Rezultatet e monitorimit të cilësisë së ajrit gjatë vitit 2025 në gjashtë bashkitë kryesore të Shqipërisë, Tiranë, Durrës, Elbasan, Fier, Korçë dhe Shkodër zbulojnë një realitet shqetësues për qytetarët. Nivelet e NO₂ dhe CO₂ tejkaluan standardet e lejuara në të gjitha qytetet, duke vënë në pah një problem të vazhdueshëm të cilësisë së ajrit urban.
Organizata Co-PLAN prezantoi gjetjet e ndotjes së ajrit sipas “Raportit të Monitorimit Alternativ për Cilësinë e Ajrit, Ujit dhe Nivelin e Zhurmave”, një studim i realizuar në gjashtë qytetet kryesore të Shqipërisë. Monitorimi u zhvillua duke kombinuar pajisje lëvizëse dhe stacionare, me qëllim të ofrojë një pasqyrë sa më të detajuar të cilësisë së ajrit në zonat urbane dhe të identifikojë burimet kryesore të ndotjes.
Në Tiranë, monitorimi u realizua në rreth 300 pika matjeje, ndërsa në qytetet e tjera u përdorën rreth 100 pika monitorimi. Matjet u fokusuan në disa nga parametrat më të rëndësishëm të cilësisë së ajrit, përfshirë PM₂.₅ , PM10, NO₂ dhe CO₂, të cilët konsiderohen indikatorë kyç për vlerësimin e ndotjes urbane dhe ndikimit të saj në shëndetin e qytetarëve.
Sipas rezultateve të raportit, gjatë muajve të verës, veçanërisht në korrik dhe gusht, vlerat e grimcave të imëta të pluhurit PM₂.₅ dhe PM₁₀në Tiranë rezultuan relativisht më të ulëta dhe përgjithësisht brenda normave të lejuara nga Bashkimi Evropian. Megjithatë, disa zona të qytetit shfaqën nivele më të larta të këtyre grimcave, ndonëse ende brenda kufijve të lejuar. Mes tyre përmenden Rruga e Dibrës, Qyteti Studenti dhe zona e Medresesë, ku ndikimi i trafikut dhe aktivitetit urban mbetet i ndjeshëm.
Raporti evidenton se parametri më problematik gjatë monitorimit ishte dioksidi i azotit (NO₂), i cili në disa zona të qytetit rezultoi deri në tre herë mbi normat e përcaktuara nga Bashkimi Evropian. Nivelet më të larta të këtij ndotësi u regjistruan në disa nga nyjet kryesore të trafikut në kryeqytet, si kryqëzimi i Bulevardit me Unazën, zona pranë Maternitetit të Ri, Ali Demi, Rruga e Elbasanit dhe zona pranë qendrës Kristal. Këto janë ndër pikat ku qarkullimi i automjeteve është më intensiv dhe ku ndotja nga shkarkimi i gazeve është më i theksuar.
Po ashtu, edhe niveli i dioksidit të karbonit (CO₂) rezultoi problematik në disa zona urbane. Sipas raportit, në disa raste vlerat e këtij parametri arrinin deri në katër herë mbi normat e rekomanduara, veçanërisht në zonat me densitet të lartë ndërtimi, ku mungojnë hapësirat e gjelbra dhe qarkullimi i ajrit është më i kufizuar.
Në analizën vjetore, raporti tregon se grimcat e pluhurit PM₂.₅ dhe PM₁₀ përgjithësisht mbeten brenda kufijve të lejuar gjatë muajve të verës, ndërsa në periudhat e tjera të vitit vlerat e tyre priren të rriten ndjeshëm, duke u dyfishuar në disa raste. Ndërkohë, për ndotësit e tjerë situata paraqitet më shqetësuese: CO₂ tejkalon normat në rreth 98% të matjeve, ndërsa NO₂ në rreth 66.7% të rasteve, duke sinjalizuar një problem të vazhdueshëm të cilësisë së ajrit në zonat urbane.

Situata nuk ndryshon shumë në qytetet e tjera. Në Durrës, shumica e pikave të matjes shënuan nivele PM₂.₅ mbi standardin referencë, me vlera që variojnë nga 10 deri në 35 µg/m³, ndërsa PM₁₀ arriti deri në 50 µg/m³ pranë akseve kryesore dhe portit. Ndotja nga NO₂ mbeti në përgjithësi nën kufirin e lejuar, por në nyjet me trafik të dendur u afrua ose tejkaloi këtë nivel, ndërsa CO₂ arriti deri në 750 ppm, duke reflektuar ndikimin e qarkullimit dhe aktiviteteve urbane.
Në Elbasan dhe Fier, shpërndarja e ndotësve nxjerr në pah dallime të qarta midis zonave me trafik dhe aktivitet industrial dhe atyre më të qeta. PM₂.₅ dhe PM₁₀ mbeten përgjithësisht nën standard, megjithëse disa pika pranë aksit kryesor dhe zonave industriale shfaqin vlera më të larta. NO₂ dhe CO₂ janë ndotësit më problematikë, me tejkalime të konsiderueshme, duke treguar ndikimin e trafikut dhe aktivitetit industrial.
Korça dhe Shkodra tregojnë një panoramë të ngjashme, me përqendrime të larta PM₂.₅ dhe PM₁₀ në hotspot-e urbane dhe tejkalime të NO₂ dhe CO₂ në zonat me qarkullim të dendur dhe densitet të madh ndërtimi. Në Korçë, PM₂.₅ arriti deri në 394 µg/m³ dhe PM₁₀ deri në 523 µg/m³, ndërsa disa raste ekstreme të NO₂ shënuan vlera deri në 740 µg/m³. Në Shkodër, PM₂.₅ dhe PM₁₀ arritën deri në 140 dhe 200 µg/m³ në hotspot-et urbane, ndërsa NO₂ dhe CO₂ tejkaluan ndjeshëm standardet referencë.
Raporti i Co-PLAN nënvizon se burimet kryesore të ndotjes janë trafiku rrugor i dendur, kantieret e ndërtimit, djegia e karburanteve fosile dhe mungesa e hapësirave të gjelbra, të cilat luajnë një rol të rëndësishëm në reduktimin e grimcave dhe gazeve ndotës.
Situata evidenton nevojën për politika urbane dhe mjedisore më të forta, të cilat synojnë reduktimin e shkarkimeve nga transporti, kontrollin e aktiviteteve të kantierëve të ndërtimit dhe rritjen e hapësirave të gjelbra.
Përmirësimi i cilësisë së ajrit kërkon monitorim të vazhdueshëm, koordinim të institucioneve qendrore dhe bashkive, përdorim të të dhënave për planifikimin urban, dhe masa të integruara që përfshijnë zgjidhje bazuar në natyrë, efikasitet energjitik dhe mobilitet urban të qëndrueshëm.
Harmonizimi i metodologjive, shkëmbimi i të dhënave dhe sistemet e informacionit në kohë reale për qytetarët janë të domosdoshme për transparencë dhe vendimmarrje efektive. Këto hapa janë në përputhje me objektivat e Agjendës së Gjelbër për Ballkanin Perëndimor, duke synuar reduktimin e ndotjes dhe përmirësimin e cilësisë së ajrit në qytetet tona./Klimasot






