ia ka lënë litarin të lirë që të duket sikur ka oponencë brenda radhëvë. Kur erdhi puna për të mbrojtur korrupsionin, Braçe shkoi si qingj në sallë dhe i dha votën Ramës e Belës.






