Partia Demokratike dhe opozita kanë thirrur sot një protestë para Kuvendit të Shqipërisë, ku po shqyrtohet edhe kërkesa e SPAK për dhënien e autorizimit për arrestimin e ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Ne fjalën e tij në foltoren e Kuvendit, bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore, Oerd Bylykbashi, theksoi se, vendimi i Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin nga ana e opozitës nuk është thjesht formalitet: ai i hap rrugë hetimit të mëtejshëm ndaj ish-zëvendëskryeministres Belinda Balluku dhe vendos bazën për votimin e masës së sigurisë më të rreptë, “arrest në burg” ose “arrest shtëpie”.
Bylykbashi nënvizoi se rekomandimi bazohet në një analizë të detajuar të fakteve, provave dhe dispozitave kushtetuese, ligjore dhe rregullore të Kuvendit, duke bërë të qartë se qëllimi kryesor i këtij vendimi është të sigurojë përgjegjësinë penale të deputetes dhe funksionarit publik, për veprat penale të dyshuara në kuadër të procedimit penal numër 136 të vitit 2025.
Pjesë nga fjala e Bylykbashit
Sot, në emër të pesë deputetëve anëtarë të Këshillit për rregulloren, mandatet dhe imunitetin, do të lexoj një përmbledhje të raportit rekomandues të gjysmës së Këshillit, pra të përfaqësuesve të opozitës në Këshill, në lidhje me kërkesën e Prokurorisë për rastin Balluku.
Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, në datën 16 dhjetor 2025, është vënë në lëvizje nga Prokuroria e Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, me shkresën numër 43019 të protokollit datë 16 dhjetor 2025, ku ka kërkuar nga Kuvendi dhënien e autorizimit për arrestimin apo heqjen e lirisë, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e ndalimit të daljes jashtë shtetit, e parashikuar nga neni 233 i Kodit të Procedurës Penale, dhe pezullimit të ushtrimit të një detyre apo shërbimi publik, e parashikuar nga neni 242 i Kodit të Procedurës Penale, në atë të arrestimit në burg apo në shtëpi të zonjës Belinda Balluku, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit.
Kërkesa e Prokurorisë shoqërohet me relacionin përkatës të arsyetuar, si dhe me provat e plota të administruara në mbledhjen e Këshillit, të cilat parashtrojnë se Prokuroria, në kuadër të procedimit penal numër 136 të vitit 2025, ka marrë si të pandehur dhe person nën hetim deputeten Belinda Balluku. Dyshohet se ajo ka kryer në mënyrë të përsëritur – 11 herë – veprën penale shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike, kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal.
Kërkesa, e cila bazohet në nenet 73, 95, 103 të Kushtetutës, nenet 260, 288, 289 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe nenet 13 dhe 118 të rregullores së Kuvendit, është shqyrtuar nga Këshilli për rregulloren, mandatet dhe imunitetin, në mbledhjet e datave 19 dhjetor 2025 dhe 23 shkurt 2026.
Në përfundim të shqyrtimit, pesë anëtarët e Këshillit, përfaqësues të pakicës parlamentare, në mbështetje të nenve përkatës të Kushtetutës dhe Kodit të Procedurës Penale, si dhe të rregullores së Kuvendit, dhe pas analizës së fakteve dhe rrethanave të çështjes, rekomandojnë që deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro për miratimin e kërkesës numër 43019 të protokollit, datë 16 dhjetor 2025, të Prokurorisë së Posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke dhënë autorizimin për arrestimin apo heqjen e lirisë të deputetes Belinda Balluku, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit me arrest në burg ose në shtëpi.
Në kuadër të procedimit penal numër 136 të vitit 2025, zonja Balluku është marrë si e pandehur dhe person nën hetim për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprës penale shkelja e barazisë në tendera, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 dhe 25 të Kodit Penal. Në miratimin e këtij rekomandimi, mbahen në konsideratë të gjitha faktet dhe rrethanat e çështjes.





