Kryemadhi pas seancës në GJKKO: Ligjin e propozon Rama, e miraton Kuvendi, SPAK merr të pandehur Metën

Kryemadhi pas seancës në GJKKO: Ligjin e propozon Rama, e miraton Kuvendi, SPAK merr të pandehur Metën

Pas përfundimit të seancës në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Monika Kryemadhi, deklaroi se gjatë seancës mbrojtja dhe prokuroria paraqitën qëndrimet e tyre për çështjen, ndërsa sipas saj një pjesë e madhe e akuzave mbështetet vetëm në perceptime.

“Mbasi ne bëmë mbrojtjen, prokuroria erdhi dhe bëri prapësime. Mbas prapësimeve të prokurorisë bëmë dhe ne. Me thënë të drejtën, Prokuroria në 80% të akuzës që pati thoshte që ne i kemi perceptime, i kemi indicie, por nuk janë fakte penale. Kështu që e vetmja gjë që ne i kërkuam përsëri, në fakt edhe gjykata u bëri disa pyetje prokurorëve sa i përket marrëdhënies qoftë me ÇEZ DIA që nuk ekziston fare, as si fakt penal, por qoftë edhe në raste të tjera… Ideja është që si mund të ngresh një akuzë për korrupsion kur ndërkohë nuk e ke veprën e korrupsionit”, tha Kryemadhi, përcjell A2 CNN.

Ajo theksoi se mbrojtja ka kërkuar që të verifikohen përmes letër-porosisë disa dokumente që lidhen me pretendimet për pagesa lobimi, për të cilat prokuroria pretendon se janë bërë nga kompania UNIFA për LSI-në. Kryemadhi tha se pala e saj disponon kontratën mes kompanive përkatëse dhe kërkon që dokumentet origjinale të verifikohen drejtpërdrejt nga kompanitë dhe autoritetet përkatëse.

Duke folur edhe për qëndrimin e bashkëshortit të saj, Ilir Meta, Kryemadhi u shpreh se ai ka paraqitur kërkesa racionale dhe se, sipas saj, ndaj tij nuk ka as firma, as komunikime apo vendime që ta lidhin me akuzat për korrupsion.

“Zoti Meta është shumë racional në kërkesat e tij pavarësisht këndvështrimeve që kemi për sa i përket të gjithë procesit, ajo çfarë rezulton është që zoti Meta s’ka asnjë firmë, s’ka asnjë mesazh, s’ka asnjë komunikim, s’ka asnjë vendim, s’ka asnjë gjë. Pra ligjin e minierave e propozon Edi Rama, e miraton Parlamenti me shumicë votash, e mbron komisioni i veprimtarive prodhuese. Ai thotë unë të marr ty të pandehur se ke bërë ti korrupsion për ligjin, ku ai është një nga 72 deputetët”, tha Kryemadhi.

Ajo shtoi se mbrojtja ka kërkuar rikthimin e çështjes për plotësim hetimi, ndërsa vendimi i gjykatës pritet të jepet të mërkurën në orën 10:00.

Share it :