Dita e fundit e demokracisë’ Gjoni: Rama ngriti mburojën e korrupsionit, PD paralajmëron intensifikimin e protestave
Ne një deklaratë për Syri TV, deputeti i PD, Gjin Gjoni, u shpreh se votimi i sotëm i mazhorancës për rrëzimin e kërkesës së SPAK për arrestimin e ish-ministres Belinda Balluku shënon “ditën e fundit të demokracisë” dhe të zbatimit të shtetit ligjor në Shqipëri.
Ai akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes mbrojtjes së Ballukut, ka krijuar një mburojë për vetë veten dhe rrethin e tij të ngushtë, duke penguar hetimet e drejtësisë dhe duke favorizuar nivelin më të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Gjoni theksoi se vendimi i mazhorancës ka krijuar një “ngërç kushtetues” dhe një përplasje të hapur mes pushtetit legjislativ dhe gjyqësor, duke treguar frikën e qeverisë ndaj hetimeve të SPAK. Ai paralajmëroi se opozita do të përshkallëzojë veprimet e saj, duke nisur me protestën kombëtare, dhe e cilësoi qeverinë si një “narko-diktaturë” që po dëmton çdo ditë qytetarët
Pjesë nga deklarata:
Dita e sotme dhe mënyra e votimit nga ana e Partisë Socialiste dhe e mazhorancës tregoi se parlamentarizmi përfundimisht ka vdekur dhe sot është dita e fundit e demokracisë dhe njëkohësisht edhe e zbatimit të shtetit ligjor dhe të shtetit të së drejtës në Shqipëri. Padyshim që Partia Demokratike mbajti një qëndrim serioz sot në raport me seancën parlamentare, për t’u treguar të gjithë qytetarëve shqiptarë, por njëkohësisht edhe faktorit ndërkombëtar, se Partia Demokratike është një parti për respektimin e shtetit ligjor dhe, nëpërmjet votimit pro heqjes së imunitetit dhe dhënies së autorizimit, tregoi se shteti ligjor duhet të shkojë në shina normale.
Nga ana e Partisë Socialiste dhe e mazhorancës, dhe njëkohësisht e kryeministrit Rama, u tregua edhe sot mbroja që po vendoset në raport me korrupsionin, krimin e organizuar dhe përpjekjet e tij për të mos lejuar që qeveritarët dhe njerëzit që janë rreth tij të shkojnë në dyert e prokurorisë dhe njëkohësisht të shkojnë në burg.
Padyshim, pyetja juaj qëndron dhe normalisht sot parlamenti shqiptar duhej patjetër të realizonte dhënien e autorizimit. Por kjo gjë ka futur në një ngërç kushtetues dhe njëkohësisht ka shkaktuar një përplasje midis pushtetit legjislativ dhe pushtetit gjyqësor. Veprimi i sotëm tregon se qeveria ka frikë nga hetimi, ka frikë nga mënyra se si organet ligjzbatuese po marrin prova dhe dokumentacion në lidhje me nivelin e korrupsionit dhe të krimit të organizuar, i cili ka arritur në nivelet më të larta dhe është në momentin aktual, koka e krimit të organizuar sot është Edi Rama. Nëpërmjet mbrojtjes së Belinda Ballukut sot në parlament, nuk është mbrojtur Belinda Balluku, por është mbrojtur vetë Rama dhe rrethi i tij i ngushtë familjar.
Padyshim, trupi diplomatik sot nuk ka qenë prezent dhe ky është një mesazh i qartë për qeverinë. Padyshim, deklarata e ambasadës britanike, e shpërndarë para fillimit të seancës parlamentare, tregoi qëllimin e vërtetë në lidhje me raportin e njerëzve me ligjin dhe se imuniteti nuk mund të shërbejë si diferencim midis qytetarëve të thjeshtë dhe politikanëve shqiptarë. Kështu që ne shpresojmë që në orët e ardhshme edhe ambasadat e tjera, qoftë ajo e Bashkimit Evropian, por edhe ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të prononcohen, dhe i gjithë qëllimi i Partisë Demokratike në seancën e sotme është që t’i lejohet më shumë liri veprimi argumentit juridik dhe politik, sesa një reaksioni në sallën e parlamentit, në mënyrë që edhe qytetarët, por edhe ndërkombëtarët të kuptojnë se kush është pengesa kryesore në lidhje me integrimin europian dhe kush është njeriu që deri dje konsiderohej si kalorësi dhe mori përsipër reformimin e sistemit të drejtësisë, dhe kush është sot personi që po i vendos barriera anti-SPAK në lidhje me hetimin e njerëzve të lidhur drejtpërdrejt me zotin Rama.
Opozita padyshim do të rrisë aksionin e vet opozitar, edhe nëpërmjet protestës së thirrur nga Partia Demokratike dhe kryetari i saj, por njëkohësisht do të intensifikojë edhe të gjitha qëndrimet dhe format e tjera të protestës, të cilat sot janë shfaqur si opsion shumë i menjëhershëm përballë kësaj qeverie narko-diktature, e cila sot ka eklipsuar të gjithë skenën politike shqiptare, por njëkohësisht po torturon dita-ditës shqiptarët.





