Tenderi i Porto Romanos/ Kalaja: Projekti rrezikonte t’i kushtonte Shqipërisë deri në 9.6 miliardë euro
Tenderi për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano tashmë është anuluar, një zhvillim që vjen pas një beteje të gjatë ligjore dhe një sërë debatesh publike. Juristja Adriana Kalaja, e cila depozitoi një kallëzim penal në SPAK për këtë projekt që në tetor të vitit 2022, ka zbardhur prapaskenat dhe rreziqet e mëdha financiare dhe gjeopolitike që fshiheshin pas kësaj nisme.
Në një intervistë për SYRI TV me gazetaren Armela Ferko, Kalaja u shpreh se ndjehet mirë që çështja e nisur prej saj po merr më në fund vëmendjen e duhur, jo vetëm nga drejtësia shqiptare, por edhe nga aleatët ndërkombëtarë. Kallëzimi i saj, i depozituar fillimisht në SPAK në vitin 2022, aktualisht ndodhet për shqyrtim në Gjykatën e Lartë. Dështimi i tenderit vjen në një kohë kur Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar dokumentacionin e tenderit pas ndërhyrjeve publike nga Dhoma Amerikane e Tregtisë dhe deklaratave të Kryeministrit Rama.
Adriana Kalaja: Unë ndihem shumë mirë që një çështje e filluar nga unë në 2022-shin, megjithëse vjen me shumë vonesë në vëmendje jo vetëm të drejtësisë shqiptare, por edhe të aleatëve tanë, për të cilat në fakt, në kallëzimin penal fillimisht në SPAK, po dhe në ankimimet në shkallët e gjykimit, e kam evidentuar që është një projekt i cili nuk cënon vetëm sigurinë tonë kombëtare, nuk cënon vetëm të drejtat që kemi ne si popull shqiptar për të gëzuar trashëgiminë tonë dhe porti i Durrësit, që përfshihet dhe nuk mund të ndahet dhe për mua është një gabim shumë i madh dhe i qëllimshëm madje, që duan të ndajnë aferën e portit të Durrësit me aferën e Porto Romanos. Këto dy këto afera, përveç se shkojnë bashkë, përveç se kanë një ndikim të jashtëzakonshëm në aspekt të marrëdhënieve gjeopolitike me partnerët tanë, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kryesisht nën efektin e aleancës së NATO-s, por nga ana tjetër, unë e shikoj si një vepër më shumë anti-shqiptare sesa, korruptive. I ka të gjithë elementët e korrupsionit brenda.
Ju më kot, po të shikoni dhe kallëzimin penal që unë kam bërë. Për ironi të fatit, dy nga subjektet e kallëzuar janë Belinda Balluku dhe Pirro Vengu, përveç të tjerëve. Dhe në tetor të 2022-shit, unë kam evidentuar që dëmi efektiv deri në momentin nëse do arrihej ndërtimi i portit të ri, ishte 4.9 miliardë euro, pra gati 5 miliardë euro, dhe deri në fund të buxhetit që është miratuar, ky dëm arrin në 9.6 miliardë euro, pra, i bie mbi 1.6 miliardë euro mbi buxhetin e shtetit. Domethënë, për një vend me probleme të rënda financiare dhe me një borxh të lartë financiar që ka Shqipëria, ne të shpenzojmë 9.6 miliardë euro, në kuptimin financiar është një kosto shumë e madhe për xhepin e çdo shqiptari, por nga ana tjetër ka probleme shumë të rënda, sepse fillimisht u tha që nuk do ketë zero investime në Porto Romano nga qeveria shqiptare. Pastaj filluan çdo dalje e të pandehurës Belinda Balluku shoqërohej me një çmim përkatës. Sa herë dilte Belinda Balluku për Porto Romanon, aq herë shtohej dhe vlera e projektit.






